Kërcënimi kibernetik vazhdon të evoluojë dhe të bëhet më kompleks në mesin e digjitalizimit të vazhdueshëm, rritjes së varësive nga palët e treta dhe tensionet gjeopolitike, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar për të ruajtur stabilitetin e sistemit bankar dhe atë financiar në vend, duke adresuar me kujdes të shtuar aspektet e sigurisë dhe rreziqet që vijnë nga to.

Kështu ka thënë Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili në fjalën hyrëse të konferencës rajonale “Siguria kibernetike në industrinë bankare”, bashkorganizuar nga Shoqatat e Bankave të Kosovës dhe Shqipërisë, ngjarje e mbështetur nga EFSE dhe Bashkimi Evropian.

Guvernatori Ismaili theksoi se forcimi i sigurisë kibernetike në sektorin financiar është një prioritet i lartë dhe lidhet me stabilitetin financiar të vendit.

“Kërcënimi kibernetik vazhdon të evoluojë dhe të bëhet më kompleks në mesin e digjitalizimit të vazhdueshëm, rritjes së varësive nga palët e treta dhe tensionet gjeopolitike. Andaj, forcimi i sigurisë kibernetike në sektorin financiar është një prioritet që lidhet për stabilitetin financiar dhe jo vetëm. Ndikimi i tij shkon deri te siguria kombëtare”, ka thënë Guvernatori Ismaili.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit ruan shëndetin e sistemit bankar dhe atë financiar në përgjithësi, i njeh dhe adreson me kujdes të shtuar aspektet e sigurisë kibernetike dhe rreziqet që vijnë nga to. BQK-ja njeh rëndësinë kritike të sistemeve të informacionit dhe sigurisë kibernetike në sektorin financiar, si dhe nevojën për masat mbrojtëse proaktive për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin e institucioneve financiare”, shtoi Guvernatori Ismaili.

Sipas Guvernatorit Ismaili, BQK-ja është e zotuar të ngritë dhe avancojë kapacitet infrastrukturore dhe burimet njerëzore që lidhen me mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjisë informative, veçanërisht ato kibernetike.

“Do të investohet në ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore për të siguruar që sistemet, pajisjet, njohuritë, aftësitë dhe mjetet e personelit të mbeten relevante dhe efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit. Forcimi i kapaciteteve të brendshme, do të bëhet bazuar në mbështetje të dakorduar përmes asistencës teknike nga ekipi i specializuar i Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e kornizës strategjike, politikave dhe procedurave sipas standardeve më të mira botërore”, potencoi Guvernatori Ismaili.

Në këtë konferencë, i pari i BQK-së tha se pret që industria financiare, veçanërisht ajo bankare të adresojnë rrezikun kibernetik përmes strategjive, politikave dhe procedurave specifike, po ashtu të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të partnerëve, kontraktorëve dhe klientëve, duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike.

“Bankat dhe institucionet financiare duhet të kenë parasysh faktorët që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme, si dhe të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të kontraktorëve, partnerëve dhe klientëve, përmes mekanizmave adekuat të vëzhgimit dhe kujdesit, duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike”, shtoi i pari i BQK-së.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili tha se Republika e Kosovës ka kapacitete të zhvilluara në aspektin shtetëror, por se kujdesi ndaj klientit dhe edukimit financiar luan rol të rëndësishëm në përcjelljen e mesazheve te të gjithë qytetarët.

“Republika e Kosovës ka kapacitete të zhvilluara në aspekt shtetëror, ku edhe sektori financiar ka profesionistë të duhur për të arritur këtë qëllim. Edukimi financiar luan rol të rëndësishëm që këto mesazhe t’u përcillen të gjithë qytetarëve që të kenë kujdesin e duhur gjatë përdorimit të shërbimeve financiare në vend. Ky duhet të jetë objektiv i përbashkët”, tha Guvernatori Ismaili.

Po ashtu, Guvernatori i BQK-së kërkoi që adresimi i rreziqeve kibernetike të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, por edhe institucione dhe autoritete përgjegjëse rajonale e ndërkombëtare.

“Njëkohësisht edhe në aspektin ndërkombëtar e rajonal, me institucionet ndërkombëtare, rregullatorët e vendeve të rajonit, institucionet tjera, me qëllim të koordinimit dhe një platforme sa më të qëndrueshme për t’i bërë ballë me sukses këtyre rreziqeve dhe për të arritur objektivat tona”, kërkoi Guvernatori Ismaili.

Në fund, Guvernatori Ismaili tha se BQK-ja mbetet e përkushtuar për t’u koordinuar me rregullatorët, institucionet shtetërore dhe institucionet financiare në Kosovë.

“BQK-ja mbetet e përkushtuar për t’u koordinuar dhe ndarë informacionet me rregullatorët e tjerë, autoritetet publike përkatëse sikurse janë ato të sigurisë kombëtare, për mbrojtjen e të dhënave, për mbrojtjen e konsumatorëve, konkurrencën dhe të tjera”, përfundoi Guvernatori Ismaili.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës jep udhëzime shtesë për kujdes të shtuar nga monedhat e falsifikuara në qarkullim Vendimet e Bordit të BQK-së më 29 nëntor 2023
Skip to content