IMG_3893-1024x683

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), në mbledhjen e mbajtur më 3 maj 2024, miratoi Udhëzimin mbi Politikat dhe Procedurat për Menaxhimin Efektiv të Rrezikut të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (PPFT) gjatë ofrimit të shërbimeve financiare, i aplikueshëm për të gjitha institucionet financiare.

Ky Udhëzim përcakton politikat dhe procedurat që institucionet financiare duhet të vendosin për të menaxhuar në mënyrë efektive këto rreziqe, duke promovuar zgjerimin e përfshirjes financiare, konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit në sektorin financiar.

Institucionet financiare sipas këtij udhëzimi duhet të sigurojnë që zbatimi i këtyre politikave dhe procedurave nuk mund të rezultojë me refuzime apo ndërprerje grupore të marrëdhënieve kontraktuale/biznesore për kategori të caktuara të klientëve të cilët i vlerësojnë me rrezik të lartë për PPFT. BQK njeh përgjegjësinë dhe obligimin e institucioneve financiare në vlerësimin e rrezikut të klientëve të tyre, vlerësim që sipas këtij udhëzimi duhet të bëhet individualisht për profilin e secilit aplikues ose pranues të produkteve/shërbimeve financiare individualisht.

Refuzimi apo ndërprerja e marrëdhënies kontraktuale/biznesore nga institucionet financiare mbi bazën e rrezikut për kategori të caktuar të klientëve (sipas segmenteve, statusit ligjor, apo tjetër) pa vlerësuar profilin e rrezikut individual, konsiderohet veprim i pa justifikuar dhe tregues i menaxhimit jo efektiv të rrezikut nga PPFT. Kjo mund të kufizojë qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare si dhe reduktojë konkurrencën në sistemin financiar, prandaj edhe adresohet përmes këtij udhëzimi.

Gjithashtu, udhëzimi eviton praktikat e pashëndetshme të institucioneve financiare të cilat pamundësojnë qasjen e kategorive dhe subjekteve të caktuara në shërbime financiare pa një vlerësim adekuat të rrezikut të tyre individualisht dhe të mirë argumentuar, ndërsa promovon mbrojtjen e konsumatorëve dhe zgjerimin e përfshirjes financiare, për një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të sektorit financiar konkurrues.

BQK-ja në zbatim të mandatit të saj mbetet e përkushtuar që të sigurojë se standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare zbatohen drejtë dhe me saktësi. Prandaj, miratimi i këtij udhëzimi, të cilit i ka paraprirë Udhëzuesi për kujdesin e duhur dhe faktorët e rrezikut (i datës 29 Dhjetor 2023), ndihmon institucionet financiare të menaxhojnë në mënyrë efektive këto rreziqe gjatë ofrimit të shërbimeve financiare, ndërsa është edhe në funksion të zgjerimit të qasjes në financa, si dhe ruajtjes së integritetit dhe stabilitetit të sistemit financiar të vendit tonë.

Udhëzuesin e miratuar mund ta gjeni në faqen zyrtare të BQK-së:

Guvernatori Ismaili folës në panelin e Forumit Ndërkombëtar “Vienna Initiative” në Lituani, së bashku me guvernatorë të bankave qendore dhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare Guvernatori Ismaili merr pjesë në panel me rastin e inaugurimit të Vlerësimit të Parë Kreditor Sovran të Republikës së Kosovës
Skip to content