BQK

Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 27 dhjetor 2023, miratoi Rregulloren për Operacionet me Para të Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Qëllimi i kësaj Rregullore është të avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme, duke përfshirë kontrollin e sasisë se parasë në qarkullim, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar, luftën ndaj parasë së falsifikuar, mbrojtjen e konsumatorit, luftën ndaj aktiviteteve të shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit, si dhe adresimin e çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e BQK-së.

Subjekte të fushëveprimit të kësaj Rregullore janë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bankat, degët e bankave të huaja dhe institucionet e tjera financiare, të licencuara për të ushtruar veprimtari bankare dhe/ose financiare në Republikën e Kosovës.

Rregullorja më specifikisht, përveç tjerash, adreson çështjet në vijim:  

  • Procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara;
  • Kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara;
  • Standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe riqarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro;
  • Standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës;
  • Kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme;
  • Rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës; dhe
  • Procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

Kjo rregullore përcakton përveç tjerash obligon që:

  • Institucionet financiare bankare dhe jobankare obligohen që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 eurosh. Kjo nuk ndalon qarkullimin ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës, mirëpo e njëjta nuk rikthehet në qarkullim nga institucionet financiare kur pranohet nga klientët;
  • Importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jobankare të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare; dhe
  • Me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga vlera monetare.

Gjithashtu, kjo Rregullore precizon se asnjë person fizik apo juridik nuk mund të:

  • Ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Institucionet financiare jobankare duhet të aplikojnë për pajisjen me licencë dhe autorizim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për ofrimin e këtij shërbimi, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kësaj Rregulloreje; dhe
  • Importojë dhe pajisen me makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave nëse nuk është i licencuar si institucion financiar për ofrim të aktiviteteve bankare apo institucion financiar jobankar me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj.

Rregullorja e plotë:

https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2024/10/Rregullore-per-operacionet-me-para-2023.pdf

Vendimet e bordit të BQK-së më 10 gusht 2023 Guvernatori i Bankës së Shqiperisë z.Gent Sejko uron z.Ahmet Ismailin me rastin e zgjedhjes në pozitën e Guvernatorit të BQK-së
Skip to content