Foto-1mars19.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për të gjashtin vit me radhë ka bërë hapjen e Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se këtë vit Java Ndërkombëtare e Parasë ka një rëndësi të veçantë pasi BQK-ja e ka vendosur Republikën e Kosovës në vëmendjen e arenës ndërkombëtare me ç‘rast aktivitetet, që do të zhvillohen do të mund të përcillen nga bankat qendrore, rregullatorë dhe organizata ndërkombëtare, që merren me çështjet e edukimit financiar përmes transmetimit “live Stream”.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se 2019-ta do të jetë vit i mbrojtjes së konsumatorit. 

“Në mjedisin e sotëm, kur të gjithë jemi dëshmitarë të qëndrueshmërisë financiare që gëzon Kosova, duke vendosur sistemin financiar të Kosovës në nivel të krahasueshëm jo vetëm me vendet e rajonit por edhe të atyre të Unionit Evropian, çështja e edukimit financiar ka zënë një rol të veçantë në agjendën tonë zhvillimore. Aq më tepër që sektori i shërbimeve financiare ka një peshë të fuqishme në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, ndërtimin e infrastrukturës vitale dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën. Shërbimet dhe produktet e sektorit financiar prekin jetën e secilit qytetar të Kosovës. Prandaj, ne i jemi mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve tonë për përkrahjen që i kanë ofruar Bankës Qendrore dhe institucioneve tjera relevante në ndërtimin e një tregu financiar, që trajton konsumatorët në mënyrë të drejtë, inkurajon përfshirjen financiare dhe ndihmon qytetarët në përdorimin efektiv të shërbimeve financiare”, ka deklaruar Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se një ndër qëllimet strategjike të BQK-së, është nxitja e zhvillimit të shëndoshë të sistemit financiar në Republikën e Kosovës dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i funksionit të edukimit financiarme qëllim të krijimit të kulturës së mirëfilltë financiare, që u ndihmon të gjitha palëve të interesit për të marrë vendime të duhura mbi bazën e njohurive të mjaftueshme.

Në këtë ngjarje Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me anë të së cilit BQK-ja do të shpërndajë nëpër të gjitha shkollat e Kosovës materiale të edukimit financiar, përmes të cilit nxënësit e shkollave të Kosovës do të kenë mundësinë të familjarizohen me konceptet edukative ekonomike-financiare, që është e rëndësishme të instalohen në edukimin e hershëm.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se Banka Qendrore është duke zhvilluar edukimin financiar në funksion të tri dimensioneve kryesore: në funksion të stabilitetit financiar, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në funksion të gjithë përfshirjes financiare.

“Me përkrahjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore “EFSE” do të realizojmë projektin “Përmirësimi i transparencës së tregut bankar, përmes ndërtimit të Platformës për krahasimin e normave të interesit për bankat”. Kjo platformë do t’iu mundësojë qytetarëve të marrin vendime mbi bazën e informatave të plota dhe të qarta, të shpalosura në një platformë  të unifikuar për të gjitha bankat. Gjithashtu kjo platformë do të ndihmojë edhe në rritjen e konkurrencës se shëndetshme në sektorin bankar. Me përkrahjen e Bankës Botërore dhe Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), kemi arritur të dizajnojmë programin “Greenback Project” që i targeton Remitencat si kategori mjaft e rëndësishme e të hyrave në Kosovë, vetëdijësimin e dërguesve dhe pranuesve të remitencave, në mënyrë që destinimi i kësaj kategorie  e të hyrave të transformohet nga konsumi në investim. Gjithashtu Programi i Remitencave dhe Pagesave do të ndihmojë BQK-në të avancojmë tutje infrastrukturën e sistemit të pagesave, në veçanti aspektin e shtrirjes më të gjerë dhe kostos sa më të volitshme për pagesat e vogla”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Ministri Bytyqi ka falënderuar BQK-në për iniciativën duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin.

Ndërkaq, Marco Mantovanelli, Drejtor për Vendin në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Evropë dhe Azi Qendrore i  Bankës Botërore,  ka thënë se programi i rajonal për remitencat dhe pagesat i nisur me BQK-në dhe i financuar nga SECO do të sjellë reforma ligjore, njohuri financiare, si dhe do të rritet efikasiteti në përdorimin e remitencave.

