Zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës kanë mbajtur një ligjëratë me bankierët e rinj nga Banka Private e Biznesit, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar.
Para bankierëve të rinj është shpjeguar roli i BQK-së dhe përgjegjësitë e saj.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka si mision të ruajë stabilitetin financiar, të sigurojë sistem efektiv të pagesave dhe furnizim me para të gatshme, si dhe t’i ofrojë këshilla ekonomike Qeverisë dhe subjekteve të tjera publike. Gjithashtu, BQK-ja edhe pse nuk është e përfshirë në disenjimin, shtypjen dhe prerjen e monedhës Euro, siguron që vendi të ketë sasi dhe cilësi adekuate të monedhës së Euros. Në vitin 2002 BQK-ja themeloi sistemin e pagesave ndër bankare, kurse nga viti 2011 jemi bërë anëtarë të SWIFT-it”, ka deklaruar Nexhat Miftari, shef i kabinetit të Guvernatorit të BQK-së. 

28marsbankieret.jpg

Miftari ka folur edhe për mbikëqyrjen bankare ku aktualisht në Kosovë janë të licencuara 10 banka, 8 prej të cilave janë me kapital të huaj dhe 2 banka me kapital vendor.

“Vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar në janar të vitit 2019 arriti në 4.163 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6% krahasuar me janar 2018. Gjithsej kreditë (bruto) në janar të vitit 2019 ishin në shumë prej 2.75 miliardë euro, të cilat shënuan rritje vjetore prej 11.4%. Depozitat në janar të vitit 2019 evidentojnë 3.348 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.4%. Treguesi i kredive joperformuese ishte në normën prej 2.6% në janar të vitit 2019 nga 3.1% sa ishte në janar të vitit 2018”, ka thënë Miftari.

Ai ka thënë se nivelet e kapitalit të bankave janë të mjaftueshme për të mbështetur profilin e rrezikut të tyre, pasi ato janë mbi minimumin e kërkuar rregullatorë. 

Miftari i informoi bankierët e rinj edhe për ndryshimet ligjore dhe ato rregullative, duke përfshirë hyrjen në fuqi të Rregullorës së Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar (SNRF) 9, Rregulloren për Adekuatshmërinë e Kapitalit të Bankave, Rregulloren për Treguesit e Leverazhit dhe

Rregulloren mbi Procesin e Vlerësimit të Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 1 janar 2020.
Nga ana tjetër bankierët e rinj parashtruan pyetje rreth shumë proceseve që i kryen BQK-ja.

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli, ka takuar sot një delegacion të lartë të Eurostat-it për të diskutuar mbi statistikat dhe çështjet përkatëse që kanë të bëjnë me informacionin statistikor në Kosovë.

Zëvendësguvernatori Havolli ka informuar zyrtarët e Eurostat-it lidhur progresin e bërë nga BQK-ja në vitet e fundit për të zhvilluar një sistem të qëndrueshëm statistikor, që prodhon statistika cilësore të nevojshme për procesin e vendimmarrjes.

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori Havolli potencoi se fokusi i BQK-së është në statistikat e sektorit monetar e financiar, sektorit të jashtëm dhe në statistikat e sektorit të llogarive financiare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se pa statistika të shëndosha nuk mund të monitorojmë zhvillimet ekonomike e as të nxjerrim politika ekonomike të mira. Ne duhet të jemi të mirëinformuar, që të hartojmë politika dhe të marrim vendime adekuate, si në sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror. Prandaj, BQK-ja është e përkushtuar në përpilimin e të dhënave me cilësi të lartë. BQK-ja që nga themelimi i saj ka punuar në tre elemente kryesore për të ndërtuar një sistem të mirë statistikor: (a) kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesave për të dhëna me cilësi të lartë dhe në kohë; (b) gjithmonë kemi zbatuar metodologjitë e fundit ndërkombëtare për përpilimin e të dhënave që janë në domenin e BQK-së; dhe, (c) kemi ndërtuar një sistem efikas të publikimit të shpërndarjes  së të dhënave që prodhohen nga BQK-ja. Këtë vit, BQK-ja shënon 20 vjetorin e themelimit dhe për këtë periudhë njëzetvjeçare janë bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi statistikor që publikon statistika cilësore”, Zëvendësguvernatori Havolli.

Ai ka përmendur edhe sfidat që e presin BQK-në sic janë: avancimi i mëtutjeshëm i kuadrit ligjor e institucional dhe harmonizimi i plotë me ‘EU acquis’, përpilimi i statistikave për llogaritë financiare, si dhe forcimi i mëtejmë i kapaciteteve njerëzore me staf shtesë dhe trajnime.

Zëvendësguvernatori Havolli falënderoi Eurostat-in për mbështetjen konstruktive në avancimin e sistemit statistikor të Kosovës dhe se BQK-ja është e gatshme të forcojë më tutje këtë bashkëpunim për të dërguar më shumë të dhëna për Kosovën në Eurostat.

