Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil. Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare. Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare është përgjegjës për menaxhimin e operacioneve të parave të gatshme dhe mirëmbajtjen dhe transaksionet e llogarive të klientëve të BQK-së. Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8. Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare përfshijnë sigurimin e një furnizimi të duhur të kartëmonedhave dhe monedhave në Kosovë, promovimin e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, veprimin si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë, mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Në veçanti, detyrat që kanë të bëjnë me Departamentin e Parave dhe Marrëdhënieve bankare specifikohen në nenet 9, 10, dhe 16-21.

Puna e Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare është e ndarë në dy divizione të veçanta

  • Divizioni i Parave të Gatshme  

    Divizioni i Marrëdhënieve Bankare

Departamenti i Parave dhe Marrëdhënieve Bankare i ka këto funksione kryesore

    • Administrimin e zonës së trezorëve dhe ruajtjen e parave të gatshme;
    • Organizimin e aktiviteteve relevante me palët; menaxhimin dhe trajtimin e depozitave të palëve;
    • Menaxhimin dhe trajtimin e furnizimit të palëve me para të gatshme;
    • Procesimin (numërimin, verifikimin, klasifikimin, lidhjen dhe paketimin) e parave të gatshme të pranuara nga palët;
    • Tërheqjen nga qarkullimi të parave të gatshme të vjetërsuara të pranuara nga palët;
    • Lëshimin në qarkullim përmes bankave komerciale të parave të gatshme të reja;
    • Përcjelljen ditore të sasisë dhe cilësisë optimale të parave të gatshme dhe  rrjedhimisht, përgatitjen e importeve dhe eksporteve përkatëse;
    • Koordinimin e aktiviteteve të lidhura me autoritetet kompetente (trajtimi dhe raportimi i falseve në bashkëpunim me policinë; organizimin e trajnimeve për paratë e gatshme me policinë etj.);
    • Përpilimin dhe publikimin e këshillave dhe materialeve edukative për publikun me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së parasë nga falsifikimi në Republikën e Kosovës;
    • Ofrimin e shërbimeve të ruajtjes;
    • Pranimin dhe verifikimin e aplikimeve për hapjen e llogarive;
    • Pranimin e nënshkrimeve të azhurnuara (nënshkruesve të autorizuar) nga klientët;
    • Pranimin, validimin dhe ekzekutimin e urdhërpagesave dalëse të klientëve;
    • Monitorimin dhe njoftimin e klientëve në lidhje me urdhërpagesat ardhëse;
    • Verifikimin dhe ekzekutimin përmes ndërfaqes të urdhërpagesave vendore;
    • Shpërndarjen e pasqyrave të llogarive të klientëve;
    • Pranimin dhe verifikimin e kërkesave për mbylljen e llogarive;
    • Mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira të punës me të gjithë klientët e BQK-së.

Do të shqyrtohet roli, detyrat dhe përgjegjësitë në kontekst të shërbimeve ndaj klientëve të BQK-së (hapja dhe administrimi i llogarive, inicimi dhe ekzekutimi i pagesave).

Personeli

  • Ky Departament aktualisht ka 12 persona të angazhuar, përfshirë drejtuesin e Departamentit.