Funksionet dhe përgjegjësitë

Më 27 korrik 2010, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin nr. 03/L-209 për “Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), pasardhëse e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të këtij ligji, që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese.

Objektivat e BQK-së sipas ligjit në fuqi janë:

1. Objektivi parësor i Bankës Qendrore është të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave.
2. Objektiv shtesë i Bankës Qendrore i cili i nënshtrohet objektivit parësor të saj, është të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore.
3. Pa paragjykuar arritjen e këtyre objektivave, Banka Qendrore mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.
4. Banka Qendrore vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë, duke favorizuar shpërndarjen efikase të resurseve.

Detyrat e Bankës Qendrore në përmbushjen e objektivave të përcaktuara sipas ligjit në fuqi, përfshijnë:

1.përcaktimin dhe zbatimin e politikave të një sistemi financiar stabil duke përfshirë mbikëqyrjen e një skeme të sigurimit të depozitave, kryerjen e operacioneve të tregut, si dhe ofrimin e likuiditetit emergjent;
2. rregullimin, licencimin, regjistrimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare ashtu si specifikohet më tej në këtë ligj apo ndonjë ligj tjetër;
3. promovimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë;
4. sigurimin e një furnizimi të duhur të kartëmonedhave dhe monedhave në Kosovë;
5. mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare;
6. mbledhjen dhe publikimin e statistikave;
7. kontribuon në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve vendore;
8. informimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth politikave, detyrave dhe operacioneve të saj ashtu siç përcaktohet më tej në këtë ligj;
9. veprimin si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal për Qeverinë dhe çdo organ publik dhe organizatë publike të Kosovës;
10. bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare përkitazi me çështje brenda fushës së saj të kompetencave; dhe
11. realizimin e çdo aktiviteti ndihmës që rrjedhë nga ushtrimi i detyrave të saj sipas këtij ligji apo ndonjë ligji tjetër.

Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare. Pavarësia dhe autonomia e Bankës Qendrore respektohet në çdo kohë dhe asnjë person apo subjekt nuk do të provojë të ndikojë tek anëtarët e organeve vendimmarrëse apo tek personeli i Bankës Qendrore në realizimin e detyrave të tyre apo të ndërhyjë në aktivitetet e Bankës Qendrore.