Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve për vitin 2020 për Kosovën, ku është dhënë vlerësim i lartë për sistemin financiar të vendit. Raporti thekson faktin se Kosova ka një ekonomi të tregut të hapur dhe tregu përcakton normat e interesit.

Raporti thekson se sistemi rregullator përputhet me direktivat e BE dhe standardet ndërkombëtare, nuk ka kufizime përtej kërkesave normale rregullatore në lidhje me burimin e kapitalit, përshtatshmërinë dhe aftësinë e investitorëve dhe se BQK-ja ka marrë të gjitha masat e kërkuara për të përmirësuar politikat për rrjedhën e lirë të burimeve financiare.

Në raport është theksuar edhe qëndrueshmëria e sektorit bankar, i cili mbetet mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës. Kushtet e vështira ekonomike, zbatimi i dobët i kontratës dhe sjellja e paqartë ndaj rreziqeve kanë kufizuar aktivitetet e huazimit të bankave, megjithëse përmirësimi i dukshëm ndodhi në vitet e fundit.

Në shkurt të vitit 2020, norma e kredive joperformuese ishte 2.5 përqind, niveli më i ulët në dhjetë vitet e fundit. Normat e interesit kanë rënë ndjeshëm në vitet e fundit, nga një mesatare prej rreth 12.7 përqind në 2012 në një mesatare prej 6.3 përqind në vitin 2020. Kreditimi më i ngadaltë është i dukshëm në pjesën veriore të Kosovës për shkak të një gjyqësori të dobët, aktiviteteve informale të biznesit dhe më pak të kualifikuar huamarrësit.

BQK-ja është përgjegjëse për nxitjen e zhvillimit të praktikave konkurruese, të shëndosha dhe transparente në sektorin bankar dhe financiar. BQK-ja mbikëqyrë dhe rregullon sektorin bankar të Kosovës, industrinë e sigurimeve, fondet e pensionit dhe institucionet mikrofinanciare. BQK-ja gjithashtu kryen detyra të tjera standarde të bankës qendrore, duke përfshirë administrimin e parave të gatshme, transferimet, pastrimin, menaxhimin e fondeve të depozituara nga Ministria e Financave dhe institucione të tjera publike, mbledhjen e të dhënave financiare dhe menaxhimin e Regjistrit të Kredive.

Raporti thekson se bankat dhe degët e huaja mund të kryejnë operacione në vend, duke iu nënshtruar të njëjtave kërkesa dhe rregullore licencimi si bankat vendase. Vendi nuk ka humbur asnjë marrëdhënie bankare korrespodente në tre vitet e fundit dhe asnjë marrëdhënie e tillë aktualisht nuk është në rrezik. Nuk ka kufizime në hapjen e llogarive bankare nga të huajt; ata mund ta bëjnë këtë me dorëzimin e dokumentacionit të vlefshëm të identifikimit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh vlerësimin më të lartë për raportin që ka të bëjë me pjesën e sektorit financiar dhe shpreh falënderimin më të sinqertë për Departamentin Amerikan të Shtetit për vlerësimin real të sektorit financiar në Kosovë dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë që nga fillimi, dhe vazhdon t’i jep BQK-së në zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori.

Për më shumë detaje, në vijim mund të gjeni vegëzën për t’u qasur në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit: https://www.state.gov/reports/2020-investment-climate-statements/kosovo/?fbclid=IwAR2YgPxCdvLszB-PNpWckolVJsU4TnoNTffL0lN6hLRrPwCjA2lGIb-gSDY

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi prezantuan para mediave masat e ndërmarra lidhur me modelin e ri që do të aplikohet me kostimin e sigurimit të detyrueshëm.

Zëvendësguvernatori Havolli përmendi një numër reformash të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor pasi ai vazhdon të mbetet i pazhvilluar mjaftueshëm, është koncentruar në produkte të sigurimit të detyrueshëm (autopërgjegjësi), si dhe është ballafaquar me mospërmbushje të kushteve, të cilat ndërlidhen me kërkesat rregullatore për kapitalizim dhe provizionim.