Patrick Etienne, Drejtor i Zyrës në Kosovë i Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), u shpreh i kënaqur me mbështetjen e programit për edukim financiar dhe BQK-në në përgjithësi, duke hijezuar rëndësinë e projekteve të realizuara në bashkëpunim me BQK-në.

Guvernatori Mehmeti bashkë me Ministrin Bytyqi kanë ndarë çmimet për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, Kurse, Fito”.

Gjatë Javës Ndërkombëtare të Parasë, në funksion të edukimit financiar që do të organizohet nga data 25 mars deri më 30 mars, do të organizohen aktivitete të larmishme, duke nisur nga ligjëratat në universitetet publike dhe ato private, pastaj një ligjëratë  do të mbahet në BQK me bankierët e rinj  si dhe do të organizohen edhe aktivitete me nxënës të shkollave fillore.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar sot përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e BERZH-it për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, duke shënuar rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore  rreth 11%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.6%.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e BERZH-it lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektorin e sigurimeve, pensioneve dhe atë të institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori i njoftoi zyrtarët e BERZH-it lidhur me zhvillimet në tregun e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria, mënyrën e funksionimit të ankandeve, zhvillimet në tregun sekondar të letrave me vlerë, si dhe për iniciativën e kohëve të fundit të BQK-së lidhur me kornizën ligjore për ofrimin e mundësisë së tregtimit të REPO instrumenteve.

Guvernatori Mehmeti theksoi se është moment mjaft i volitshëm për vlerësimin e mundësisë së zhvillimit të tregut të kapitalit si një alternativë e nevojshme për avancimin e qasjes në financa.

Përfaqësuesit e BERZH-it, të kryesuar nga Andre Kuusvek, Drejtor i Zhvillimit të Valutës Lokale dhe Tregjeve të Kapitalit, falënderuan Guvernatorin Mehmeti për shpjegimet dhe shprehën gatishmërinë për përkrahjen e BQK-së dhe Kosovës lidhur me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të tregut të kapitalit në Republikën e Kosovës.

Për vite me radhë, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të publikut rreth rëndësisë së kursimeve dhe menaxhimit të duhur të parasë, BQK-ja ka shënuar këtë ditë me aktivitete edukative.

Derisa çdo vit janë pritur të rinj dhe nxënës të grupmoshave të ndryshme, këtë vit për arsye të Pandemisë Covid 19, sikurse edhe shumica e vendeve të botës edhe ne do ta shënojmë Ditën Botërore të Kursimeve vetëm përmes aktiviteteve virtuale e që kryesisht u janë dedikuar nxënësve të shkollave fillore.

Aktiviteti i parë është lancimi online i teksteve të edukimit financiar për klasat I deri në V në platformën e saj të edukimit financiar (http://edukimifinanciar.org/) në 4 gjuhët: në gjuhën shqipe, gjuhën serbe, gjuhën turke dhe në gjuhën rome.

Në kanalin Youtube të BQK-së (https://www.youtube.com/channel/UCgxLUYa6enevkWx9ufjqaSg), sot do të publikohet edhe versioni i teksteve me zë.

Tekstet përmbajnë këshilla rreth menaxhimit të duhur të parasë, krijimit të shprehisë së kursimeve, planifikimit të buxhetit personal e familjar, funksionimit bazik të një banke, zhvillimit të aftësive themelore të ndërmarrësisë, e shumë këshilla tjera të vlefshme për nxënësit e këtyre moshave.

Aktiviteti i dytë që kemi disenjuar është shpallja e konkursit për fëmijë me tematikën e kursimeve me moton: “Me kursime të vogla për qëllime të mëdha”, përmes të cilit ftojmë nxënësit e klasave VI deri IX, që të përgatitin Ese për kursimet dhe t’i dërgojnë në mënyrë elektronike në BQK.

Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim fëmijët të mësojnë më shumë rreth rëndësisë së kursimeve.

BQK do të ndajë 10 çmime me rastin e përzgjedhjes së punimeve, ndërsa punimet fituese do të shpërblehen me shpërblime simbolike, kurse të interesuarit konkursin e plotë mund ta gjejnë të publikuar në faqen zyrtare të BQK-së (www.env2.bqk-kos.org).

