Ruajtja e stabilitetit financiar

Ruajtja e stabilitetit financiar përbën detyrim statutor dhe objektiv parësor për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Stabiliteti financiar mund të definohet si situata në të cilën të gjithë komponentët e sistemit financiar (tregjet financiare, institucionet financiare dhe infrastruktura financiare) funksionojnë pa shkëputje sistemike dhe ruajnë e fuqizojnë rezistencën e sistemit.

Në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, BQK, ndër tjera, në mënyrë të vazhdueshme bën identifikimin, monitorimin dhe analizimin e rrezikut sistemik. Identifikimi i rreziqeve potenciale bëhet përmes monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimeve ciklike dhe strukturore makroekonomike si dhe sistemit financiar. Ndërsa, vlerësimi i rreziqeve dhe ndikimi i tyre potencial në stabilitetin financiar dhe për pasojë stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik, bëhet përmes analizave të rregullta kualitative dhe kuantitative përfshirë analizimin e ecurisë së treguesve ekonomik dhe financiar me frekuencë të lartë, parashikimet mbi treguesit kryesorë makroekonomikë dhe aplikimin e modeleve që adresojnë dimensionin ciklik, strukturor dhe ndërsektoral të rrezikut sistemik.

Indikatorët e Stabilitetit Financiar

Raporti i Informatave Mujore synon të informojë publikun e gjerë, profesionistët dhe autoritetet vendimmarrëse mbi indikatorët kryesor rreth zhvillimeve të fundit në sistemin financiar të Kosovës. Raporti është publikim mujor i cili pasqyron të dhënat kryesore mbi sektorin bankar, mikrofinanciar, të sigurimeve dhe pensional. Raporti ka filluar të publikohet nga Janari i vitit 2014 në frekuencë mujore.

Raporti i Stabilitetit Financiar

Raporti i Stabilitetit Financiar synon të informojë publikun e gjerë, profesionistët dhe autoritetet vendimmarrëse mbi zhvillimet në sektorin financiar, me fokus të veçantë në sektorin bankar, duke identifikuar brishtësitë dhe rreziqet për stabilitetin e këtij sektori. Raporti pasqyron një analizë të detajuar rreth zhvillimeve në aktivitetin, performancën, rreziqet dhe infrastrukturën financiare në Kosovë.

Po ashtu, duke pasur parasysh se sektori financiar ka një lidhshmëri të lartë edhe me sektorët tjerë, ky raport pasqyron edhe zhvillimet kryesore në ekonominë globale dhe sektorët tjerë të ekonomisë së vendit me qëllim të identifikimit të rreziqeve të mundshme me të cilat mund të ballafaqohet sektori financiar. Raporti i Stabilitetit Financiar ka filluar të publikohet nga viti 2010.

Vlerësim Tremujor i Ekonomisë

Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë është publikim periodik që publikohet në baza tremujore, me të dhënat e fundit në dispozicion. Raporti analizon zhvillimet kryesore në eurozonë dhe rajon, tregjet globale dhe në ekonominë e Kosovës.

Në kuadër të ekonomisë së Kosovës, raporti analizon dinamikat e zhvillimeve makroekonomike në vend ndarë në sektorët kryesor të ekonomisë si sektori real, financiar, i jashtëm dhe fiskal. Raporti gjithashtu synon që përmes analizës, të elaboroj mbi pritjet/parashikimet makroekonomike si për eurozonë, ashtu edhe për rajon dhe ekonomi të vendit.

Anketa e Kreditimit Bankar në Kosovë

Me qëllim të rritjes së kapaciteteve analitike për një vlerësim sa më të mirë të dinamikave të kreditimit në Kosovë dhe pritjeve për zhvillimet në nivelin e çmimeve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dizajnon dhe realizon një anketë me bankat komerciale që operojnë në tregun bankar në Kosovë.

Raporti që analizon rezultatet e këtij anketimi, publikohet në frekuencë tremujore në web-faqen e BQK-së, me qëllim që të ofrojë një pasqyrë më të gjerë rreth perceptimit të rrezikut të bankave dhe gatishmërinë e bankave për të dhënë hua, si dhe, sjelljes së ekonomive familjare dhe ndërmarrjeve kundrejt dinamikave në kreditim, si pasojë.

Skip to content