Problemet në këtë industri, sipas tij kanë bërë që performanca e këtij sektori të jetë e brishtë, duke reflektuar edhe në aftësinë e sektorit për të kryer detyrimet ndaj të siguruarve.

“Rezultatet e reformave të ndërmarra nga BQK-ja kanë sjellë një reagim mjaft pozitiv dhe intensiv nga industria e sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe, mbi 11 milionë euro kapital janë shtuar nga aksionarët e kompanive të sigurimit për të plotësuar nevojat e kapitalit dhe provizionimit në kompanitë e tyre. Gjatë javës së fundit të këtij muaji po ashtu presim të shtohen edhe të paktën 3 milionë euro. BQK-ja gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë veprime të nevojshme që të sigurohet kompensimi i plotë i dëmeve ndaj palëve të dëmtuara. Kjo ka përfshirë, por nuk është kufizuar, në rritjen e tarifave si dhe uljen drastike të shpenzimeve për kompanitë e sigurimeve me rregullore nga BQK. Gjithashtu, BQK vazhdon të jetë e vendosur që gjatë këtij viti, të gjitha kompanitë duhet të arrijnë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat rregullative”, deklaroi Zëvendësguvernatori Havolli.

Ndër të tjera, ai përmendi se kjo industri ka qenë prioritet në agjendën e Guvernatorit dhe të BQK-së në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, ku është vendosur që çështja e kapitalizimit të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, derisa ky proces i paraparë të përfundoj në qershor u shty për një periudhë jo të gjatë, për shkak të pandemisë.

“Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm institucional me Kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, në përpjekje për të gjetur modalitetet më të avancuara për adresimin e produktit të TPL-së në tregun e Kosovës. Në këtë kontekst, BQK-ja ka ndërmarrë përgatitjet e nevojshme duke arritur në konkluzionin se modeli i çmimeve për produktet e detyrueshme duhet të avancohet në mënyrë që të siguroj mbulimin e rrezikut potencial për çdo të siguruar dhe, në të njëjtën kohë, të lejoj variacion në kosto duke u bazuar në karakteristikat individuale për sa i përket riskut të të siguruarit. Pra çmime të përcaktuara nga tregu dhe risku. Prandaj, përmes kësaj konference, dëshirojmë të ju njoftojmë se si rezultat i bashkëpunimit të afërt me AKK-në, kemi ardhur në përfundim se modeli i kostimit të policave të detyrueshme duhet të jetë i bazuar në riskun individual të të siguruarit. Synimi ynë si BQK është që në një periudhë afatshkurtër të lëvizim nga modeli i cili ka qenë në aplikim për një periudhë rreth 20 vjeçare, në një model i cili mund të konsiderohet si model liberal i kostimit, duke respektuar faktorët individual të riskut sigurues. Lëvizja në drejtim të liberalizimit sigurisht se do të gjejë përkrahje të plotë nga partnerët tanë nga institucionet financiare ndërkombëtare, por se parakusht absolut për të lëvizur në këtë drejtim, ka qenë kapitalizimi i industrisë. Konsideroj se tanimë janë duke u plotësuar kushtet që të ndërmarrim këto veprime”, tha tutje Zëvendësguvernatori Havolli.

Ndërsa, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi i cilësoi të jashtëzakonshme veprimet e BQK-së në rregullimin e kësaj industrie.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe BQK-ja janë duke e trajtuar këtë rast nga viti i kaluar dhe në rekomandimet profesionale që i kemi ofruar BQK-së, kemi theksuar nevojën e liberalizimit të këtij tregu dhe që të mos kemi çmime të unifikuara të primit të TPL-së dhe kështu t’i hapet rrugë presionit konkurrues ndërmjet kompanive të sigurimeve që janë në treg. AKK i ka rekomanduar BQK-së si rregullator i tregut, që të fillojnë përgatitjet që nga rregullimi i tanishëm i tregut të kalohet në një sërë tarifash të lejuara siç e themi ne në konkurrencë tavan dhe dysheme, dhe më pastaj të kalohet në çmimet e tregut plotësisht të liberalizuar. Në fillim të vitit të ardhshëm të kalojmë në fazën e dytë të caktimit të primeve”, deklaroi Prestreshi.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për të institucionalizuar përfshirjen e 5 teksteve të edukimit financiare në kurrikulën shkollore.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe se sektori financiar është një ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës.

