BQK


Sipas kalendarit të publikimeve BQK publikoi statistikat e Bilancit të Pagesave (BP) për muajin shtator
:

https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore

Bilanci i pagesave deri në fund të shtatorit 2023 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 391.1 milionë euro i cili tregon një përmirësim prej 24% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (514.8 milionë euro ishte deficiti deri në shtator 2022). Në zvogëlimin e deficitit të llogarisë  rrjedhëse gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar pozitivisht kryesisht llogaria e shërbimeve dhe të ardhurat dytësore.

Bilanci tregtar në mallra deri në shtator 2023 kishte deficit në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8%  më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar  për 7.2% dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro (695.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2.6% duke arritur vlerën  3,935.6 milion euro (3,835.3 milion euro ishte deri në shtator 2022).

Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në shtator 2023 shënoi vlerën 1,328.1 që është për 15% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022  që ishte 1,158.1 milion euro.

Të ardhurat parësore deri në shtator 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 93.1 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerën 61.1 milionë euro. Kjo paraqet një rritje të theksuar apo rreth 52.4% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të ardhurat dytësore mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në shtator 2023 kjo llogari shënoi rritje prej 5.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, duke arritur vlerën  1,477.9 milion euro (1,405.9 milion euro ishte deri në shtator 2022).

Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në shtator 2023 shënoi 1,009.2 milion euro, që paraqet rritje prej 104.7 milionë euro ose 11.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Asetet në llogarinë financiare deri në shtator 2023 ishin  684.4 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar vlerën prej  790.7 milionë euro, për të njëjtën periudhë.

Investimet direkte në Kosovë deri në fund të shtator 2023 ishin 612.7 milionë euro (612.5 milionë euro deri në fund të shtatorit 2022), përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 161.2 milionë euro (121.2 milion euro deri në shtator 2022).

Investimet në letra me vlerë jashtë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në shtator 2023 janë rritur për 368.7 milionë euro.

Investimet tjera në Kosovë (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në fund të shtatorit  2023 ishin 177.9 milion euro (283.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022), përderisa investimet tjera jashtë Kosovës deri në fund të shtatorit 2023 ishin 3.4 milionë euro (74.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022).

Asetet rezervë deri në shtator 2023 janë rritur për 151.2 milion euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 366.2 milionë euro.

Publikimi i statistikave për BQK-në (pasqyra dhe bilanci i gjendjes) shtator 2023 Guvernatori i BQK-së priti në takim Ekipin e Finance in Motion GmbH – Fondi Evropian për Evropën Juglindore, Zyra në Kosovë