Aktiviteti i III-të do jetë publikimi i punimeve fituese të nxënësve nga konkursi i vitit të kaluar, të cilat  mund t’i gjeni në platformën e edukimit financiar të BQK-së (http://edukimifinanciar.org/).

Thonë që “Një euro e kursyer është një euro e fituar” dhe unë uroj që ky mesazh dhe këto aktivitete edukative të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, do të ndikojnë sado pak që të ju inkurajojnë të gjithë juve të jeni më të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kursimeve dhe menaxhimin e duhur të parasë.

Mesazhi i Guvernatorit Mehmeti për Ditën Botërore të Kursimeve: https://youtu.be/nHTzrssOFUo

Mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe mbështetur në kriteret e përcaktuara në konkursin për pozitën e dy anëtarëve joekzekutivë në Bordin e BQK-së, Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën si më sipër ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve (renditja alfabetike) si në vijim:

  1. Behxhet Brajshori,
  2. Driton Balaj,
  3. Edona Perjuci Uka,
  4. Imrije Zeqiri,
  5. Nora Latifi Jashari,
  6. Nuhi Ahmeti,
  7. Petrit Gashi

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të themelimit ka mbajtur diskutim për nder të Ditës Ndërkombëtare të mbrojtjes së Konsumatorit me temë: Roli i BQK-së në fushën e mbrojtjes së Konsumatorit.

Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se falë marrjes së masave nga BQK-ja gjatë këtyre 20 viteve, kanë ndikuar që vendi të ketë një sistem financiar modern dhe të shëndoshë, i cili me shumë sukses po realizon rolin e tij të ndërmjetësimit financiar në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Vend të rëndësishëm sipas Guvernatorit Mehmeti kanë zënë aktivitetet, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e Konsumatorit të shërbimeve financiare, duke u fokusuar në dy shtyllat kryesore të mbrojtjes së Konsumatorit: shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve dhe edukimi financiar.

“Përderisa në vitet e para të funksionimit të sistemit financiar, fokusi ishte në krijimin e kushteve për sigurimin e shërbimeve financiare bazike për ekonominë e vendit, tani kemi arritur në një fazë ku çdo ditë e më tepër po i kushtojmë rëndësi më të madhe edhe cilësisë së këtyre shërbimeve, ku pa dyshim se vend shumë të rëndësishëm zënë aktivitetet të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e Konsumatorit të shërbimeve financiare. Përmes shqyrtimit të ankesave, BQK-ja synon sigurimin e zbatimit të të gjitha të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale ndërmjet institucioneve financiare dhe klientëve, në rastet kur klientët konsiderojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në vitet e fundit, numri i klientëve të institucioneve financiare që parashtrojnë ankesë në BQK, lidhur me zbatimin e të drejtave të tyre kontraktuale është rritur. Ne konsiderojmë se rritja e numrit të ankesave në mënyrë të drejtpërdrejtë reflekton vetëdijesimin më të lartë të klientëve rreth të drejtës dhe mundësisë së tyre për ankesë, gjë e cila po i kontribuon mbrojtjes më të mirë të të drejtave të tyre, por edhe po i kontribuon korrigjimit dhe avancimit të proceseve të brendshme në vetë institucionet financiare në ofrimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të shërbimeve financiare, si dhe evitimin e  gabimeve të ndryshme. Ankesat e klientëve paraqesin një burim shumë të rëndësishëm informacioni edhe për BQK-në, e cila shpeshherë i merr ato në konsideratë gjatë aktiviteteve mbikëqyrëse të institucioneve financiare”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se përveç aktiviteteve për adresimin e shkeljeve të mundshme nga institucionet financiare në raport me të drejtat e klientëve, BQK-ja po punon intenzivisht në edukimin financiar të publikut, i cili ka për qëllim që të rritë sa më tepër shkallën e njohurive të publikut rreth produkteve financiare dhe të drejtave të tyre në raport me institucionet financiare. 