BQK, rëndësi të veçantë i kushton edhe Edukimit Financiar për të cilin ka punuar dhe ka investuar për ta avancuar për shumë vite.

“Projekti i Koleksionit të 5 Librave, projekt i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe i përkrahur nga Departamenti për Zhvillim i Fondit Evropian për Evropën Juglindore, EFSE DF, ka për qëllim që të pajisë nxënësit e shkollave fillore me koncepte bazike financiare, të cilat do t’i përcjellin gjatë tërë jetës së tyre pa marrë parasysh profesionin që ata do ta përzgjedhin në të ardhmen. Tekstet janë përgatitur nga ekspertë përkatës të fushës, tekstshkrues dhe ilustrator, në pajtueshmëri me kurrikulën bërthamë për arsimin fillor të Kosovës. Koleksioni përbëhet nga pesë Libra me tregime për fëmijë të moshave 6-10 vjeç, përkatësisht për nxënësit e  klasave I–V, të arsimit fillor. Fokusi i Librave është edukimi financiar, me ç’rast  fëmijët kanë mundësi të mësojnë në lidhje me tema financiare bazike të përzgjedhura për moshat përkatëse, gjithmonë bazuar në standardet e rekomanduara nga OECD.  Përveç formës së shkruar, librat janë përgatitur dhe me zë (audio), në mënyrë që të jenë të përshtatshme edhe për fëmijët e verbër apo me të pamë të dobësuar dhe përveç gjuhës shqipe janë të përkthyera edhe në gjuhë të tjera siç është përcaktuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Librat do të shpërndahen në formë fizike nëpër shkollat fillore të të gjitha komunave të Kosovës, në formë elektronike përmes kanaleve të komunikimit të BQK-së dhe me Shoqatën/Shkollën e të Verbërve të Kosovës.

“Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulë shkollore është mënyra më efikase, e qëndrueshme dhe afatgjatë për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare të mësohen e zhvillohen në mënyrë të duhur dhe nga të gjitha gjeneratat në nivel vendi. Nxënësit e Kosovës sikurse edhe nxënësit e të gjitha vendeve tjera të botës tashmë janë pjesë e vlerësimeve të realizuara nga Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në kuadër të PISA-s, e ku si kapitull i veçantë bën pjesë edhe vlerësimi i njohurive në fushën e edukimit financiar”, tha tutje Guvernatori Mehmeti.

Ai falënderoi Ministrin Likaj dhe Fondin për Evropën Juglindore (Finance in Motion-EFSE), Zyrën në Kosovë për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

Nga ana tjetër, Ministri Likaj shprehu përkushtimin e tij që bashkëpunimi me BQK-në në të mirë të edukimit financiar të nxënësve të vazhdojë edhe në të ardhmen.  

“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është e interesuar që të ngritë nivelin arsimor sa i përket edukimit financiar dhe konsiderojmë shumë të rëndësishëm që të procedojmë tutje, në këtë aspekt që fëmijët të mund të marrin njohuri dhe të përgatiten dhe të kenë vetëdijesim se si duhet shpenzuar dhe menaxhuar paranë. Nxënësve do t’i shpërndahen libra në këtë vit nga klasa 1-5 në tërë territorin e Kosovës mbi 900 shkolla dhe përveç gjuhës shqipe tekstet do të jenë dhe në gjuhë të komuniteteve, tekstet janë në përputhje me kurrikulat e sistemit tonë arsimor dhe janë të përgatitura nga njohës të fushave, andaj Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të jetë përherë në kontakt me shkollat dhe Drejtoritë Komunale te Arsimit që t’i marrim rezultatet se si do të ndikojnë këto tekste te nxënësit tonë”, theksoi ministri Likaj.

Christoph Tiskens, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e realizimit të këtij projekti, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar në projektet e ardhshme.