“BQK do vlerësonte shumë çdo mbështetje nga Eurostati dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar në procesin e harmonizimit të plotë të kuadrit ligjor të Kosovës me legjislacionin e BE-së në fushën e statistikave. Kosova ka nevojë edhe për mbështetje në procesin e ndërtimit të një kornize për përpilimin e statistikave të llogarive financiare. Çdo mbështetje në këtë kontekst do të na ndihmonte që të përshpejtojmë harmonizimin e plotë të statistikave tona me ato të vendeve të BE-së”, tha tutje Zëvendësguvernatori Havolli.

Përfaqësuesit e Eurostat-it, të kryesuar nga Eduardo Barredo Capelot, Drejtor për Bashkëpunim Statistikor në Eurostat, falënderuan Zëvendësguvernatorin Havolli për informimin.

Ata shprehën gatishmërinë për përkrahjen e mëtejmë të BQK-së dhe Kosovës në përgjithësi, në zhvillimin e mëtejmë të sistemit statistikor dhe harmonizimin e plotë të statistikave në përputhje me EU acquis.

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve Guvernatori Mehmeti priti në takim Avokatin e popullit z. Hilmi Jashari. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet dhe aktivitetet brenda mandateve ligjore të të dy institucioneve.

Në veçanti u diskutua për zhvillimet aktuale në sektorin financiar. Guvernatori Mehmeti siguroi Avokatin e Popullit se sektori financiar vazhdon të jetë shumë stabil dhe do të përkrahë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në anën tjetër Avokati i popullit z. Hilmi Jashari vlerësoi lart punën e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.   

Mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe mbështetur në kriteret e përcaktuara në konkursin për pozitën e dy anëtarëve joekzekutivë në Bordin e BQK-së, Paneli për përzgjedhjen e kandidateve për pozitën si më sipër ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve (renditja alfabetike) si në vijim:

  1. Behxhet Brajshori
  2. Fadil Osmani,
  3. Nexhat Kryeziu,
  4. Nuhi Ahmeti,
  5. Petrit Gashi,
  6. Ramë Rexha, dhe
  7. Sejdi Rexhepi.

Nxënës të shumtë të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” nga Vushtrria kanë pasur rastin të mësojnë për rëndësinë e parasë, mënyrat e kursimit të saj dhe identifikimin e kartmonedhave false.
Ligjëratat e mbajtura më nxënësit e kësaj shkolle nga stafi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës janë zhvilluar në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”, që po organizohet për të 6-in vit më radhë.

Zyrtarë të BQK-së kanë thënë se qëllimi kryesor i shënimit të kësaj jave është fuqizimi i gjeneratave të reja, që të jenë në hap me kohën dhe të përgjegjshëm dhe qytetarë që në vazhdimësi zhvillojnë dhe ngritin njohuritë e tyre ekonomike.

vushtri2_n.jpg

Gjithashtu me mbështetjen e duhur në edukimin e gjeneratave të reja do të mundësojmë ngritjen e njohurive financiare me qëllim të krijimit të një jetese më të mirë për ta.

Gjatë ditëve në vijim BQK-ja do të organizojë aktivitete për shënimin e kësaj edhe në shkollat dhe institucionet e tjera arsimore në gjithë vendin, ku më 27 mars do të mbahet një ligjërat në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, më 28 mars BQK-ja do të organizojë një ligjëratë me bankierët e rinj nga BpB, pastaj do të mbahet një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës.
Më 29 mars  BQK-ja do të organizojë aktivitete me nxënës të Shkollës Fillore “Faik Konica” dhe më 30 mars do të organizohet një ligjëratë në Universitetin AAB në Prishtinë.

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në BQK u organizua një takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e bankave komerciale që operojnë në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID 19, si dhe diskutimi i planit të rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim.

Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së vlerësoi lart konstruktivitetin e treguar nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe, duke iu përgjigjur pozitivisht nevojave të ekonomisë përmes lehtësimeve që ju kanë bërë huamarrësve. Guvernatori Mehmeti shprehu bindjen se sektori bankar, i cili gëzon një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë, do të luajë një rol kyç gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike duke shërbyer si partner i besueshëm i institucioneve, në përpjekjet për të ndihmuar rikuperimin dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Vlerësim të lartë për punën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe shprehu edhe Ministri Bislimi, i cili së bashku me Zëvendësministrin Ilir Aliu prezantuan para drejtuesve të bankave edhe planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili po përgatitet nga një grup punues që përfshin përfaqësues të Qeverisë, BQK-së dhe bizneseve. Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët.

Nga ana tjetër, Albert Lumezi, Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, shprehi falënderimin për reagimin e shpejtë të BQK-së për sa i përket masave rregullative në raport me menaxhimin e situatës së krijuar gjatë pandemisë, si dhe mirëpriti iniciativën për krijimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike, duke shfaqur gatishmërinë e sektorit bankar për të kontribuuar në këtë proces.

