Nexhat Kryeziu

Nexhat Kryeziu

Anëtar i Bordit të BQK-së

z. Nexhat Kryeziu është anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore dhe anëtar i Komitetit të Auditimit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Përmes një procesi të hapur aplikimi, ai u zgjodh në listën e ngushtë dhe u votua nga Kuvendi i Kosovës, pasuar nga dekreti i Presidentes në korrik 2022.
z. Kryeziu ka përfunduar doktoraturën në fushën e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka një MBA në Financa nga Universiteti i Sheffield-it. Gjithashtu, ai është Auditor i Certifikuar dhe Kontabilist i Licencuar.
Z. Kryeziu ka mbi 20 vjet përvojë në financa, auditim, ekonomi dhe banka, në pozita profesionale, udhëheqëse dhe mbikëqyrëse në sektorin financiar dhe korporata të sektorëve publik dhe privat në Kosovë. Në vitin 2001, ai u bë pjesë e ekipit të parë të mbikëqyrësve të bankave në Autoritetin e Bankave dhe Pagesave të Kosovës (paraardhëse e Bankës Qendrore). Për një kohë, z. Kryeziu ka punuar si auditor i brendshëm në Raiffeisen Bank. Nga 2008-2013 ka mbajtur detyrën e Zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, periudhë gjatë së cilës kontribuoi në "kosovarizimin" e institucioneve financiare. Gjithashtu, ai ka qenë Anëtar i Komitetit të Auditimit në bankën TEB dhe ka ushtruar detyrën e Drejtorit Ekzekutiv në Institucionin Financiar Jo-Bankar "Vllesa Co".
Z. Kryeziu ka udhëhequr Kompaninë Hymeri Klemman (2013-2015) dhe ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv dhe Anëtar Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore SHA (2015-2018). Gjithashtu, z. Kryeziu ka qenë Drejtor Financiar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (2006-2008) dhe Kryetar i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar (2021-2022). Ai ka drejtuar Departamentin e Financave në Hymeri Group SHPK, duke menaxhuar financat për pesë kompani në Kosovë, Shqipëri dhe Gjermani.
Z. Kryeziu është profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku ligjëron lëndë të ekonomiksit, menaxhimit financiar, standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, menaxhimit strategjik dhe analizës së vendimmarrjes. Ai është autor i shumë publikimeve shkencore dhe artikujve në fusha të ekonomiksit dhe bankave.

Skip to content