bqk-amik_01-1024x768

Angazhimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në përfshirjen financiare të grave ndërmarrëse nuk është vetëm një objektiv, por është një investim në të ardhmen, ka deklaruar Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme, znj. Nesrin Shileku-Shala në konferencën “Qasja në financa për gratë ndërmarrëse”, e cila po bashkëorganizohet nga BQK-ja dhe Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.

Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala në fjalën përshëndetëse theksoi se, me një qasje të shumanshme ndaj përfshirjes financiare, BQK-ja po kontribuon një të ardhme më të ndritshme ekonomike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

bqk-amik_02-1024x768

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të mandatit të saj kushtetues e ligjor dhe përmes strategjisë së saj është e përkushtuar, që të avancojë kornizën rregullative dhe infrastrukturën  mbikëqyrëse me qëllim të harmonizimit me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së nismave që rritin qasjen në financa dhe qëndrueshmërinë”, theksoi Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala në këtë konferencë.  

Sipas Zëvendësguvernatores Shileku-Shala, arritja e përfshirjes financiare dhe qasjes në financa për gratë kërkon një përpjekje kolektive.

“Sektori financiar, sidomos bankat, institucionet mikrofinancaire por edhe institucionet financiare jobankare ofrojnë mundësi, si dhe produkte e shërbime të cilat ju dedikohen grave ndërmarrëse”, ka potencuar Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala.

bqk-amik_03-1024x768

“Gratë ndërmarrëse kanë nevojë për më shumë trajnime dhe aktivitete në këtë drejtim nga akterët e sektorit financiar dhe përtej. Kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave sa i përket edukimit dhe trajnimit për shërbimet dhe mundësitë financiare që do të rriste edhe portfoliot respektive të institucioneve financiare, si dhe do të kontribuonte pozitivisht edhe në shëndetin e përgjithshëm financiar të sektorit”, ka shtuar ajo.

Në këtë drejtim, njohuria financiare si gurthemeli i fuqizimit financiar, grave ndërmarrëse do t’ua mundësonte:

  • T’i kuptojnë më mirë produktet dhe shërbimet e ndryshme financiare që tashmë janë në dispozicion;
  • Të zhvillojnë plane të shëndosha biznesi dhe të menaxhojnë financat e tyre në mënyrë strategjike;
  • Të negociojnë në mënyrë efektive me institucionet kredituese; dhe
  • Të marrin vendime të informuara financiare për të siguruar suksesin afatgjatë të bizneseve të tyre.

Duke folur mbi adresimin e sfidave dhe pengesave që gratë ndërmarrëse përballen me bizneset e tyre, Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme vuri në pah se BQK-ja përmes programeve të Edukimit Financiar do të kontribuojë në informimin dhe edukimin e tyre.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të inkurajojë projekte inovative, kampanja dhe programe të dedikuara në kuadër të fushës së Edukimit Financiar, me qëllim që të kontribuohet në eliminimin e pengesave me të cilat përballen gratë ndërmarrëse çdo ditë në qasjen dhe përdorimin e shumëllojshmërisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të cilat ofrohen në tregun vendor. Kjo është në linjë me objektivin e 5-të të Planit Strategjik të BQK-së”, vuri në pah Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme e BQK-së.

bqk-amik_04-1024x768

Në fund, Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala tha se BQK-ja do të përkushtohet në mbledhjen dhe publikimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për qasjen në financa, të dhëna këto që do të ofrojnë njohuri të vlefshme për sfidat specifike me të cilat përballen gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës.

Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore botërore ndërgjegjësuese, e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila ka për qëllim që përmes aktiviteteve të informojë qytetarët që në moshë të hershme dhe gradualisht të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare dhe për të arritur mirëqenien dhe qëndrueshmërinë financiare.

Sivjet është edicioni i 12-të i Javës Ndërkombëtare të Parasë që organizohet nga BQK-ja dhe motoja për këtë vit është “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”, krahas bankave qendrore në mbarë botën.

Kumtesë për Shtyp Kumtesë për Shtyp