BQK-KfW_01-1024x596

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili së bashku me ekipin e tij, priti në takim delegacionin e Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW), kryesuar nga znj. Hille Henerby nga Sektori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik për Evropë Juglindore dhe Turqi, nën shoqërimin e z. Moritz Reme – Drejtor i Zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit më të ngushtë mes dy institucioneve respektive.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi ekipin e KfW lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, aktivitetet aktuale të BQK-së, si dhe zotimet tjera sipas Planit Strategjik pesëvjeçar të BQK-së, duke theksuar edhe përkushtimin për agjendën Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG). Guvernatori Ismaili nënvizoi përpjekjet e BQK-së në mbështetje të financimit të gjelbër, drejt një sektori të qëndrueshëm financiar, si dhe integrimin e parimeve të ESG-së në operacionet e BQK-së.

Më tej, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për KfW dhe Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë, për mbështetjen e palëkundur në fusha të ndryshme. Në mënyrë të veçantë, Guvernatori Ismaili vlerësoi kontributet e KfW-së në projektet që kanë të bëjnë me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, Fondin Kosovar të Sigurimit të Depozitave, si dhe iniciativat e tjera që kanë për synim nxitjen e punësimit dhe aftësimit profesional në Republikën e Kosovës.

Diskutimi kryesisht është fokusuar në forcimin dhe zgjerimin e partneritetit për të lehtësuar nismat e reja. Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e tjera për të ndërmarrë projekte që përforcojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

Publikohen statistikat e bankave komerciale për mars 2024 Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i drejtuar nga Guvernatori Ismaili përfundon me sukses takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së në Washington D.C.
Skip to content