Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filloi realizimi i një mase bilaterale me Bankën Qendrore të Lituanisë (Lietuvos bankas). Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar në rishikimin e funksionit të sigurisë së teknologjisë së informacionit në BQK, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Bankës Qendrore të Lituanisë (Lietuvos bankas) në BQK, si dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në këtë Bankë Qendrore. Kjo masë bilaterale do të zgjasë deri në muajin janar të vitit të ardhshëm. Ajo është e dizajnuar për ta ndihmuar BQK-në në vlerësimin dhe forcimin e aspekteve të përgjithshme dhe teknike të sigurisë së teknologjisë së informacionit. Sikurse edhe komponentët e tjerë të kësaj faze të programit edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), ku me rastin e nisjes së kësaj mase bilaterale të pranishëm në BQK ishin edhe kryesuesi dhe sekretari i Komitetit Drejtues të Programit, përkatësisht z. Martin Dinkleborg dhe z. Peter Spicka.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale do të kontribuohet në zhvillimin e sferës së sigurisë së teknologjisë së informacionit në BQK, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat bashkëkohore evropiane. Zhvillimi i kësaj sfere është me rëndësi kritike për mbarëvajtjen e kryerjes së detyrave të BQK-së.
Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lancua në shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet. Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

Guvernatori Ismaili takoi Ambasadoren Sh. S. Znj. Vakali Guvernatori Ismaili për projektin e financimit dhe sigurimeve bujqësore: Ekziston potencial i madh për mbështetje nga industria financiare për kreditimin dhe sigurimin e sektorit të bujqësisë, mbështetjes financiare, zbutjes së rreziqeve dhe rritjes së qëndrueshmërisë
Skip to content