Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët dhe drejtorët e BQK-së, ka takuar z. Sebastién Clanet nga Departamenti i Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë vizitës së tij në BQK, z. Clanet u njoftua nga afër me progresin e bërë në rekomandimet e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), të dhëna në vitin 2019.

Në këtë takim, diskutimet u fokusuan në vlerësimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve, ndikimin e përgjithshëm të projektit të FSSR-së dhe identifikimin e fushave të mundshme të interesit të përbashkët për ngritjen e kapaciteteve në avancimin e kornizës institucionale të BQK-së, të paraqitura në Planin e saj Strategjik.

Guvernatori Ismaili përmendi reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit nga BQK-ja, duke theksuar përafrimin e tyre me objektivat dhe rekomandimet strategjike të FSSR-së. Ai përshkroi gjithashtu reformat në vazhdim dhe nevojën për asistencë teknike të zgjeruar nga FMN-ja, në përputhje me diskutimet e mbajtura gjatë Misionit të fundit të FMN-së.

Raporti i FSSR-së ofroi një udhërrëfyes pesë-vjeçar me rekomandime konkrete për forcimin e kornizës operative dhe rregullatore të BQK-së, duke përfshirë mbikëqyrjen bankare dhe atë të sigurimeve, TI-në dhe mbikëqyrjen e rrezikut kibernetik, instrumentet e stabilitetit financiar, qeverisjen korporative dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë.

Kjo vizitë nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së për BQK-në, pasi BQK-ja punon për të avancuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar të Kosovës.

Miratohen tri ligjet themelore për zhvillimin e sektorit financiar – avancohet rruga drejtë anëtarësimit të Republikës së Kosovës në SEPA Vendimet e Bordit të BQK-së më 25 prill 2019
Skip to content