Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 janar 2020,  mori vendimet si në vijim: 

  • Vendim për miratimin e Rregullores për Reklamimin e Shërbimeve Financiare;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Qeverisjen Korporative të Siguruesve;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të Siguruesve.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv

Më datën 26 dhjetor 2019 Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës miratoi amandamentimet e “Rregullores për Instrumentet e Pagesave Elektronike”, të cilat hyjnë në fuqi nga data 01 shkurt 2020.
Me anë të këtyre ndryshimeve klientët e bankave mund t’i përdorin kartelat e tyre për kryerjen e pagesave për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, përmes të gjitha terminaleve POS pa marr parasysh se cilës bankë i përkasin,  pa aplikim të kostove shtesë. 

Këto ndryshime janë të bazuara në praktikat dhe standardet e BE-së, të cilat kanë për qëllim rritjen e përdorimit të kartelave dhe instrumenteve tjera të pagesave elektronike, si shërbime më efikase me kosto më të ulët për ofruesit dhe përdoruesit e shërbimeve të pagesave.

Prandaj, me anë të këtij njoftimi i inkurajojmë të gjithë qytetarët të përdorin kartelat e tyre për pagesë, si mjete të sigurta pagese pa ndonjë kosto shtesë.

Linku i Rregullores:

https://env2.bqk-kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Rregullore%20per%20Instrumentet%20e%20Pagesave%20Elektronike.pdf

Studentët e Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB kanë mësuar për mënyrën e funksionimit të tregut të letrave me vlerë në Kosovë.

Shkendije Nahi nga Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës ka prezantuar para studentëve në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar mënyrën e organizimit dhe mbajtjes së ankandeve të Letrave me Vlerë dhe roli i BQK-së në këtë proces.

“Sipas Rregullores për Tregun Primar dhe Sekondar të Letrave me Vlerë të Qeverisë, instrumentet e borxhit në tregun e Letrave me Vlerë janë: Bonot e Thesarit – Instrumente afatshkurtëra, Obligacionet – Instrumente afatgjata, Operacionet e tregut Sekondar (Tregtimi, Repo-t). Dy operacionet kryesore Repo janë: Repo me BQK (“Vertikale”) dhe Repo në mes bankave (Akterëve Primar) (“Horizontale”)”, ka deklaruar Nahi në këtë ligjëratë.

Burim shtesë dhe i rëndësishëm për mobilizimin e mjeteve financiare janë edhe mundësitë për investime në instrumente likuide, Investime të sigurta, Rritja e likuiditetit në tregun monetar Rritja e konkurrencës dhe Bazë për zhvillimin e Tregut të Kapitalit.

Studentët kanë marrë informata se cilat institucione financiare janë pjesëmarrëse ne Tregun Primar të Letrave me Vlerë dhe në Tregun Sekondar të Letrave me Vlerë, pastaj kanë marrë informatat për Instrumentet në Tregun e Letrave me Vlerë, Rëndësia e zhvillimit të Tregut të Letrave me Vlerë, Ligjet, rregulloret dhe marrëveshjet e riblerjes, si dhe Kalendarin e letrave me vlerë.

Nga ana tjetër, profesoresha e lëndës Institucionet Ndërkombëtare Financiare, Florije Miftari ka thënë se organizimi i ligjëratave nga BQK-ja për studentët e drejtimi të ekonomisë do të ketë një ndikim të mirë në mësim nxënie.

Studentët e pranishëm kanë parashtruar pyetje të ndryshme rreth mënyrës së funksionimi të tregut të letrave me vlerë.

Me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit të sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative të siguruesve.

Kjo rregullore përcakton kriteret dhe kufizimet për menaxhimin e komisioneve dhe shpenzimeve për siguruesit jojetë, si dhe përcakton nivelet e lejuara të komisioneve të ndërmjetësimit dhe shpenzimet operative. Zbatimi i kësaj rregulloreje do të mbikëqyret nga BQK-ja në mënyrë të plotë përmes raportimit nga ana e siguruesve dhe mbikëqyrjes në vend.

Kufizimi i shpenzimeve për komisionet e ndërmjetësimit dhe shpenzimeve operative do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës financiare të këtij sektori, dhe rrjedhimisht në rritjen e kapaciteteve të siguruesve për të paguar dëmet ndaj palëve të dëmtuara. Miratimi i kësaj rregulloreje është në vazhdën e aktiviteteve të tjera të ndërmarra së fundmi nga BQK-ja për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve.

