bqk-be-paratefalse-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka takuar zyrtarët e lartë nga Zyra e Bashkimit Evropian, z. Johannes Stenbaek Madsen – Shef i Sektorit të Bashkëpunimit dhe znj. Paulina Stanoeva – Menaxhere e Programit, ku ndër të tjera u diskutua  lidhur me koordinimin e aktiviteteve në luftimin e parave të falsifikuara (monedha në denominimin 2 euro) dhe aspektet e ndërlidhura.

Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Dardan Fusha gjatë këtij takimi shpalosën aktivitetet e deritanishme të BQK-së si dhe shprehen gatishmërinë të zgjerojnë më tutje grupin ndërinstitucional edhe me përfaqësues nga misionet ndërkombëtare, në kuadër të masave afatshkurtra të parapara në plan.

Në takim është diskutuar dhe për aspektet me afatgjate të ndërtimit të kapaciteteve shtetërore në luftën dhe parandalimin e aktiviteteve të tilla të ngjashme të paligjshme, duke përfshirë mbështetjen e BQK-së me praktikat më të mira ndërkombëtare përmes mekanizmave dhe instrumenteve specifike të BE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Një përpjekje e tillë lidhet edhe me mundësinë për krijimin e Qendrës Kombëtare të Luftës Kundër Parandalimit të Falsifikimit të Parave dhe aktiviteteve tjera joligjore. Modalitetet do të trajtohen në takime të veçanta në nivel teknik dhe profesional.

Zyrtarët e lartë të BQK-së kanë bërë të ditur se në zbatim të këtij plani, BQK po ndërmerr dhe do të ndërmarrë në vazhdimësi veprimet e saj, në mënyrë të koordinuar dhe brenda fushëveprimit të saj. Kjo përfshin dhe nuk kufizohet në rishikimin e tarifës së depozitimit të monedhave në banka, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional edhe mes sektorit financiar, promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave dhe udhëzimeve tjera si pjesë e fushatave të edukimit financiar.

U diskutua edhe për planet e BQK-së për të avancuar sistemin e pagesave dhe digjitalizimin e tij, me fokus ndërlidhjen me Zonën e Vetme të Pagesave të Evropës dhe sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian, ku u kërkua edhe mbështetja e duhur si pjesë e nismave rajonale integruese.

Aspektet tjera të kufizimeve që kanë qytetarët e Kosovës ishin pjesë e diskutimit, përfshirë edhe Kartonin e Gjelbër, që lidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Në fund, BQK-ja dhe Zyra e BE-së janë pajtuar që të shtojnë shkëmbimin e përvojave dhe informacionit, si dhe të ketë takime sa më të shpeshta ndërmjet institucioneve për koordinim dhe mbështetje  të nevojshme në pajtim me objektivat e përbashkëta.

Guvernatori Ismaili pas anëtarësimit të BQK-së në Programin RAMP të Thesarit të Bankës Botërore: Kjo Marrëveshje shënon progres të rëndësishëm në marrëdhëniet tona institucionale Guvernatori Ismaili priti në takim Drejtorin për marrëdhënie ndërkombëtare të Autoritetit britanik të Mbikëqyrjes Financiare, Ruairi O’Connell
Skip to content