Guvernatori Mehmeti mbajti konferencën përmbyllëse të mandatit të tij

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka mbajtur konferencën e fundit në postin e të parit të BQK-së.

Ai ka thënë se përkundër vështirësive me të cilat është ballafaquar, BQK-ja ka arritur të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, e sidomos në vitet e fundit, ku arriti të përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia Covid 19 e tani edhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët, dhe me këtë edhe të ekonomisë së vendit.

“Sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare, është karakterizuar me zhvillime pozitive dhe rritje të vazhdueshme në të gjithë indikatorët e saj. Nën udhëheqjen time si Guvernator, BQK-ja ka arritur të siguroj një sistem financiar të qëndrueshëm, stabil, të mirëkapitalizuar dhe likuid. Një qëndrim i ngjashëm lidhur me sistemin financiar në vend mund të evidentohet edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Raporti i Komisionit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shumë institucione tjera.

Gjithashtu, performanca e përgjithshme financiare e BQK-së gjatë kësaj periudhe, ka qenë shumë e kënaqshme, duke realizuar të ardhura gjithëpërfshirëse gjatë gjithë pesëvjeçarit të qeverisjes”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti mbajti konferencën përmbyllëse të mandatit të tij

Sektori bankar gjatë kësaj periudhe, ka shënuar rritje të vazhdueshme si në numrin e institucioneve e njëkohësisht edhe në rritje të aktivitetit të këtij sektori. Nga dhjetë banka sa ishin në fund vitit 2018 deri në tetor të vitit 2022, ky numër u rrit në dymbëdhjetë duke ju shtuar edhe dy institucione Financiare me aktivitet bankar.

Ky sektor nga tetori 2018 deri në vitin 2022, ka shënuar rritje, ku në fund të vitit 2022 arriti në 6.76 miliardë euro, nga 4.18 miliardë si ishin në fund të vitit 2018.

Rritja e aseteve të sektorit bankar rezultoi me rritjen e portofolit kreditor që në dhjetor të vitit 2022 arriti vlerën prej 4.35 miliardë eurove, nga 2.75 miliardë sa ishin në vitin 2018.

Sektori bankar gjatë gjithë kësaj periudhe, përkundër rritjes së vazhdueshme dyshifrore të kreditimit, ka vazhduar të jetë i mirë kapitalizuar dhe likuid. Raporti i likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të jetë i lartë dhe mbi kërkesat rregullative të BQK-së.

Përveç sektorit të bankave, edhe IMF-IFJB-të shënuan performancë stabile, ku në fund të vitit 2022 vlera e aseteve të këtij sektori ishte 387.7 milionë euro, një rritje prej 146.1 milionë euro, apo 60.5 përqind krahasuar me vitin 2018.

Rritja stabile dhe cilësore e kredive, konfirmohet edhe nga niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë që në fund të vitit 2022 ishte 1.8 përqind, më ulët krahasuar me vitin 2018 kur ishte 2.2%.

Në konferencën për media, Guvernatori ka përmendur vendimet për tërheqjen e licencave të institucioneve IuteCredit dhe Monego.

“Zhvillime tepër pozitive kemi pasur edhe te sektori i sigurimeve. Asetet e sektorit të sigurimeve, që përfaqësojnë rreth 3.0 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në fund të vitit 2022 shënuan vlerën prej 267.5 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 12.0 përqind, ndërsa gjatë periudhës pesë vjeçare kanë shënuar rritje prej 52.2 përqind. Primet bruto të shkruara nga kompanitë e sigurimit në fund të vitit 2022 shënuan vlerën prej 134 milionë euro, nga 92.1 milionë euro sa ishin në fund të vitit 2018, apo një rritje gjatë pesë viteve të fundit prej 45.5 përqind, përderisa dëmet e paguara shënuan vlerën mbi 64.3 milionë euro apo një rritje prej 49.9 përqind gjatë kësaj periudhe. Sikurse edhe jeni në dijeni, sektori i sigurimeve ka qenë një ndër sektorët më problematik, për të cilin, ma rastin e fillimit të mandatit kam vendosur që të filloj me ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të përmirësimit të gjendjes së këtij sektori. Nga 21.8 milion euro sa ishte mungesa e kapitalit në vitin 2018, bazuar në pasqyrat financiare të paadituara, me 31 dhjetor 2022 asnjë kompani e sigurimeve nuk është nën kërkesat për kapital. Ndërsa, mungesa e aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike nga 16.2 milion euro sa ishte me 31 dhjetor 2018, me 31 dhjetor 2022, të gjitha kompanitë janë brenda parametrave të kërkuar rregullativ. Nga gjithsej 12 sigurues Jo-Jetë sa operonin në Kosovë në vitin 2018, gjashtë prej tyre kishin mungesë të kapitalit dhe aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike. Si rezultat i masave të ndërmarra nga ana e BQK-së, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligjin për Sigurimet, gjatë kësaj periudhe 2018-2022 BQK-ja ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy siguruesve, përkatësisht kompanive të sigurimeve “Insig” dhe “Kosova e Re””, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Tutje Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se mbikëqyrja e përafërt dhe kërkesat e vazhdueshme për përmbushjen e kërkesave ligjore, ka rezultuar në injektim të vazhdueshëm të kapitalit nga sektori i sigurimeve në vend. Gjatë viteve 2019-2022, injektimi shtesë i kapitalit ishte në shumë prej 20.3 milionë euro.

Gjatë periudhës pesë vjeçare, Fondet Pensionale në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme, ku nga 1.65 miliardë euro sa ishin në fund të vitit 2017, deri në muajin dhjetor të vitit 2022 fondet pensionale kanë arritur në vlerën prej 2.42 miliardë euro.

“Është e rëndësishme të theksohet se përkundër tërheqjes së 10 përqind të fondeve pensionale gjatë vitit 2020, si rezultat i aprovimit të ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në vlerë rreth 200 milionë euro, fondet pensionale kanë vazhduar trendin rritës edhe gjatë viteve vijuese, përkatësisht gjatë vitit 2021 dhe 2022. Megjithatë, për shkak të lëvizjeve të pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, gjatë vitit 2022 sektori pensional shënoi rënie të kthimeve në investime, ku rënia e këtyre investimeve gjatë vitit 2022 ishte në vlerë rreth 120 milionë euro. Megjithatë, me përmirësimin e tregjeve financiare, vlerësohet se edhe rënia e vlerës së këtyre investimeve do të rikuperohet. Ndërkohë që kontributet e reja pensionale gjatë vitit 2022 shënuan vlerën prej rreth 242 milionë euro”.

Gjatë kësaj periudhe, BQK-ja ka vazhduar angazhimin e saj edhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, ku deri në nëntorin e vitit të kaluar janë shqyrtuar 810 ankesa. Ndërsa, angazhimi i BQK-së në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, qoftë përmes programeve të edukimit financiar, qoftë përmes masave korrektuese ndaj institucioneve financiare, ka qenë dhe do të mbetet prioritet i BQK-së edhe gjatë viteve të ardhshme.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar të gjithë stafin e BQK-së për punën dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave të tyre të punës gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu, ka falënderuar të gjitha mediat për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe efektiv të kultivuar gjatë pesë viteve të fundit dhe informimin e publikut rreth aktiviteteve të BQK-së, si dhe zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend.

Guvernatori Mehmeti takoi drejtorin ekzekutiv të FMN-së për Kosovë Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesën e KS “Kosova e Re”
Skip to content