Veçoritë dhe funksioni kryesor

Sistemi i Regjistrit të Kredive është dizajnuar si një aplikacion i bazuar në internet dhe mund të qaset drejtpërdrejt dhe në kohë reale nga stafi i autorizuar i institucioneve kredidhënëse. Në Regjistrin e Kredive, institucionet kredidhënëse raportojnë kreditë e aprovuara dhe më pas azhurnojnë statusin e çdo kredie. Në anën tjetër, ato mund të marrin nga sistemi një raport përmbledhës mbi nivelin dhe statusin e kredive aktive dhe historike të çdo kredimarrësi përmes pëlqimit përkatës të siguruar nga klienti. Po ashtu njoftohen mbi kolateralet e ndërlidhura me kreditë si dhe me rolet ndërlidhura me kreditë tjera.

Për më tepër, secili person që është subjekt i kredisë mund të marrë detajet e veta të regjistruara në RKK. BQK-ja po ashtu shfrytëzon informacionet e RKK-së për qëllime mbikëqyrëse, statistikore dhe analitike.

Regjistri i Kredive është disenjuar të sigurojë një infrastrukturë të avancuar për funksionimin e tregut të kredive duke paraqitur një mjet të rëndësishëm për institucionet kredidhënëse në vlerësimin e riskut kreditor. Nga një perspektivë e përgjithshme ekonomike, Regjistri i Kredive lehtëson kredidhënien sa i përket vëllimit dhe kostove, si dhe kontribuon në stabilitetin financiar në përgjithësi.