BQK zhvillon bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të BE-së në fushën e vlerësimeve aktuare në mbikëqyrje të sigurimeve

Në kuadër të Fazës së II-të të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filloi realizimi i një mase bilaterale me Agjencinë Kroate të Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare. 

Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar në vlerësimin e mbikëqyrjes aktuare në kuadër të funksionit të mbikëqyrjes së sigurimeve në BQK, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Agjencisë Kroate të Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare në BQK, si dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në këtë agjenci. 

Kjo masë bilaterale do të zgjasë deri në muajin shtator të këtij viti, si dhe do të përfshijë ndarjen e informacionit mbi gjendjen dhe zhvillimet bashkëkohore në tregun kroat të sigurimeve dhe bartjen e përvojave të autoritetit kroat të sigurimeve. 

Sikurse komponentët e tjerë të kësaj faze të programit edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).

BQK pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale, do të kontribuohet në masë të konsiderueshme në zhvillimin e veprimtarisë së saj të mbikëqyrjes aktuare të siguruesve, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve të BE-së. 

Zhvillimi i funksionit të mbikëqyrjes së sigurimeve mbetet orientim strategjik i BQK-së për nxitjen dhe mbajtjen e stabilitetit të sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Faza e II-të e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 21 shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet.

Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

Publikohen statistikat e bankave komerciale për shkurt 2024 Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpall konkurs për videon më të mirë me titull: “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”
Skip to content