IMG_grek-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorë ka pritur në takim Udhëheqësen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Sh. S. Ambasadoren Heleni Vakali e shoqëruar nga zëvendësi i saj Z. Kranias.

Në këtë takim Guvernatori ka njoftuar Ambasadoren Vakali lidhur me sektorin financiar si dhe për aktivitetet e BQK-së në funksion të realizimit të objektivave dhe Planin Strategjik.

Temë e këtij takimi ishte mundësia e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Greqisë si dhe autoritetet tjera, në kuadër të bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nismave integruese, por edhe shkëmbimit të informacioneve dhe kapaciteteve në interes të të dy vendeve.

Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete, si dhe nevoja për të gjetur mundësitë për listimin e Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave, për të cilën u kërkua mbështetja edhe nga shteti Grek.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Ismaili ka njoftuar Ambasadoren Vakali lidhur me përgatitjet dhe punën që po bën BQK-ja në aspekt të kornizës ligjore dhe infrastrukturore për projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta të Bashkimit Evropian (TIPS).

Përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar me autoritetet e tyre mundësinë për të mbështetur BQK-në në realizimin e objektivave dhe planeve të institucionit më të lartë financiar në vend, si dhe nismat konkrete, të cilat ndihmojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, automjeteve dhe kapitalit.

Në fund, Guvernatori Ismaili shprehi mirënjohjen e institucionit që e drejton për përpjekjet dhe iniciativat e Greqisë përmes Ambasadores në mbështetje të ekonomisë në përgjithësi.

Guvernatori Ismaili zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së në Marakesh Fillon bashkëpunimi bilateral mes BQK-së dhe Bankës së Lituanisë në fushën e sigurisë së teknologjisë së informacionit
Skip to content