“Përveç aktiviteteve të saj në promovimin e edukimit financiar, BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme inkurajon edhe vetë institucionet financiare, që të rritin aktivitetin e tyre në mbështetje të rngritjes së njohurive të publikut rreth produkteve financiare, sepse konsumatorët e mirinformuar ndërmarrin veprime të arsyeshme dhe kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e mëtejmë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. Po ashtu Guvernatori Mehmeti ka  përmendur edhe kontributin e BQK-së për mbrojtjen e konsumatorit si anëtare e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, një trup ndërinstitucional që ka për qëllim të sigurojë një qasje të harmonizuar dhe gjithëpërfshirëse në sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Kosovë. 

Nga ana tjetër, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka falënderuar Guvernatorin Mehmeti për organizimin e këtij diskutimi duke shprehur gatishmërinë që të vazhdohet edhe më tutje bashkëpunimi mes dy institucioneve në mbrojtjen e Konsumatorit.

Në këtë diskutim është bërë prezantimi i mënyrës së shqyrtimit të ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare në BQK dhe në institucionet financiare.

13janar-1

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe kryetari i Bordit, Flamur Mrasori kanë ngushëlluar familjen Dërmaku për shkuarjen në amshim të profesorit Dr. Arben Dërmaku.

“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen e profesorit të njohur Dr. Arben Dërmakut. Ai do të kujtohet si një profesionist i madh i ekonomisë, i cili për një kohë të gjatë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si anëtar i jashtëm i komitetit të auditimit. Humbja e profesor Dërmakut nuk është humbje vetëm për familjen, por për të gjithë ata që e njohën dhe kishin nderin të punonin me të.  Në këto momente të rënda, jemi bashkë me familjen dhe ndajmë dhimbjen për humbjen e më të dashurit tuaj dhe lutemi për shpirtin e tij”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Guvernatorit Mehmeti dhe kryetarit të Bordit, Mrasori.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka pritur përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Në këtë takim, Guvernatori Mehmeti i ka njoftuar të pranishmit me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe me masat e ndërmarra deri më tani nga ana e BQK-së për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë, përmes lehtësimit të barrës së pagesës së obligimeve kreditore,  si dhe në ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar.

Tutje Guvernatori Mehmeti informoi të pranishmit se BQK-ja, që nga shpërthimi i pandemisë ka qenë e angazhuar dhe e përkushtuar të kontribuojë në lehtësimin e mëtejmë të qasjes në financa përmes rolit të saj si rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit financiar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, falënderuan Guvernatorin Mehmeti për informacionet dhe shprehën gatishmërinë që të kontribuojnë të gjithë së bashku në tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar.

06.05.2022.jpg

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare Sokol Havolli, kanë mbajtur një takim virtual me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe drejtorët e bankave.

Në këtë takim virtual është diskutuar  për situatën aktuale të sektorit bankar, i cili deri më tani me sukses ka përballuar sfidat operacionale të pandemisë, duke vazhduar kreditimin e ekonomisë, si dhe duke ofruar të gjitha shërbimet tjera bankare. Sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet me nivele të larta të kapitalit dhe të likuiditetit, si dhe kualitet shumë të mirë të mjeteve, si rezultat i rregullativës adekuate financiare si dhe standardeve të larta mbikëqyrëse.

Në këtë takim është bërë e ditur se pas monitorimit nga afër të zhvillimeve lidhur me pandeminë COVID-19 dhe në veçanti, ndikimin e valës së dytë të COVID-19 dhe kufizimet përkatëse të Qeverisë për të parandaluar përhapjen e pandemisë, të martën Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka aprovuar udhëzuesin e ri për ristrukturim të kredive për shkak të COVID-19.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është që kredimarrësve që kanë hasur në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë t’iu lehtësohet barra kreditore duke bërë ristrukturim të kredive pa implikuar ndonjë përkeqësim të tyre në regjistrin kreditor të Kosovës.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se roli i bankave për të siguruar rrjedhën e vazhdueshme të kreditimit për klientët mbetet i një rëndësie të madhe dhe me aprovimin e këtij udhëzimi, BQK-ja njeh rrethanat e krijuara në vend nga vala e dytë e COVID-19.