BQK-ja mbetet e përkushtuar në marrjen e të gjitha masave dhe veprimeve të nevojshme për të përmbushur detyrat e saj ligjore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe mbrojtjes së interesave të publikut.   

Linku i rregullores: 

https://env2.bqk-kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Rregullore%20për%20menaxhimin%20e%20komisioneve.pdf

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur nxënësit e Shkollës Fillore “Faik Konica” nga Prishtina.
Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka shpjeguar rëndësinë që e kanë paratë në jetën e çdo njeriu, mënyrat e kursimit të saj dhe identifikimin e kartëmonedhave false.

Ligjërata me nxënësit e kësaj shkolle u zhvilluan në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”, që po organizohet për të 6-in vit me radhë.
Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se me anë të këtij organizimi po synohet që të fuqizohen gjeneratat e reja, që të jenë në hap me kohën, të përgjegjshëm dhe qytetarë që në vazhdimësi zhvillojnë dhe ngritin njohuritë e tyre ekonomike.
“Gjithashtu me mbështetjen e duhur në edukimin e gjeneratave të reja do të mundësojmë ngritjen e njohurive financiare me qëllim të krijimit të një jetese më të mirë për ta”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.
Po ashtu Divizioni i Edukimit ka zhvilluar një punëtori me fëmijët, të cilët kanë demonstruar aftësitë e tyre dhe dijet për paranë, kursimin e tyre, si  dhe janë njohur me fushat dhe interesin që paraqet edukimi për ta.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga z. Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë në kuadër të Departamentit Evropian të FMN-së dhe Stephanie Eble, Përfaqësuese Rezidente Rajonale për Ballkanin Perëndimor. Guvernatori Mehmeti i ka njoftuar të pranishmit me situatën aktuale në sistemin financiar të Kosovës, në përgjithësi dhe sistemin bankar në veçanti, i cili vazhdon të jetë stabil dhe me rritje të vazhdueshme. Guvernatori Mehmeti i falënderoi delegacionin për përkrahjen e vazhdueshme që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë Kosovës, dhe në veçanti Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në realizimin e detyrës së saj për nxitjen dhe mbajtjen e stabilitetit financiar. Z. Gabriel Di Bella, falënderoi Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, agjendën e përbashkët për muajt e ardhshëm, si dhe  për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe BQK-së. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë delegacioni i FMN-së përveç me zyrtarë të BQK-së, do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Delegacioni i FMN-së përfundon vizitën me 26 shkurt.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur mbledhjen të datës 20 shkurt 2020 mori vendim si në vijim: 

  • Bordi miratoi emërimin e Shefit të Auditimit të Brendshëm.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 shkurt 2020 mori vendim si në vijim: 

  • Vendim për miratimin e Rregullores për Dënimet me Gjobë për Siguruesit, Ndërmjetësuesit në Sigurime dhe Trajtuesit e Dëmeve në Sigurime.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv dhe Raportin Vjetor të Komitetit të Auditimit të BQK-së për vitin 2019.

Temë diskutimi me ekipin e Bankës Botërore ishte Memorandumi Ekonomik i Vendit (Country Economic Memorandum) si dhe perspektiva dhe sfidat në të ardhmen lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektiven e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë, në veçanti.
Gjithashtu, njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të  sektorit financiar në Kosovë, dhe potencoi rendësin e këtij sektori  në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.  Guvernatori Mehmeti falënderoi Bankën Botërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Nga ana tjetër, drejtori i BB-së për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Marco Mantovanelli tha se institucioni që e drejton do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar.

Pas situatës së krijuar si rezultat i #Covid19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ju njofton se të gjitha Bankat e Kosovës janë duke funksionuar normalisht, ashtu sikur edhe zonat 24/7 dhe bankomatët. Këto hapësira janë duke u dezinfektuar rregullisht nga ana e bankave, por duke pasur parasysh masat mbrojtëse të rekomanduara si pjesë e parandalimit të shpërndarjes së virusit, ju lutemi që degët bankare t’i shfrytëzoni sa më rrallë dhe të përdorni më tepër kartelat bankare, dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet tuaja bankare.

Skip to content