Guvernatori Ismaili

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili në fjalën hyrëse të konferencës “Bankat, fintekët dhe bizneset: Ndërtimi i sinergjive për përshpejtimin e qasjes në financa”, bashkëorganizuar USAID nga BQK-ja, theksoi se institucioni më i lartë financiar në vend është duke zhvilluar projekte në funksion të qasjes në financa, rritjes së konkurrueshmërisë, alternativave dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Ai theksoi se BQK-ja është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave, në drejtim të harmonizimit me legjislacionin e BE-së, si pjesë të Planit Strategjik dhe objektivave të reja të vendosura.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit ligjor dhe përmes strategjisë së saj është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave, në drejtim të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, PFMI dhe standardet tjera ndërkombëtare në funksion të anëtarësimit në SEPA dhe sistemet e pagesave të BE-së”, u shpreh Guvernatori Ismaili.

Guvernatorit Ismaili thekoi se anëtarësimi në TIPS dhe skemën SEPA mbetet objektiv strategjik i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili do të lehtësonte tregtinë dhe forconte stabilitetin e sistemit financiar, ku në këtë mënyrë do të kontribuonte ndjeshëm në një sistem inovativ, efikas dhe të integruar të pagesave.

Në këtë konferencë, ai vuri në pah se avancimi i shërbimeve financiare drejt transformimit të pagesave elektronike, kontribuon në rritjen e konkurrencës dhe zvogëlimin e informalitetit në vend. Për këtë, BQK ka plane konkrete dhe është plotësisht e angazhuar ne këtë drejtim.

“Avancimi i shërbimeve financiare drejt transformimit të pagesave elektronike (jo në para të gatshme) dhe produktet alternative të financimit do të kontribuojnë në gjithëpërfshirjen financiare, rritjen e konkurrencës dhe uljen e kostos, zvogëlimin e informalitetit dhe rritjen e efektivitetit, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve nga institucionet financiare, si dhe integrimin e qytetarëve tanë dhe bizneseve me rajonin dhe vendet e BE-së”, vuri në pah Guvernatori Ismaili.

Gjithashtu, i pari i BQK-së theksoi se do të investohet në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore.

“Duke investuar në këtë drejtim, do të sigurohemi se sistemet, pajisjet, njohuritë, aftësitë dhe mjetet e personelit mundësojnë transforimimin dhe janë relevante dhe efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit”, theksoi i pari i BQK-së.

Tutje, Guvernatorit Ismaili njoftoi se BQK-ja është e angazhuar në avokimin për shtimin e Republikës së Kosovës në platformat ndërkombëtare të pagesave, për mundësimin e qasjes në platformat ndërkombëtare të pagesave (Paypal, Apple Pay, Google Pay, Samsung Pay, etj.) për mbështetje të e-commerce dhe të zhvillojë infrastrukturën teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimin e QR Kodit kombëtar dhe standardizimin e API për ndërlidhjen e sistemeve”, tha Guvernatorti Ismaili në fjalimin e tij.

Megjithatë, zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimi sjell edhe rreziqet shtesë, të cilat kërkojnë adresim dhe shumë kujdes. Lidhur me këtë, BQK-ja ka planifikuar edhe krijimin e funksionit të veçantë për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit apo rrezikut kibernetik. si dhe fuqizimin e edukimit financiar, si mjet për të pasur një trajtim korrekt dhe të drejtë të kërkesave që rrjedhin nga këto shërbime.

“BQK-ja do të trajtojë me kujdes edhe rreziqet që paraqiten sikurse janë rreziku strategjik, reputacional, operacional, kibernetik dhe rreziku i pajtueshmërisë dhe do të punojë ngushtë edhe me institucionet akademike në realizimin e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore lidhur me fushën e qasjes në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare”, potencoi i pari i BQK-së.

Gjatë këtij fjalimi, Guvernatori Ismaili kërkoi që institucionet financiare bankare dhe jobankare duhet të adresojnë rrezikun kibernetik dhe të investojnë në infrastrukturë e të kenë personel të mjaftueshëm të kualifikuar për të monitoruar dhe mbikëqyrur aktivitetet e tyre të kontraktuara nga palët e treta.

“Këto institucione duhet të kenë parasysh faktorët që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme, si dhe të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve te klientëve, përmes mekanizmave te vëzhgimit (Investor’s Screening Mechanism), duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike”, kërkoi Guvernatori Ismaili.

Në fund, Guvernatori Ismaili nënvizoi rëndësinë e projektit të USAID-it, duke shtuar se ai është një mjet i rëndësishëm për të arritur realizimin e objektivit dhe Planit Strategjik të BQK-së.

“BQK-ja e konsideron se projekti i USAID-it për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa është një aktivitet i rëndësishëm qe kontribuon në realizimin e objektivave dhe Planit Strategjik të saj, ndaj përmes prezencës sot konfirmon gatishmërinë dhe mbështetjen në arritjen e qëllimeve sa zhvillimore ashtu edhe të cilësisë dhe shërbimeve financiare me përfshirje të gjerë”, përfundoi Guvernatori Ismaili.

Ndërsa, në emër të bashkëorganizatorit në fjalën e tij hyrëse, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, z. Alexander Albertine tregoi se përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa po punohet që të sigurohet që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar.

“USAID-i përmes aktivitetit për Promovim të Investimeve dhe Qasjes në Financa është i përkushtuar që të sigurojë që Kosova të shfrytëzojë plotësisht ekosistemin e saj financiar. Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Kosovës e dëshmon këtë përkushtim. Ne po vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjitha palët e interesuara për të inkurajuar futjen e zgjidhjeve dhe teknologjive inovative midis bankave dhe fintekëve, duke përmirësuar kështu ekosistemin e përgjithshëm financiar”, theksoi z. Albertine.

Guvernatori Ismaili shpalos pritjet dhe kërkesat nga institucionet financiare jobankare Guvernatori i BQK-së z. Ismaili takoi Udhëheqësin e Zyrës për Kosovë dhe Maqedoni Veriore të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), z. Perani
Skip to content