stmaboll-1024x681

[Stamboll, 12 Korrik 2024] – Zëvendësguvernatori i BQK-së z. Dardan Fusha, mori pjesë në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore të organizuara në Stamboll – Turqi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të shteteteve anëtare të Konstituencës si: Austria, Belgjika, Çekia, Hungaria, Kosova, Sllovakia, Sllovenia dhe Turqia.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në nivel global dhe në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), me fokus në ekonomitë e vendeve të Konstituencës, ku bën pjesë Kosova.
Me këtë rast, u diskutua edhe mbarëvajtja e programit të Kosovës me FMN-në, i cili u vlerësua pozitivisht për realizimin e suksesshëm të reformave, si dhe përfitimet konkrete nga instrumentet SBA dhe RSF, që janë pjesë e këtij programi.
Gjithashtu u diskutua lidhur me sfidat aktuale, mundësitë dhe zhvillimet pozitive në uljen e inflacionit, por edhe pasiguritë që vijnë nga tensionet gjeopolitike dhe ndikimi i mundshëm i tyre në fragmentimin e mëtejmë me impakt në tregti dhe në zinxhirin e furnizimeve.
Pjesë e punimeve ishin edhe aspekte të brendshme të organizimit dhe koordinimit të përfaqësimit në Konstituencë, të cilat u mbyllën me pajtim të plotë të anëtarëve.
Si konkluzion nga takimi doli rëndësia e ndërtimit të institucioneve stabile dhe të qëndrueshme, me fokus në një qeverisje efektive dhe me politikbërje të kujdesshme, që mundëson realizimin e reformave të nevojshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Njëkohësisht, duke vazhduar drejt tranzicionit për adaptimin e teknologjive të reja për rritje të produktivitetit dhe adaptimit të politikave për mbështetjen e financimit të qëndrueshëm.

Publikimi i statistikave për BQK-në (pasqyra dhe bilanci i gjendjes) qershor 2024 Vizitë e përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Bankën e Shqipërisë
Skip to content