“Është një nder që Ministria e Arsimit e njeh këtë punë me nënshkrimin e sotëm. Kjo tregon vlerën që Ministria i kushton edukimit financiar si mjet themelor për sukses në të ardhmen. EFSE qëndron së bashku me partnerë si, Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Arsimit për të bërë një ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e sotëm dhe për brezin e ardhshëm të qytetarëve”, deklaroi Tiskens.

Ndërkaq Markus Aschendorf, kryesues i Departamentit për Zhvillim të EFSE-s theksoi: “Ky është një moment historik në bashkëpunimin tonë të gjatë me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ne kemi punuar së bashku për vite në rritjen e aftësive financiare të sipërmarrësve dhe popullatës në përgjithësi si një mjet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe zhvilluar ekonominë. Bashkëpunimi ynë përfshin krijimin e Qendrës për Edukim Financar në vitin 2017 – për të cilën ky projekt fenomenal është një shtyllë thelbësore. Shprehitë e mira në menaxhimin e parave fillojnë që në moshë të re. Si një fond i përkushtuar për financim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, ne jemi të kënaqur të kontribuojmë në projekte me ndikim pozitiv për suksesin dhe stabilitetin e gjeneratës së ardhshme të Kosovës “.

Objektivë e Programit të Edukimit Financiar të BQK-se është që me aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.  

Krijimi i shprehive adekuate për menaxhimin e të hollave krahasohet me krijimin e shprehive esenciale të jetës, rrjedhimisht institucionalizimi i edukimit financiar në shkolla është hap tejet i rëndësishëm.  

Në këtë mënyrë do të arrijmë që të sigurojmë qëndrueshmëri, vazhdimësi e sukses në instalimin e një kulture të mirëfilltë financiare.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovë, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar Raportin vjetor të BQK-së për vitin 2019 para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Guvernatori Mehmeti bëri të ditur se në vitin 2019, borxhi publik ishte 19.7%, derisa rritja ekonomike ka qenë 4.9%.

Nga ana tjetër, kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulët ndonjëherë prej 2 përqind. Zhvillime pozitive kishte edhe në sektorin pensional, ku kthimi në investime ishte 8 për qind, duke ndikuar kështu që të rikuperohet edhe kthimi negativ që ishte regjistruar në vitin 2018.

Guvernatori Mehmeti, ndër të tjera tha se kreditimi mbetet një prej faktorëve kryesorë në rritjen ekonomike, derisa kërkoi mbështetjen e deputetëve për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e situatës sa i përket adresimit të mijëra lëndëve të sektorit bankar, të cilat po presin nëpër gjykata.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti shtoi se BQK-ja edhe në vitin 2019 ka vazhduar angazhimet e saj në avancimin e kapaciteteve të saja profesionale, si dhe harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet bashkëkohore ndërkombëtare.

Ndërkaq, Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se bazuar në rishikimet e bëra në BQK dhe që të njëjtat së shpejti do të jenë të qasshme për publikun, projeksionet e fundit për rënien ekonomike në Kosovë për këtë vit arrijnë në -7.2%.

Pas prezantimit të raportit, deputetët shtruan pyetje për numrin e të punësuarve, licencat e institucioneve mikrofinanciare, mbikëqyrjen e bankave e shumë çështje tjera, të cilat kanë të bëjnë me kompetencat e BQK-së.

Anëtarët e këtij komisioni ofruan mbështetje për BQK-në në realizimin e disa ndryshimeve siç është Ligji për bankat, çështja e institucioneve mikrofinanciare, si dhe gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët për kartonin e gjelbër.

Pas debatit, Raporti vjetor i BQK-së u mbështet nga shumica e komisionit dhe u procedua për shqyrtim në seancë plenare. Ndërkaq, propozimi që Guvernatori i BQK-së të raportojë edhe në seancë plenare nuk u përkrah nga ana e komisionit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur përfundimet e nxjerra në raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën për vitin 2019, i cili njeh angazhimin dhe reformat e ndërmarra në sektorin financiar dhe po ashtu ofron rekomandime për avancime të mëtejme.

