Banka Qendrore e Gjermanisë – Deutsche Bundesbank së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Bankën Qendrore Evropiane kanë nisur sot një program të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), nga i cili do të përfitojnë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bankat qendrore dhe autoritetet e mbikëqyrjes bankare nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.  

Qëllimi i programit është të forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve që janë përfitueset e fundit, në veçanti duke avancuar më tej mjetet e tyre për analiza dhe politika, si dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.  

BE-ja ka ndarë 2 milionë euro për këtë program nga Instrumenti për Ndihmën e Paraanëtarësimit (IPA II).

“Me këtë iniciativë të përbashkët, komuniteti bankar qendror në BE qëndron i gatshëm që t’i mbështesë kolegët tanë në Ballkanin Perëndimor në përpjekjet e tyre për t’i futur në zbatim standardet më të larta, për të mirën e vendeve dhe njerëzve të tyre”, tha Menaxheri i Programit nga Deutsche Bundesbank, Martin Dinkelborg, me rastin e takimit të parë të Komitetit Drejtues të Programit. 

Drejtoresha e Departamentit të Analizës dhe Hulumtimit Ekonomik e Bankës Qendrore të Austrisë, Doris Ritzberger-Grünwald, theksoi rëndësinë e programit rajonal për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të rajonit.  

Po ashtu, ajo e mirëpriti qasjen kolaborative të ndërmarrë nga 18 bankat qendrore kombëtare të vendeve të BE-së dhe BQE-ja, të cilat po kontribuojnë në program.  

“Programi synon përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe në një perspektivë më afatgjate, mbështetjen e institucioneve të rajonit për anëtarësimin eventual në BE, në këtë rast në SEBQ”, tha Andreas Papadopoulos, Këshilltar për Qeverisjen Ekonomike në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit. 

Gjatë 24 muajve të ardhshëm, Deutsche Bundesbank së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare që po marrin pjesë dhe me kontribuimin e BQE-së, do të organizojnë një program intenziv rajonal të trajnimit mbi çështjet kyçe të bankingut qendror dhe mbikëqyrjes, i cili do të përbëhet nga 20 aktivitete trajnimi me kapacitet deri në 360 vende trajnimi.  

Trajnimi do të fokusohet veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve financiarë dhe përfshirjes financiare, rimëkëmbjes dhe përmbylljes, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, pajtueshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit, si dhe auditimit të brendshëm.  

Ai do të realizohet nga ekspertët e bankave qendrore kombëtare të SEBQ-së dhe BQE-së.  

Po ashtu do të realizohen edhe dy punëtori të politikave për vendimmarrësit lidhur me përmbylljen e kredive joperformuese dhe çështjet e qeverisjes.  

Së fundi, por jo më pak me rëndësi, krahas aktiviteteve të trajnimit rajonal, programi do të financojë zbatimin e masave specifike dypalëshe që do të përcaktohen në mbledhjet e Komitetit Drejtues të Programit. 

Programi është duke u zbatuar nga Deutsche Bundesbank në partneritet me bankat qendrore të Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Greqisë, Spanjës, Francës, Kroacisë, Italisë, Lituanisë, Hungarisë, Holandës, Austrisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Banka Qendrore Evropiane do të kontribuojë në zbatimin e projektit.

Vendimet e Bordit të BQK-së më 29 maj 2020 Banka Qendrore dhe Ministria e Financave diskutojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike me drejtuesit e bankave
Skip to content