Një nga masat e marra nga Banka Qendrore e Kosovës në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar është edhe ndalesa e përkohshme e shpërndarjes së dividentës, andaj nga ana e përfaqësuesve të bankave u ngrit kjo çështje duke kërkuar që të rishikohet kjo masë e ndalesës. Zëvendësguvernatori Havolli theksoi se BQK-ja do ta rishikojë këtë masë dhe se çështja e shpërndarjes së dividentës do të trajtohet në pajtueshmëri të plotë me praktikat dhe vendimet e Bankës Qendrore Evropiane.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja mbetet e përkushtuar të ofrojë të gjitha lehtësimet e nevojshme në shërbim të tejkalimit sa më të lehtë të këtyre sfidave me të cilat po ballafaqohet ekonomia jonë, por gjithmonë duke pasur parasysh se sigurimi i stabilitetit financiar mbetet objektivi jonë kryesor.

Po ashtu inkurajoi të gjithë përfaqësuesit e sektorit bankar që të forcojnë edhe më tej partneritetin me klientët, duke iu ofruar kushte sa më të përshtatshme për tejkalimin e sfidave që i ka shkaktuar COVID-19 në ekonominë tonë, por këto lehtësira kërkohet të jenë të bazuara në analiza të mirëfillta të riskut në mënyrë që mos të cenojnë qëndrueshmërinë e bankave.

Përfaqësuesit e bankave falënderuan BQK-në për bashkëpunimin konstruktiv si dhe qasjen proaktive të saj në lidhje me masat e marra, dhe u zotuan që të rrisin mbështetjen për ekonominë e vendit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin z. Milot Cakaj dhe bashkëpunëtorë zhvilloi takim me ekspertët e lartë të angazhuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përbërje të z. Valter Borges de Araujo Neto dhe znj. Rita Tam, në kuadër të asistencës teknike të kërkuar nga BQK-ja për avancimin e metodologjisë dhe praktikave të mbikëqyrjes bankare.

Në kuadër të këtij Misioni, do të shqyrtohet procesi aktual mbikëqyrës dhe do të identifikohen fushat me rëndësi për të avancuar metodologjinë dhe procesin mbikëqyrës sipas praktikave mbikëqyrëse evropiane, duke avancuar modelin CAMELS drejt metodologjisë të Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), siç zbatohet nga Banka Qendrore Evropiane dhe Bankat Qendrore të Bashkimit Evropian.

Si rezultat i kësaj asistence teknike, në bashkërendim me ekspertët ndërkombëtar të FMN-së, do të finalizohet udhërrëfyesi për avancimin e metodologjisë mbikëqyrëse SREP, rekomandohen plotësimet në manualin mbikëqyrës përfshirë ndryshimet eventuale rregullative, fazën testuese të zbatimit dhe zbatimin përfundimtar si proces gradual, krahas avancimit të kapaciteteve profesionale dhe teknike.

Ky Mision është duke u zhvilluar në linjë rekomandimet e dakorduara me programin e FMN-së për Marrëveshjen Stand-By Arrangement (SBA) si dhe proceset rishikuese.

FMN vlerësoi përkushtimin e BQK-së për reformat institucionale, që përmes avancimeve të tilla përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, me qasje proaktive për të avancuar aspekte të mbikëqyrjes dhe stabilitetit financiar si dhe reformat tjera drejt harmonizimit me standardet dhe praktikat e zbatuara nga autoritetet rregullative dhe mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha masave e parapara në Programin me FMN, në kuadër të aktiviteteve të reformuese në linjë me objektivat e saj dhe Planin 5-vjeçar Strategjik, ndërsa shprehet falënderuese ndaj FMN për mbështetjen e vazhdueshme.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti dhe zëvendësguvernatori Sokol Havolli kanë mbajtur një takim virtual me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë.

Temë e diskutimit në këtë takim, ishte gjendja aktuale në sektorin bankar dhe kontributi i këtij sektori në tejkalimin e gjendjes së krijuar, sidomos pas masave të reja.

Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja është e angazhuar në krijimin e të gjitha mundësive për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, por në të njëjtën kohë të mbajë stabil dhe likuid sektorin bankar, siç ka qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe, pavarësisht sfidave të shumta që solli pandemia.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bankave shprehën gatishmërinë që të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate dhe në përkrahjen e ekonomisë së vendit, që pavarësisht se prioritet i vendit mbetet ruajtja e shëndetit publik, një rëndësi të madhe ka edhe ruajtja e shëndetit të ekonomisë.

Skip to content