Raporti thekson progresin që BQK-ja ka bërë në fushën kërkesave të kapitalit dhe menaxhimit të riskut të bankave pas hyrjes në fuqi të rregulloreve mbi mjaftueshmërinë e kapitalit dhe raportin e leverazhit, të cilat janë në linjë me kornizën Basel III. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit konsiderohet si i qëndrueshëm dhe mjaft mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 12%. Në anën tjetër, raporti thekson nevojën e themelimit të autoritetit të pavarur të rimëkëmbjes dhe përmbylljes, si dhe amandamentimin e Ligjit të bankave për t’ia përcaktuar këtë mandat Bankës Qendrore dhe për të siguruar pavarësi funksionale të këtij autoriteti.

Raporti i KE-së vlerëson masat e ndërmarra nga BQK-ja për fuqizimin e transparencës së çmimeve të kreditimit ndaj konsumatorëve. Që nga viti 2019, të gjitha institucionet kreditore duhet të përdorin formularin standard evropian të informacionit kreditor për konsumatorët për aplikimet për kredi, në mënyrë që të sigurohet shpalosja adekuate e informacionit kreditor.

Një hapësirë të veçantë raporti i kushton zhvillimeve të lidhura me ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, me ç’rast thekson masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për të ndihmuar huamarrësit në tejkalimin e vështirësive financiare që kanë buruar si pasojë e krizës. Me këtë rast, raporti përshkruan masat rregullatore dhe mbikëqyrëse të BQK-së, të cilat kanë mundësuar shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë për huamarrësit, si dhe kanë krijuar lehtësira për ristrukturimin e kredive.

Në fushën e sigurimeve, raporti thekson se BQK-ja ka vazhduar tutje me zbatimin e masave të Solvencës I, duke amandamentuar Rregulloren mbi kalkulimin e minimumit të pragut të solvencës, mjaftueshmërisë së kapitalit dhe fondit të garantimit për siguruesit jo-jetë, si dhe duke adoptuar rregulloren mbi likuidimin e siguruesve. Sidoqoftë, raporti po ashtu thekson nevojën për zhvillimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e masave të Solvencës II. Një fushë tjetër e adresuar në raport ka të bëjë me ndryshimin e Rregullores mbi menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve operative për siguruesit jo-jetë, me çka është zvogëluar limiti i raportit të shpenzimeve operative ndaj gjithsej kostove nga 35% në 24%.  Raporti thekson se Banka Qendrore nuk ka marrë ndonjë masë të menjëhershme për liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve. Sidoqoftë, BQK-ja në shtator të këtij viti ka njoftuar publikun lidhur me përgatitjet e përbashkëta me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për ndryshim të modelit të përcaktimit të çmimit bazuar në rrezik.

Mosadresimi i çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe paregjistruara, si dhe kostot që i shkaktohet sektorit të sigurimeve, vazhdojnë të theksohen si çështje shqetësuese në këtë raport. Gjithashtu, mungesa e mbulimit të Kosovës me kartonin e gjelbër sipas raportit, vazhdon të përfaqësojë një barrë financiare për udhëtarët (përveç atyre nga vendet me të cilat Kosova ka marrëveshje bilaterale të sigurimit të automjeteve).

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e reformave në sistemin financiar me qëllim të forcimit dhe zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori, si dhe plotësimit të kritereve të nevojshme për avancim në fushën e integrimit evropian.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar veprimet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës sa i përket shtyrjes së pagesave për kthimin e kredive.

Në deklaratën përmbyllëse të Misionit Vlerësues  për Artikullin  IV, FMN-ja konstaton se vendimet e BQK-së për t’i shtyrë pagesat e kthimit të kredive dhe më pastaj vendimi për  riprogramimin e kredive deri në 1 vit kanë zbutur ndikimin te huamarrësit dhe bankat.

