Konvertimi në euro

Riatdhesimi i Markës gjermane dhe futja e Euros në qarkullim

Në vitin 1999, Marka gjermane (DEM) u bë monedha e lejuar për përdorim në Kosovë. Rregullorja 1999/04 dhe Udhëzimi Administrativ pasues 1999/02, të dyja të nxjerra në vitin 1999, e miratuan DEM-in si mjet pagese për llogaritë dhe pagesat zyrtare.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e BQK-së ishte konvertimi në Euro. Ky konvertim u formalizua përmes Direktivës se lëshuar nga UNMIK-u me numër 2001/24. Konvertimi nga DEM në Euro u realizua në mënyrë të sigurtë, të lehtë dhe me kosto të arsyeshme. Në këtë proces, BQK pati përkrahje të fortë edhe nga FMN, BQE, OeNB, Bundesbank, Commerzbank dhe Raiffeisen Zentral Bank. Rol të rëndësishëm luajtën edhe institucionet tjera si AQF, Doganat e UNMIK-ut, PTK dhe bankat komerciale, ndërsa rol të veçantë pati asistenca e KFOR-it.

Vlerësimi i saktë i sasisë së DEM në qarkullim në Kosovë nuk ishte i mundur, kështu qe u llogarit që importi i 500 miliona Euro ishte i nevojshëm për të finalizuar konvertimin në Euro deri më 28 shkurt 2002. Kontingjenti i parë me euro (rreth 100 miliona Euro) u soll në Kosovë në dhjetor të vitit 2001. Gjatë periudhës dhjetor 2001 – janar/shkurt 2002 janë eksportuar gjithsej mbi 1 miliard Marka gjermane, ndërsa janë importuar mbi 350 miliona Euro. Njëkohësisht, janë riatdhesuar afër 10 miliona monedha të Markës gjermane, ndërsa janë importuar rreth 7 miliona Euro monedha që në aspektin logjistik reflektonte një operacion transporti të monedhës në peshë mbi 100 tonelata. I tërë ky operacion pati edhe kosto të theksuar nga aspekti i transportit dhe sigurisë, ndërsa BQK ishte kanali i vetëm institucional përmes të cilit u importua Euro dhe u riatdhesua Marka gjermane.

Me 1 janar 2002 të gjitha llogaritë e klientëve të mbajtura në BQK dhe banka komerciale u konvertuan nga valuta DEM ne valutën EUR me normë të pakthyeshme të këmbimit prej DEM 1,95583 për një EUR. Gjatë janarit dhe shkurtit 2002, të dy valutat (EUR dhe DEM) ishin në qarkullim, ndërsa konvertimi i shumave bëhej sipas kushteve paraprakisht të caktuara.

Shuma maksimale e parave të gatshme që kanë mundur të konvertohen nga personat fizik dhe juridik në BQK ka qenë 10,000 DEM. Gjatë periudhës janar – shkurt 2002 , rreth 208.080 persona kanë konvertuar në BQK rreth 210.830.000 DEM, përkatësisht 107.796.000€. Shumat më të larta se 1000 DEM janë konvertuar vetëm përmes depozitimit në llogari të bankave komerciale. Kjo ka bërë që të hapen shumë llogari në banka komerciale respektivisht depozitat të rriten prej 235 milion në Nëntor 2001 në 480 milion në Dhjetor 2001 apo një rritje prej 104.10%. Konvertimi ne Euro ndikoj shume ne rritjen e besimit te popullatës ne sistemin bankar te Kosovës.

Fushata e informimit te publikut ka qenë jashtëzakonisht mirë e organizuar dhe është realizuar në koordinim me ekipin e BQK-së, ndihmën e Agjencisë Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odën Ekonomike të Kosovës dhe Qendrën Euro Info. Mbi 300,000 kopje te broshurave janë shtypur dhe shpërndare ne 3 gjuhet – Shqip, Serbisht dhe Anglisht. Në të gjitha degët e BQK-së anekënd Kosovës janë mbajtur seminare njëditore informative.

Pas kalimit në monedhën Euro, BQK përqendrohet në sigurimin e furnizimit të rregullt dhe adekuat te Kosovës me kartëmonedha dhe monedha euro. Me qëllim të mbrojtjes së integritetit të monedhës euro,BQK ngriti cilësinë e operacioneve me Para të Gatshme dhe të Trezorit duke rishikuar në tërësi rregullat dhe procedurat e punës si dhe duke investuar në ngritjen e sigurisë fizike të ndërtesës konform standardeve evropiane. Krahas investimit në pajisjet më të avancuara të procesimit të parave, BQK (2005), konform dispozitave të ngjashme në euro-zonë, nxorri edhe tre udhëzime dhe një rekomandim që së bashku kanë për qëllim ruajtjen e integritetit te Euros. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, angazhime të veçanta u bënë në fushën e edukimit dhe luftimit të parave falso, ndërsa së fundi ky angazhim u formalizua edhe përmes themelimit të Komitetit kombëtar për luftimin e parave falso.