Delegacioni i lartë i BQK-së përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga U.D Guvernatori, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi Jashari, U.D Zëvendësguvernatore për Operacione Bankare kanë përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që u mbajtën në Uashington të SHBA-ve.

Gjatë kësaj vizite zyrtare Delegacioni i BQK-së përveç pjesëmarrjes në tryeza  të parapara sipas Agjendës së vizitës  ka zhvilluar shumë takime me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombetar, të Bankës  Botërore, si dhe me homolog të bankave qendrore të vendeve të ndryshme. Delegacioni është  takuar me drejtorin për Evropë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm mes BQK-së dhe FMN-së, si dhe projektet që janë në zhvillim e sipër.

U.D Guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja, ka falënderuar FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndër vite që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në avancimin e saj në të gjitha fushat që i mbulon.

Gjatë pjesëmarrjes në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së, delegacioni i lartë i BQK-së ka marrë pjesë në grupin e punës për marrëveshjen e re të konstituencës.

Gjithnjë sipas Agjendës së pjesëmarrjes në kuadër të takimeve pranverore, delegacioni i BQK-së së ka takuar edhe zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Bo Li.

Në kuadër të këtyre takimeve, është diskutuar për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.

Takimet vjetore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.

Kumtesë për shtyp – 18.04.2023 Publikohen statistikat financiare për institucionet tjera financiare (jobanka) dhe remitancat për muajin janar 2024
Skip to content