“Vendimi për t’i shtyrë pagesat e kredisë në mars rezultoi me një moratorium tremujor në pagesa të kredisë, që u shfrytëzua nga më shumë se 50 për qind e gjithsej kredive bankare. Me mbylljen e kësaj dritareje, në qershor BQK lejoi aplikime për zgjatje dhe ristrukturim të kredive deri në 1 vit, në baza individuale. Pas mbylljes së kësaj dritareje, në shtator u riprogramuan rreth 15 për qind e regjistrit të kredive bankare”, thuhet në këtë deklaratë. FMN gjithashtu, vlerëson se heqja e masave rregullative duhet të jetë graduale dhe BQK-ja duhet të  përshtatë planet e saj në pajtueshmëri me pritjet për rritjen ekonomike  për vitin 2021.

Këto vlerësime vijnë nga një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga z. Gabriel Di Bella, që zhvilloi një vizitë virtuale nga 23 shtator deri më 7 tetor, në vijim  Deklarata përmbyllëse e Misionit të Artikullit IV për vitin 2020 e në kontekst të konsultimeve sipas Artikullit IV të vitit 2020.

https://www.imf.org/en/News/Articles/2020/10/08/mcs100820kosovo-staff-concluding-statement-of-the-2020-article-iv-mission

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2019. Votimi i Raportit Vjetor vjen pas miratimit të tij në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Raporti  i vitit 2019 pasqyron zhvillimet ekonomike, ato te sektorit financiar  dhe trendet zhvillimore në vend. Mes tjerash, raporti shpalos se ekonomia e Kosovës shënoi rritje prej 4.2 përqind, që njëkohësisht është më e larta në vendet e Ballkanit Perendimor. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga përmirësimet në eksportet neto, ku rritja reale e eksportit të mallrave dhe shërbimeve për 10.0 përqind dhe ngadalësimi i rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve në 4.2 përqind rezultoi në përmirësimin e deficitit tregtar (mallra dhe shërbime) për 2.4 përqind në terma real.

Sektori bankar vazhdoi me rritjen e kreditimit dhe në të njëjtën kohë të mbajë nivele të larta të likuiditetit dhe mjaftueshmërisë së kapitalit gjatë vitit 2019.Kreditë joperformuese shënuan nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në Kosovë në vetëm 2 përqind. 

Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla.

Në këtë sektor rritja vjetore e kredive ishte 20.5 përqind dhe niveli i kredive joperformuese ishte vetëm 2.6 përqind. 

Sektori pensional vazhdoi të zgjerojë bazën e kontributeve të arkëtuara, përderisa kthimi në investime në vitin 2019 shënoi rritjen më të lartë, që nga viti 2009 në 8.9 përqind duke rikuperuar kthimin negativ të investimeve në vitin 2018 prej -5.3 përqind.

Sektori i sigurimeve vazhdoi të ketë një përmirësim që evidentohet me rritjen e shfrytëzimit të produkteve të sigurimeve në ekonominë tonë. 

Besueshmëria e konsumatorëve të shërbimeve financiare është një parakusht për një sistem financiar të shëndoshë.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe ka vazhduar që me prioritet të lartë të trajtojë këtë fushë, duke shqyrtuar me kujdes të gjitha ankesat e konsumatorëve dhe të avancojë edukimin financiar të publikut. 

BQK-ja ka një rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe ka ndikim në parametrat kyçë të zhvillimit ekonomik.

Për të arritur këtë BQK me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj teknike dhe njerëzore, si dhe harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet e vendeve të zhvilluara. 

Për BQK-në viti 2019 ishte i veçantë, për faktin se shënoi 20 vjetorin e themelimit të BQK-së.

Ju njoftojmë se konkurset e shpallura më datë 29 shkurt 2020, për pozitat Statisticient i ri në Departamentin e Statistikës në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës anulohen.

Departamenti i Burimeve Njerëzore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Republikës së Shqipërisë, Ervin Mete kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në funksion të rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.

Përmes këtij Memorandumi BQK-ja dhe AMF-ja vendosin një sistem bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbim të informacioneve mes palëve, bazuar në rëndësinë e zhvillimit të tregjeve financiare të të dyja vendeve, i cili do të shtrihet në tregjet e sigurimeve / risigurimeve, tregjet e kapitalit, aktivitete të tjera financiare jobankare.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi.

