bqk_bilanci-pagesave_SHQ-1024x576

Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi statistikat e Bilancit të Pagesave (BP) për muajin mars 2024:

https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore

Bilanci i pagesave në tremujorin e parë 2024 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 295.81 milionë euro, i cili tregoi rritje prej 68.61 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kryesisht i ndikuar nga rritja e importit të mallrave dhe zbutur nga rritja e llogarisë dytësore.

Bilanci tregtar në mallra për tre muajt e parë të vitit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,050.67 milionë euro, i cili është për 11.53% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 212.31 milionë euro, duke paraqitur rënie vjetore për 2.09%, ndërsa importi i mallrave shënoi vlerën 1,262.98 milionë euro duke paraqitur rritje vjetore prej 8.98%.

Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në tremujorin e parë 2024 shënoi vlerën 261.89 milionë euro, e cila është për 1.10% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Të ardhurat parësore në periudhën janar-mars 2024 shënuan bilanc pozitiv prej 56.32 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerën 7.54 milionë euro. Rritja e kësaj kategorie është ndikuar pothuajse në të njëjtën peshë nga rritja e kompensimit të punonjësve dhe të ardhurat nga investimet.

Të ardhurave dytësore mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në mars 2024 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 436.65 milionë euro, e cila paraqet rënie prej 2.60% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave për tre muajt e parë të 2024 shënoi 281.02 milionë euro, e cila përfaqëson rritje prej 9.76 milionë euro ose 3.60% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Asetet në llogarinë financiare në tremujorin e parë të këtij viti kanë shënuar bilanc negativ për 32.74 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 171.16 milionë euro.

Investimet direkte në Kosovë deri në fund të marsit 2024 ishin 185.39 milionë euro, vlerë pothuajse e njëjtë me atë të vitit paraprak (189.58 milionë euro në TM1 2023), ndërsa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 39.71 milionë euro (49.14 milionë euro në TM1 2023).

Asetet rezervë deri në mars 2024 kanë arritur vlerën e përgjithshme në 1,162.0 miliardë euro. Vlera e aseteve rezervë në tremujorin e parë të vitit 2024 ka shënuar një zvogëlim prej 18.70 milionë euro, e ndikuar kryesisht nga maturimi i letrave me vlerë.

Rishikimi i 2-të i FMN-së i Marrëveshjes SBA dhe RSF: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës forcon kornizën rregullatore dhe agjendën e reformës institucionale – sistemi bankar mbetet i shëndoshë me tregues të mirë të qëndrueshmërisë financiare Guvernatori Ismaili priti në takim U.D. Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës
Skip to content