Të gjitha palët u pajtuan për ta vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në procesin e finalizimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike dhe për domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të implementimit të një plani të tillë në mënyrë që të minimizohen pasojat ekonomike të pandemisë dhe të ndihmohet rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Banka Qendrore e Gjermanisë – Deutsche Bundesbank së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Bankën Qendrore Evropiane kanë nisur sot një program të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), nga i cili do të përfitojnë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bankat qendrore dhe autoritetet e mbikëqyrjes bankare nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.  

Qëllimi i programit është të forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve që janë përfitueset e fundit, në veçanti duke avancuar më tej mjetet e tyre për analiza dhe politika, si dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.  

BE-ja ka ndarë 2 milionë euro për këtë program nga Instrumenti për Ndihmën e Paraanëtarësimit (IPA II).

“Me këtë iniciativë të përbashkët, komuniteti bankar qendror në BE qëndron i gatshëm që t’i mbështesë kolegët tanë në Ballkanin Perëndimor në përpjekjet e tyre për t’i futur në zbatim standardet më të larta, për të mirën e vendeve dhe njerëzve të tyre”, tha Menaxheri i Programit nga Deutsche Bundesbank, Martin Dinkelborg, me rastin e takimit të parë të Komitetit Drejtues të Programit. 

Drejtoresha e Departamentit të Analizës dhe Hulumtimit Ekonomik e Bankës Qendrore të Austrisë, Doris Ritzberger-Grünwald, theksoi rëndësinë e programit rajonal për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të rajonit.  

Po ashtu, ajo e mirëpriti qasjen kolaborative të ndërmarrë nga 18 bankat qendrore kombëtare të vendeve të BE-së dhe BQE-ja, të cilat po kontribuojnë në program.  

“Programi synon përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe në një perspektivë më afatgjate, mbështetjen e institucioneve të rajonit për anëtarësimin eventual në BE, në këtë rast në SEBQ”, tha Andreas Papadopoulos, Këshilltar për Qeverisjen Ekonomike në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit. 

Gjatë 24 muajve të ardhshëm, Deutsche Bundesbank së bashku me 17 bankat qendrore kombëtare që po marrin pjesë dhe me kontribuimin e BQE-së, do të organizojnë një program intenziv rajonal të trajnimit mbi çështjet kyçe të bankingut qendror dhe mbikëqyrjes, i cili do të përbëhet nga 20 aktivitete trajnimi me kapacitet deri në 360 vende trajnimi.  

Trajnimi do të fokusohet veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve financiarë dhe përfshirjes financiare, rimëkëmbjes dhe përmbylljes, politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, pajtueshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit, si dhe auditimit të brendshëm.  

Ai do të realizohet nga ekspertët e bankave qendrore kombëtare të SEBQ-së dhe BQE-së.  

Po ashtu do të realizohen edhe dy punëtori të politikave për vendimmarrësit lidhur me përmbylljen e kredive joperformuese dhe çështjet e qeverisjes.  

Së fundi, por jo më pak me rëndësi, krahas aktiviteteve të trajnimit rajonal, programi do të financojë zbatimin e masave specifike dypalëshe që do të përcaktohen në mbledhjet e Komitetit Drejtues të Programit. 

Programi është duke u zbatuar nga Deutsche Bundesbank në partneritet me bankat qendrore të Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Greqisë, Spanjës, Francës, Kroacisë, Italisë, Lituanisë, Hungarisë, Holandës, Austrisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Banka Qendrore Evropiane do të kontribuojë në zbatimin e projektit.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 maj 2020,  mori vendimet si në vijim: 

  • Vendim për miratimin e Rishikimit të Buxhetit të vitit 2020;
  • Rekomandim për miratimin e Manualit të Auditimit të Brendshëm;

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin tremujor të Auditimit të Brendshëm për periudhën janar-mars 2020 dhe Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

BQK

Gjatë ditës së shtunë në shumë portale të vendit është publikuar lajmi me titull: “BQK-ja shtyn afatin e kësteve të kredive”.

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dëshiron të sqarojë edhe njëherë se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.

Edhe njëherë sqarojmë se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të Covid 19. 

Sikurse kemi informuar edhe më herët, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe.

BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë.

BQK-ja, do të vazhdojë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra parësore e BQK-së.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve, të kryesuar nga kryetari Agim Shahini.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e AKB-së me zhvillimet në sektorin financiar pas lehtësimit të masave dhe planet e ardhshme të BQK-së me qëllim të dhënies së ndihmës për të rimëkëmbur ekonominë, për çka BQK-ja mbetet e përkushtuar të kontribuojë në lehtësimin e mëtejmë të qasjes në financa.

Në këtë takim u shpalosen sugjerimet e BQK-së për kontributin që sektori financiar mund të japë për të ndihmuar në përmirësimin e situatës ekonomike në vend.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AKB-së paraqitën pikëpamjet e tyre për mënyrën se si mund të ndihmohet ekonomia për t’u rimëkëmbur më lehtë, si dhe falënderuan BQK-në për ndërmarrjen e masave të menjëhershme për t’u dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve me masat e ndërmarra.

Skip to content