Foto-1-1-1024x572

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para mediave, zhvillimet në ekonomi dhe në sektorin financiar.

Në konferencën e fundvitit, Guvernatori Mehmeti ka thënë se me gjithë vështirësitë me të cilat është ballafaquar, BQK-ja ka arritur edhe këtë vit të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili këto vitet e fundit, arriti të përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia Covid 19 e tani edhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët, dhe me këtë edhe të ekonomisë së vendit.

Ai ka thënë se ekonomia e Kosovës e filloi vitin 2022 me një perspektivë mjaft të mirë, pasi vendi po kalonte nga një vit ku vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma reale e rritjes së Bruto Produktit Vendor në vitin 2021 ishte 10.75 përqind.

Megjithatë sipas Guvernatorit Mehmeti, gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale, si pasojë e luftës në Ukrainë që u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë.

“Sipas vlerësimeve të BQK-së, BPV-ja në 2022 pritet të shënoj rritje të ngadalësuar prej 3 deri në 4 përqind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht. Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, viti 2022 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, të cilat deri në fund të muajit tetor 2022 arritën në 1 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 përqind. Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator 2022 shënoi vlerën 4.15 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 24.6 përqind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 688.0 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 27.1 përqind. Në anën tjetër, eksporti i shërbimeve deri në shtator 2022 shënoi vlerën prej 2.05 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 32.8 përqind, që ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend. Me rritje u karakterizua edhe importi i shërbimeve që deri më shtator 2022 regjistroi vlerën prej 901 milionë euro”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Për sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2022 arriti në 567 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 395 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2021.

“Mesatarja e inflacionit deri në nëntor 2022 shënoi normën prej 11.5 përqind në krahasim me mesataren vjetore prej 3.4 përqind për vitin 2021. Ndërsa, norma e inflacionit vetëm për muajin nëntor 2021 ishte 11.5 përqind, gjë që tregon se po ballafaqohemi me një trend në rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Rritja e normës së inflacionit në Kosovë kryesisht reflekton rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat në Kosovë transmetohen përmes rritjes së çmimeve të mallrave të importuara. Sa i përket sistemit financiar, është shumë e rëndësishme të theksohet se Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem financiar të shëndoshë, i cili jo vetëm se u dëshmua i aftë të përballojë krizat e shkaktuara nga pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të marrë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte e mundur. Gjithsej mjetet e sistemit financiar, me 30 tetor 2022 ishin në vlerë prej 9.43 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 10.2 përqind”, ka thënë tutje Guvernatori Mehmeti.

Sektori bankar, si komponentë kryesore e sistemit financiar në vend, edhe këtë vit, po luan rol shumë të rëndësishëm në përkrahjen e ekonomisë së vendit duke vazhduar ritmin e rritjes së kreditimit dhe të ruaj shkallën e qëndrueshmërisë.

Deri në muajin tetor 2022, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.59 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13.6 përqind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar deri në shtator 2022 ishte 4.27 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 18.4 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Vlen të theksohet posaçërisht cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.0 përqind në tetor 2022. Mbulueshmëria e kredive joperformuese me provizione për humbje nga kreditë mbetet në nivel të lartë prej 151.2 përqind, që dëshmon për nivele adekuate të provizioneve në sektorin bankar. Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 6.46 miliardë euro në tetor 2022, e cila paraqet një rritje vjetore prej 12.4 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në tetor 2022, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 5.3 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 14.2 përqind. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 67.6 përqind në totalin e depozitave, e të cilat deri në tetor 2022 shënuan rritje vjetore prej 11.5 përqind”.

Norma mesatare e interesit në kredi në tetor 2022 shënoi 6.2 përqind, e cila është më e lartë në krahasim me normën prej 6.0 përqind të regjistruar në tetor 2021. Ndërkohë që norma mesatare e interesit në depozita, shënoi rritje nga 1.3 përqind sa ishte në tetor 2021 në 1.5 përqind në tetor 2022.

Treguesit e shëndetit financiar për sektorin bankar, vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjitha aspektet.

Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.8 përqind në fund të tetorit, që vazhdon të jetë dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind.

Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivel të lartë. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në korrik ishte 34.5 përqind, që është lartë mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 përqind.

Deri në muajin nëntor 2022 janë procesuar 15.8 milionë transaksione me vlerë totale mbi 14.7 miliardë euro. Krahasuar me transaksionet e vitit paraprak, vëllimi i transaksioneve është rritur për afër 21.6 përqind, kurse vlera e transaksioneve është zvogëluar për 3.5 përqind.

Rritje të theksuar gjatë këtij viti kemi edhe në numër të transaksioneve në POS, por edhe atyre në ATM të bankave, të cilat deri në nëntor 2022, kanë arritur në 23.5 milionë me një rritje prej 42.0 përqind, derisa numri i transaksioneve në ATM ishte 18.1 milionë apo rritje prej 7.7 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zhvillime pozitive kemi edhe te sektori i sigurimeve, ku asetet e këtij sektori në shtator 2022 shënuan vlerën prej 259.0 milionë euro, apo një rritje vjetore prej 10.0 përqind.

Edhe sektori pensional gjatë këtij viti u karakterizua me rritje, krahasuar me vitin paraprak. Vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional në shtator 2022  arriti në 2.3 miliardë euro krahasuar me 2.2 miliardë sa ishin në shtator 2021, që përkon me një rritje vjetore prej 4.2 përqind.

Sa i përket sektorit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, deri në tetor 2022, asetet e këtij sektori arritën vlerën prej 386.1 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 12.6 përqind. Gjithsej kreditë aktive të këtij sektori në tetor shënuan vlerën prej 276 milionë euro, apo rritje vjetore prej 18.4 përqind.

BQK-ja ka vazhduar angazhimin e saj edhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Deri në muajin nëntor të këtij viti, numri i ankesave të shqyrtuara nga ana e BQK-së ka arritur në 810 ankesa.

“Për sa i përket zhvillimeve të brendshme, BQK-ja edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj profesionale në të gjitha fushat e veprimit të saj. Përkundër situatës së krijuar dhe kushteve jo shumë të favorshme në tregjet ndërkombëtare, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe performancën e mirë të institucionit, duke gjeneruar rezultat financiar pozitiv. BQK-ja mbetet e përkushtuar që të vazhdojë aktivitetin e saj në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme financiare, në linjë me zhvillimet bashkëkohore në këtë fushë, duke përfshirë edhe zhvillimin e segmenteve të reja të sistemit financiar siç është tregu i kapitalit, i cili kërkon një bashkëveprim të gjerë ndërinstitucional”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Foto-3-1024x549

Fitorja në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj institucionit financiar Iute Credit, si pas tij, ka dëshmuar qartë se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë e vendimeve të saj, jo vetëm në raport me këtë institucion, mirëpo kundrejt secilit institucion që ushtron aktivitet financiar në vend. Gjatë viteve të fundit janë revokuar 14 licenca/regjistrime të institucioneve financiare dhe të gjitha rastet në gjykata kanë pasur epilog pozitiv për BQK-në.

Foto-4-1024x504

Në këtë konferencë është ndarë edhe çmimi tradicional për “Ekonomistë të Rinj”. Ku komisioni profesional ka vlerësuar tri punime më të mira nga studiues të rinj; studentja Njomza Jupa nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, studentja Anisë Murseli nga “Yale University” i SHBA-ve dhe studentja Rozafa Hajdari nga Universiteti “Haxhi Zeka“ në Pejë.

Foto-5-1024x566
Kumtesë për shtyp Vendimet e Bordit të BQK-së më 20 dhjetor 2022
Skip to content