Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të angazhimit të saj për Edukimin Financiar ka lansuar sot në fazë testuese Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare. Faza e testimit do të zgjasë për një kohë të caktuar, derisa merren komente dhe finalizohet legjislacioni përkatës.

Platformë ka për qëllim të ofrojë transparencë më të madhe në tregun financiar, duke ndihmuar qytetarët të marrin informacione të detajuara mbi normat e interesit dhe tarifat për produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare të ofruara nga institucionet financiare për individ. Platforma u mundëson qytetarëve të krahasojnë ofertat e ndryshme të sektorit bankar për produktet e njëjta për të bërë zgjedhjen më të përshtatshme sipas nevojave të tyre.

Qëllimi i Platformës është të mbështesë Edukimin Financiar, të rrisë transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe të avancojë qasjen në financa për qytetaret në vend.

Në këtë fazë në Platformë janë shpalosur produktet dhe shërbimet më të përdorura financiare për individ në sektorin bankar, megjithatë planifikohet që të zhvillohet dhe plotësohet me informata shtesë për sektorin bankar, si pjesa e pagesave – transferëve bankare, pastaj me produkte për institucionet mikrofinanciare, institucionet financiare jo-bankare dhe produkte të kompanive të Sigurimeve.

Institucionet financiare do të jenë përgjegjëse për saktësinë, përditësimin dhe vërtetësinë e të dhënave të paraqitura, pas përfundimit te fazës testuese.

Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare është një web aplikacion, i cili është i disponueshëm në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Konsumatorët mund ta përdorin atë lehtësisht pavarësisht nga pajisja e përdorur, si desktop, laptop, telefona të mençur dhe tablet.

Kjo platformë është e qasshme përmes web faqes zyrtare të BQK-së në www.bqk-kos.org, tek pjesa e portaleve të BQK-së, apo drejtpërdrejt në https://krahaso.bqk-kos.org. Qytetarët mund të mësojnë më shumë mbi funksionalitetet e saj përmes materialeve udhëzuese dhe videove të publikuara në faqen zyrtare të Edukimit Financiar të BQK-së, përkatësisht në linkun https://bqk-kos.org/edu/.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e projekteve që rrisin edukimin financiar dhe mbështesin interesat e qytetarëve për një qasje më të lehtë dhe transparente në tregun financiar.

Realizimi i Platformës është mundësuar me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), zyra në Kosovë, të cilët kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në shumicën e projekteve dhe iniciativave të Edukimit Financiar. EFSE synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Evropën Juglindore dhe Rajonin Fqinjë të Evropës Lindore. Për më shumë informacion mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) ju lutemi vizitoni www.efse.lu/ dhe për Finance in Motion GmbH vizitojeni www.finance-in-motion.com.

Guvernatori Ismaili shpalos para mediave dhe gazetarëve Prezantimin Vjetor për vitin 2024
Skip to content