Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve në Kosovë dhe për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre në Kosovë, i përbërë nga Guvernatori i BQK-së, Auditorja e Përgjithshme dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, i propozoi Kuvendit për emërim dy (2) kandidatë për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së.

Për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve, kanë aplikuar 13 kandidatë, prej të cilëve 6 kandidatë i janë nënshtruar intervistës. Edhe për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre, kanë aplikuar 13 kandidatë, prej të cilëve 6 kandidatë i janë nënshtruar intervistës.

Prandaj, Komisioni bazuar në intervistimin e kandidatëve dhe kryerjes së verifikimeve të nevojshme, unanimisht vendosi që, konform Ligjit për Fondet Pensionale, dy kandidatët e vlerësuar me më së shumti pikë të procedohen tek Kuvendi për emërim për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së:

  • për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre propozohet: kandidati Ali Vitija, i vlerësuar me më së shumti pikë nga intervistimi (22.3 pikë nga 30 pikë)
  • për pozitën anëtar me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve propozohet: kandidati Arsim Bruçaj, i vlerësuar me më së shumti pikë nga intervistimi (24.7 pikë nga 30 pikë).

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 korrik 2024, u njoftua me:
• Raportin Mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv,
• Raportin përmbledhës nga takimi i Komitetit të Auditimit, të mbajtur më 18 korrik 2024,
• Raportin mbi aktivitetet e Auditimit të Brendshëm për periudhën janar-qershor 2024, dhe
• Raportin Informues mbi zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së.

bqk_jobanka_072024_SHQ_v2-1024x576

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve ka publikuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin korrik 2024.

Ndërmjetësit tjerë financiarë

Asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit korrik 2024 kanë arritur vlerën e 590.08 milionë euro, duke shënuar rritje për 6.42 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Struktura e aseteve të këtyre institucioneve dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 68.64% të gjithsej aseteve. Kreditë bruto të ndërmjetësve tjerë financiarë në korrik 2024 arritën vlerën e 405.00 milionë euro, e cila përfaqëson rritje për 8.52 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake. Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 59.66% në gjithsej  kreditë e ndërmjetësve tjerë financiar.

Vlera e kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin korrik 2024 ishte 43.97 milionë euro.

Kompanitë e sigurimeve

Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit korrik 2024 arritën vlerën e 331.44 milionë eurove, e cila përfaqëson rritje për 1.36 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale, që përbëjnë 44.63%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 27.79% dhe risigurimet me pjesëmarrje 15.98%.

Fondet pensionale

Asetet e fondeve pensionale në fund të muajit korrik 2024 kanë arritur vlerën e 3.00 miliardë euro. Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbëjnë 76.91% të gjithsej aseteve.

Për më gjerësisht publikimin mund ta gjeni në adresën:

https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 gusht 2024, mori vendimet si në vijim:

  • Vendim për miratimin e Pasqyrave Financiare të BQK-së për tremujorin e dytë 2024.
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores për Auditorët e Jashtëm të IMF-ve;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Plotësimin dhe Ndryshimin e Rregullores për Auditorët e Jashtëm të IFJB-ve;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Regjistrin e Llogarive.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me:

  • Raportin Mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv;

Raportin Përmbledhës nga takimi i Komitetit për Qeverisje, Etikë dhe Burime Njerëzore, të mbajtur me 22 korrik 2024.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator 2024, u njoftua me:

  1. Raportin Mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv;
  2. Raportin Përmbledhës nga takimi i Komitetit të Auditimit, të mbajtur me 11 shtator 2024;
  3. Deklaratën e Apetitit të Rrezikut të Bankës Qendrore;
  4. Aktivitetet në funksion të zbatimit të IFRS 17 dhe Solvencës 2 në sektorin e sigurimeve;
  5. Aktivitetet në funksion të zbatimit të metodologjisë së vlerësimit të bankave (ang.SREP).

banka-qendrore-e-kosoves-1

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit, i cili do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.

Qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave. Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve.

Adoptimi i këtij standardi është pjesë e aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra në fushën e pagesave, në kuadër të strategjisë së BQK-së për ndërtimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës për pagesat me vlerë të vogël. Kjo përfshin edhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullative si dhe modernizimin e infrastrukturës, me qëllim sigurimin e një sistemi të sigurt, efikas dhe konkurrues për pagesat në vend.

BQK ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta. Ky standard pritet të përdoret gjithashtu nga vendet e rajonit në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime, si:

  • Për qytetarët: metodë e shpejtë dhe e përshtatshme për kryerjen e pagesave, duke skanuar QR kodet me pajisje digjitale. Kjo redukton gabimet në detajet e pagesës dhe përshpejton procesin, duke ndihmuar gjithashtu në menaxhimin më të mirë të financave personale.
  • Për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve: ju mundëson ofrimin për klientët e tyre, një mënyrë të thjeshtë për të kryer pagesa përmes QR kodit standard, pavarësisht nga ofruesi i shërbimeve të pagesave. Kjo mundëson përpunimin automatik dhe të sigurt të pagesave, duke thjeshtuar gjithashtu proceset për barazimin e llogarive dhe çështjet e pajtueshmërisë.
  • Për ofruesit e shërbimeve të pagesave: bankat dhe ofruesit tjerë të pagesave kanë mundësi të integrojnë lehtësisht këtë standard në aplikacionet e tyre, duke reduktuar pengesat teknike. Standardizimi lehtëson gjithashtu identifikimin e transaksioneve të dyshimta.
  • Për institucionet publike: digjitalizimi i shërbimeve dhe qartësia në lidhje me pagesat e pranuara do të jenë përfitime të rëndësishme. Pagesat mund të kategorizohen sipas qëllimit të tyre (taksa, tarifa, gjoba, etj.), duke thjeshtuar procedurat për realizimin e pagesave në distancë përmes platformave si e-Kosova apo përmes telefonave mobil në pikat e shitjes.

Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre. Për më tepër, adoptimi i standardit të QR kodit të Këshillit Evropian për Pagesa (EPC) synon të lehtësojë procesimin e pagesave jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivel rajonal dhe në zonën SEPA, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së. Zbatimi i këtij standardi tani varet nga zhvillimet teknike dhe infrastruktura e nevojshme që ofruesit e shërbimeve të pagesave të licencuara në Kosovë do të vendosin në funksion.

Udhëzimin mund ta gjeni në linkun në vijim:

https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2024/10/Udhezim-per-standardin-e-QR-kodit_opt-1.pdf

bqk_emergjenca_v1-1024x576

Ju njoftojmë se BQK-ja do të realizojë simulimin e Planit të Evakuimit, i cili është paraparë në Ligjin Nr. 04/L-161 për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe është aprovuar nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së.

Ky ushtrim bëhet në përmbushje të obligimeve ligjore dhe ka për qëllim vlerësimin e efektivitetit të planit tonë emergjent dhe gatishmërinë e stafit për t’u përballur me situata të mundshme emergjente në mënyrë efikase dhe të sigurt.

Prandaj, gjatë ditës së sotme mund të shihen aktivitete, mjete dhe pajisje të emergjencave të cilat do të jenë të angazhuara në këtë ushtrim dhe ky njoftim shërben që publiku të jetë i njoftuar për këtë aktivitet.

BQK-CESEE_ISI-01-1-1024x677

Konferenca Rajonale e Iniciativës për Mbikëqyrjen e Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE ISI), e organizuar në Prishtinë për herë të parë, në bashkëorganizim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe CESEE ISI filloi punimet sot, ku po marrin pjesë 11 vende nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor.

Drejtues dhe zyrtarë të BQK-së dhe bankave qendrore e autoriteteve rregullative të sigurimit, të ndara në gjashtë sesione do të diskutojnë për rolin dhe rëndësinë e sigurimeve në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të vendeve respektive.

Në fjalën hyrese dhe përshëndetëse, me rastin e hapjes së punimeve të Konferences, Guvernatori z. Ahmet Ismaili ju drejtua të pranishmëve duke shprehur konsideratën e lartë për organizmin si dhe pjesëmarrjen e nivelit të lartë.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili ka nënvizuar progresin e bërë në sektorin sigurimeve në vendin tonë, veçanërisht forcimi i kuadrit ligjor dhe rregullator, gjë që kjo ka bërë të mundur rritjen dhe qëndrueshmërinë e këtij sektori. Megjithatë ende sfida mbeten për t’u adresuar për të avancuar në nivelet e kërkuara. Një organizmi si ky, kontribuon në ndarjen e praktikave dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për të arritur këto objektiva.
“Me reformat që po ndërmarrim, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ne po kalojmë gradualisht nga mbikëqyrja e bazuar në pajtueshmëri në mbikëqyrjen e kujdesshme të bazuar në rrezik. Zbatimi i Solvencës II dhe të SNRF 17 në vendet e rajonit është një sfidë domethënëse”, është shprehur Guvernatori Ismaili.

BQK-CESEE_ISI-02-1024x768

Gjithashtu, ai theksoi se institucionin që drejton është duke punuar në rritjen e mbikëqyrjes së sjelljes së tregut në mesin e institucioneve tona financiare, ku për këtë qëllim tashmë është themeluar Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Ne jemi duke punuar në rritjen e mbikëqyrjes së sjelljes së tregut në mesin e institucioneve tona financiare, duke siguruar që BQK-ja të ketë fuqinë dhe burimet adekuate për të zbatuar një mbikëqyrje efektive. Së fundmi, ne krijuam Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit që ka për qëllim përmirësimin e mbështetjes për konsumatorët financiarë. Brenda këtij Departamenti, është krijuar një Divizion të dedikuar të fokusuar në mbikqyrjen e praktikave dhe sjelljen e tregut”, tregoi Guvernatori Ismaili.

Tutje, Guvernatori Ismaili ka potencuar se Republika e Kosovës vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk është anëtar i sistemit të Kartonit të Gjelbër.

“Anëtarësimi në Këshillin e Byrove në Bruksel dhe Kartonin e Gjelber mbetet kërkese e pa përmbushur. Trajtimi i kësaj çështjeje është i rëndësishëm për përmirësimin e mbulimit të sigurimeve ndërkufitare, lëvizjen e lirë dhe përafrimin e vendit tonë me standardet rajonale të sigurimeve”, ka potencuar i pari i BQK-së.

BQK-ja mbetet e përkushtuar që të avancojë kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës të sektorit së sigurimeve në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian (BE) si dhe të kultivojë raporte të mira të bashkëpunimit me institucionet homologe nga vendet e rajonit dhe bashkimit Evropian.

Kjo konferencë e nivelit të lartë, mbahet në kuadër të organizimeve që përkojnë me 25-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ku po marrin pjesë drejtues dhe zyrtarë të lartë të autoriteteve rregullative të sigurimit dhe bankave qendrore nga Shqipëria, Austria, Republika Çeke, Sllovenia, Hungaria, Polonia, Sllovakia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.

Skip to content