Guvernatori Ismaili shpalos kërkesat dhe pritjet nga industria e sigurimeve si zhvillimet e nevojshme dhe avancimin e shërbimeve për mbrojtje financiare ndaj policëmbajtësve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili priti në takim drejtuesit e kompanive të sigurimeve, ku diskutoi lidhur me zhvillimet, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të tregut të kësaj industrie.

Fokus në takim iu dha nevojës për rritjen e cilësisë, digjitalizimit të shërbimeve të sigurimit, mbulimit adekuat të dëmeve që rrjedhin nga policat e sigurimit me qëllim të ruajtjes së interesit të policëmbajtësve, si një ndër objektivat e BQK-së. 

Po ashtu, është diskutuar për  avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, qeverisjes korporative, ndërrimin e modelit të biznesit me fokus drejt ofrimit të produkteve vullnetare dhe inovative, si dhe praktikat e bërjes biznes që kanë për qëllim shërbimin e mirë ndaj qytetarëve.

Gjatë takimit është biseduar edhe për adresimin e çështjes së Kartonit të Gjelbër dhe modalitetet e mundshme për anëtarësim, çështja e kritereve të vlerësimit të dëmeve jomateriale, si dhe aspekte tjera.

Rritja e mbulimit të sigurimeve të kulturave bujqësore, katastrofave natyrore, sigurimeve tjera të punëve publike, u paraqiten si nevoja dhe mundësi për rritje të tregut dhe mbulimit financiar të rreziqeve të vendit.

Në kuadër të planeve të BQK-së për përfshirje financiare, u diskutua se do të stimulohen pagesat elektronike dhe kanalet alternative të shitjes së tyre.

Guvernatori Ismaili përcolli mesazhet kryesore dhe pritjet e BQK-së nga industria e sigurimeve, që lidhen me mënyrën e trajtimit të dëmeve dhe kërkesave për kompensim, me theks te sigurimi shëndetësor, si dhe garancitë e lëshuara, promovimin dhe shpalosjen e saktë dhe të plotë të kushteve dhe mbulesave siguruese, praktikat e transparencës, si dhe aspekte tjera.

Kjo ndërlidhet me planin e BQK-së për krijimin e një departamenti të mbikëqyrjes së praktikave të ofrimit të shërbimeve nga institucionet financiare, si dhe me fuqizimin e edukimit financiar, si mjet për të pasur një trajtim korrekt dhe të drejtë të kërkesave që rrjedhin nga shërbimet e tilla.

Në kuadër të autorizimeve ligjore për standardet e qeverisjes korporative, BQK-ja do të fuqizojë standardet e aprovimit të pozitave kyçe, kërkesat për licencim, kërkesat dhe cilësinë e kapitalit dhe aseteve në mbulim të provizioneve, trajtimit të kapitalit dhe shpërblimeve financiare, si dhe mënyrën e trajtimit të ankesave.

Si përfundim, BQK në parim do të mbështesë kërkesat e arsyeshme të industrisë për arritjen e qëllimeve të lartpërmendura dhe në funksion të objektivave të lartpërmendura, duke respektuar plotësisht kërkesat rregullatore dhe standardet ndërkombëtare që mundësojnë stabilitetit financiar dhe ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë.

Guvernatori Ismaili: Edukimi i vazhdueshëm profesional, cilësia e raportimit financiar dhe auditimit ndikon në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e sektorit privat Avancimi i operacioneve me para të gatshme të BQK-së në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Italisë
Skip to content