banner img

Këshilli Kombëtar i Pagesave

Këshilli Kombëtar i Pagesave (KKP) është themeluar bazuar në nenin 8 të Ligjit Nr.04/L-155 për Sistemin e Pagesave si organ këshillues për Bankën Qendrore, i cili është funksionalizuar me anëtarësinë e zgjeruar me Udhëzimin për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Kombëtar të Pagesave miratuar në mbledhjen e mbajtur të Bordit Ekzekutiv me datë 29 dhjetor 2023.

Objektivi i KKP-së është të këshilloj BQK-në dhe anëtarët e tij lidhur me rregullimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e Sistemit Kombëtar të Pagesave dhe nëpërmjet veprimeve të tij, të mbështes dhe të kontribuoj në vendosjen e parimeve dhe standardeve operacionale dhe teknike, si dhe rregullave tjera të nevojshme për promovimin e një sistemi të pagesave të sigurt dhe efikas dhe në avancimin e mëtejmë të shërbimeve të pagesave në Kosovë. KKP shërben si një forum i bashkëpunimit dhe do të kontribuojë për zhvillimet e sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së shërbimeve financiare të Kosovës, si dhe në zhvillimet e ndërlidhjeve me sistemet e pagesave rajonale dhe ndërkombëtare.

Këshilli Kombëtar i Pagesave është ndërtuar sipas udhëzimeve të Bankës Botërore dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e pagesave, si dhe duke marr në konsideratë nevojat dhe specifikat e tregut të pagesave në Kosovë. KKP është një organ këshillues, vendimet e të cilit nuk janë detyruese për BQK-në apo ndonjë nga institucionet pjesëmarrëse, por kanë karakter këshillues bazuar në rolin dhe qëllimin e themelimit të këshillit. KKP përfshinë akterët relevant të sektorit publik dhe privat, përmes të cilit avancohet bashkëpunimi ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve të tregut të pagesave, si nga pjesa e ofruesve ashtu edhe përdoruesve të shërbimeve të pagesave. Bashkëpunimi është një faktor i domosdoshëm për fushat e karakterit gjithëpërfshirës siç është rrjeti i shërbimeve të pagesave, i nevojshëm sidomos për arritjen e interoperabilitetit që kërkohet ndërmjet sistemeve dhe instrumenteve të pagesave për një shkëmbim të shpejt, të sigurt, efikas dhe pa pengesa të transaksioneve. KKP pritet të mbështes dhe të kontribuoj në avancimin e mëtejmë të tregut të pagesave, përmes të cilit do të diskutohen, drejtohen dhe monitorohen iniciativat dhe zhvillimet e reja në fushën e sistemit të pagesave në Kosovë dhe integrimit të tij me rajonin dhe BE-në.