Ai u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit reciprok mes dy rregullatorëve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, në funksion të mbarëvajtjes dhe zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje.

Ndërsa, drejtori i AMF-së, Ervin Mete falënderoi Guvernatorin Mehmeti për angazhimin e tij në finalizimin e këtij memorandumi, duke theksuar se marrëveshja e re e bashkëpunimit i përgjigjet jo vetëm zhvillimeve të kohës, por edhe çështjeve që kanë dalë në pah ndër vite mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.  

Me anë të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, parashihet vlefshmëria reciproke e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve.

Memorandumi thellon linjat e bashkëpunimit mes dy rregullatorëve në funksion të mbikëqyrjes së integruar dhe efektive, në veçanti përmes kolegjeve mbikëqyrëse të grupeve të sigurimit, për shoqëritë vendase të sigurimit dhe risigurimit, të cilat kanë investime apo degë të tyre në vende të tjera.

Gjithashtu, sa i përket tregut të sigurimeve palët angazhohen të adresojnë çështje të veçanta të mbikëqyrjes në të dy vendet, si vlefshmërinë reciproke të policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, detyrimet reciproke mbi praktikat e dëmeve apo trajtimin dhe pagesën e dëmeve. 

Në lidhje me tregjet e kapitalit, Shqipëria është në një stad më të avancuar për sa i përket kuadrit ligjor, nëpërmjet ligjeve të miratuara së fundmi, si edhe ka krijuar infrastrukturën e tregut, Bursën dhe Regjistrarin.

Autoriteti është i gatshëm të asistojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Gjithashtu, dy rregullatorët do të bashkëpunojnë në funksion të përmirësimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, duke iu përgjigjur evoluimit të vazhdueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje, si dhe shkëmbimin e eksperiencave nëpërmjet takimeve të ndërsjella në funksion të rritjes së mëtejshme të standardeve në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga të dyja palët, do të jetë në fuqi për një periudhë kohore të pakufizuar, derisa i njëjti shfuqizon Memorandumin e mëparshëm që ishte në fuqi nga viti 2008.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Ditës Botërore të Kursimeve, fton nxënësit e klasave VI deri IX të shkollave fillore të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për Esenë më të mirë për kursimet.

Motoja e Ditës Botërore të Kursimeve për 2020 është: “Me kursime të vogla për qëllime të mëdha”.

 Kriteret e konkursit

  • Eseja duhet të ketë maksimum 1.500 fjalë;
  • Eseja duhet të shtjelloje rëndësinë e kursimit për të ardhmen, rrëfimin personal për kursimet si dhe dëshirat / qëllimet që përpiqeni t’i realizoni;
  • Eseja duhet të jetë origjinale, kreative dhe jo e kopjuar apo përkthyer;
  • Eseja duhet të jetë në gjuhën shqipe.

Punimet tuaja mund t’i dërgoni vetëm përmes postës elektronike në adresën: [email protected]

Në subjekt shënoni: “Konkursi për ese”

Mos harroni të shënoni :

– Emrin dhe mbiemrin;      

– Emri i shkollës (klasa/ viti/ komuna/ fshati/ qyteti);
– Emri dhe mbiemri i prindit/kujdestarit si dhe adresa e banimit;
– Numri kontaktues i prindit/ kujdestarit/ mësuesit/ profesorit.

Afati i fundit për dorëzimin e punimeve 30  nëntor 2020

10 punimet më të mira do të shpërblehen si më poshtë:

Çmimi i I- 200 euro,

Çmimi i II -150 euro,

Çmimi i III-100 euro, ndërsa

Çmimet prej IV-X me nga 50 euro.

Punimet e përzgjedhura si punime fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Të interesuarit, për informata shtesë, mund t’i drejtohen faqes zyrtare të BQK-së  www.env2.bqk-kos.org, platformës së  BQK-së për Edukim Financiar http://edukimifinanciar.org ose mund të na kontaktojnë me email në [email protected]. Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së Eseve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues. Suksese!

Skip to content