Guvernatori Ismaili

Edukimi i vazhdueshëm profesional, cilësia e raportimit financiar dhe auditimit ndikon në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e sektorit privat, është shprehur Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili.

Guvernatori Ismaili gjatë fjalës hyrëse në konferencën “Krijimi i vlerave – porta e së ardhmes”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), ka shtuar se BQK-ja është angazhuar që të ofrojë kornizë rregullative në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare, që lidhet me raportimin dhe auditimin e institucioneve financiare, si dhe miratimit të auditorëve të jashtëm.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit të saj për të licencuar, rregulluar dhe mbikëqyrur institucionet financiare në Republikën e Kosovës, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar është angazhuar që të ofrojë kornizë rregullative në harmoni me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për qëllim të raportimit dhe auditimit të institucioneve financiare, si dhe miratimit të auditorëve të jashtëm që auditojnë këto institucione”, është shprehur Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka shtuar se BQK-ja pret që të ketë pasqyra financiare të sakta dhe auditime sa më të cilësore në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të sektorit privat.

Guvernatori Ismaili

“BQK-ja bashkëpunon ngushtë me Këshillin Kosovar për Raportim Financiar për të promovuar ngritjen e cilësisë së funksioneve mbikëqyrëse dhe të raportimit financiar, ku sipas ligjit, ka edhe përfaqësuesin e saj në këtë Këshill dhe Bordin për Mbikëqyrjen Publike”, shtoi Guvernatori i BQK-së.

Sipas Guvernatorit Ismaili, BQK-ja është e përkushtuar për të forcuar përpjekjet për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës angazhohet në bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet tjera në nivel të vendit, të ndikojë në zvogëlimin e ekonomisë informale dhe ngritjes së një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimore afatgjate”, theksoi Guvernatori Ahmet Ismaili.

“Në kuadër të përkushtimit për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar ndaj rreziqeve të lidhura me klimën dhe mjedisin, do të angazhohemi në harmonizimin e kornizës rregullative me rregulloret dhe direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardeve të Bazelit, duke fuqizuar praktikat mbikëqyrëse”, ka potencuar Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka shprehur nevojën e bashkëpunimit të institucioneve përkatëse, gjë që ndërlidhet me sfidën e zbatimit të standardeve në industrinë financiare.

“Sfida si zbatimi i standardeve të reja për industrinë financiare, me fokus në atë te sigurimeve, siç është SNRF 17, shpërfaq nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve rregullatore, politikëbërëse, sektorit financiar, akademisë dhe organizatave profesionale. Aplikimi i Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar S1 dhe S2 mbi shpalosjen e informacioneve të entiteteve biznesore për menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe të ambientit, si dhe mundësive të investimit në funksion të ekonomisë së gjelbër, gjithashtu do ta kenë fokusin e BQK-së”, është shprehur Guvernatori Ismaili.

Gjatë kësaj konference, i pari i BQK-së ka kërkuar që të ruhet integriteti, etika dhe profesionalizmi, ashtu që të ketë pasqyra dhe auditime sa më të sakta në funksion të zhvillimit të sektorit privat dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi.

“Ne si BQK presim që të kemi pasqyra financiare të sakta dhe auditime më cilësore, në funksion të paraqitjes së drejtë të gjendjes reale të pasqyrave financiare të entiteteve biznesore, për të lehtësuar vendimmarrjen e drejtë, kreditimin nga bankat, ofrimin e produkteve të sigurimit dhe shërbimeve tjera financiare nga institucionet financiare me qëllim të zhvillimit të sektorit privat dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi”, ka kërkuar i pari i BQK-së.

Në fund, Guvernatori Ismaili ka përmendur faktin që BQK-ja është e angazhuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kontabilitetit dhe auditimit si vlerë e shtuar në sektor.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e angazhuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kontabilitetit dhe auditimit përmes trajnimeve dhe certifikimeve në institucionet e specializuara në këtë fushë. Kualifikimi dhe edukimi i vazhdueshëm profesional, përbën edhe orientim për BQK-në, si për personelin e saj, ashtu edhe për gjithë industrinë financiare. Andaj, rritja e kapaciteteve profesionale dhe sigurimi i cilësisë mbeten prioritetet tona, që ndihmojnë në arritjen e objektivave të BQK-së, por edhe zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca Guvernatori Ismaili shpalos kërkesat dhe pritjet nga industria e sigurimeve si zhvillimet e nevojshme dhe avancimin e shërbimeve për mbrojtje financiare ndaj policëmbajtësve
Skip to content