Foto-1-1024x576

Përfaqësues nga Komiteti i Auditimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (KA) dhe Auditimi i Brendshëm, realizuan një vizitë pune në Bankën e Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit e BQK-së u pritën nga Inspektorja e Përgjithshme dhe nga përfaqësues të Komitetit të Auditimit dhe Departamentit të Kontrollit të Bankës së Shqipërisë.  

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave të dy bankave qendrore simotra në fushën e auditimit të brendshëm, menaxhimit të rrezikut dhe kontrollit të brendshëm në përgjithësi.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe tërë mekanizmat e saj mbeten të përkushtuar në ngritjen e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë në fushën e kontrollit të brendshëm, menaxhimit të rrezikut, auditimit të brendshëm dhe jo vetëm.

single_resolution-1024x683

Gjatë vizitës së tij në rajon, z. Jesús Saurina Salas, anëtar i Bordit të Autoritetit të Përmbylljes të BE-së (ang. “Single Resolution Board”- SRB), u mirëprit në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) nga zëvendësguvernatorët Shileku-Shala dhe Cakaj. Kjo vizitë ofroi mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve për sektorin bankar në Kosovë, i cili në të gjithë parametrat kryesorë paraqet një sistem të shëndoshë dhe shumë të qëndrueshëm, duke përfshirë një raport historikisht të ulët të KJP-ve prej 2%.

Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala theksoi rolin vendimtar të partneriteteve me SRB-në në forcimin e kapaciteteve të BQK-së në rikuperim dhe përmbyllje. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e mënyrave për bashkëpunimin teknik.

Zëvendësguvernatorët informuan z. Salas lidhur me themelimin e funksionit të Rimëkëmbjes dhe Përmbylljes, në përputhje me planin strategjik të BQK-së dhe mandatin e saj rregullator.

Gjatë kësaj vizite u theksua përkushtimi i fuqishëm të BQK-së për të nxitur një mjedis të qëndrueshëm rregullator që mbështet rritjen ekonomike duke siguruar qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sektorit financiar të Kosovës.

bqk-fkgk_01-1024x768

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e avancimit të gjithëpërfshirjes financiare.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi është bërë për qëllim të qasjes në financa për Ndërmarrjet e Vogla, të Mesme dhe të Mëdha për funksionalizimin e Dritares së re për Investime të diasporës.

Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili theksoi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm dhe se do të kontribuoj në zbatimin e Planit Strategjik të institucionit që drejton.

“Avancimi i bashkëpunimit me FKGK-në, është një hap i rëndësishëm në mbështetjen e qasjes në financa dhe përfshirjes financiare. Shkëmbimi i të dhënave sipas kësaj marrëveshje dhe vendimmarrjes bazuar në evidenca do të kontribuojë edhe në zbatimin e mandatit dhe Planit Strategjik të BQK-së”, theksoi Guvernatori Ismaili.

“Kjo është e veçanërisht e rëndësishme pas funksionalizimit të Dritares së re për Investimet e diasporës. Ne presim që të gjitha bankat të angazhohen në mënyrë efikase në këtë dritare dhe të ofrojnë mbështetje të qëndrueshme përmes financimit të investimeve në ekonomi”, shtoi i pari i BQK-së.

bqk-fkgk_02-1024x768

Ndërsa, Drejtori Menaxhues i FKGK-së, z. Besnik Berisha u shpreh se kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin mes dy institucioneve në të mirën e ekonomisë së vendit.

“Jemi të lumtur që sot nënshkruajmë amandamentimin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, gjë që do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin mes dy institucioneve në të mirën e ekonomisë së vendit dhe lehtësimit të qasjes në financa për NMVM-të”, u Drejtori Berisha.

“Ky amandamentim i Marrëveshjes së Mirëkuptimit me BQK-në vjen në një moment shumë të rëndësishëm, kur kemi lansuar Dritaren për Investime të diasporës, gjë që do t’i ndihmojë mbarëvajtjes dhe zhvillimit të kësaj dritareje si dhe të gjitha skemave tjera garantuese të FKGK-së”, përfundoi z. Berisha.

Në fund, palët u pajtuan që Marrëveshja shpreh vullnetin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të kontribuar në rritjen e stabilitetit ekonomik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

bqk-ifc_001-1024x597

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili dhe z. Nicolas Marquier, Menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për avancimin e Shërbimeve Financiare Digjitale në vendin tonë. Ky partneritet është në harmoni me Planin Strategjik të BQK-së, i cili ka për qëllim avancimin e digjitalizimit, modernizimin e proceseve dhe infrastrukturën e tregut, në përputhje me Projektligjin për Shërbimet e Pagesave.

bqk-ifc_002-1024x723

Me anë të kësaj Marrëveshjeje, IFC-ja do të mbështesë BQK-në në zhvillimin dhe avancimin e një ekosistemi të qëndrueshëm financiar digjital, i cili jo vetëm që adreson nevojat e tregut vendor, por edhe përputhet me standardet evropiane. Kjo iniciativë është në kuadër të Projektit të Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financave Digjitale të Evropës Qendrore dhe Lindore të IFC-së, i cili ofron shërbime këshilluese për të promovuar rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale në Republikën e Kosovës. Projekti financohet nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), që ka për synim promovimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në vendet partnere.

Për më tepër, ky projekt ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe infrastrukturës digjitale për të mundësuar rritjen e sektorit të shërbimeve financiare digjitale (DFS) dhe për të lehtësuar dialogun publiko-privat brenda sektorit. Një aspekt i rëndësishëm i projektit është përafrimi i palëve të interesuara publike dhe atyre private përmes aktiviteteve të shkëmbimit të praktikave dhe të një platforme publiko-private.

“Kjo Marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në planin dhe objektivat tona strategjike për avancimin e digjtalizimit, përmirësimin e infrastrukturës së tregut, rritjen e qasjes në financa dhe promovimin e edukimit financiar. Ne si BQK jemi mirënjohës për mbështetjen e ofruar nga IFC-ja dhe besojmë se ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm në avancimin e ekosistemit tonë financiar digjital që nxit inovacionin duke siguruar standarde të qëndrueshme rregullatore”, tha Guvernatori Ismaili, pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje.

bqk-ifc_003-1024x689

BQK-ja është institucioni i parë që përfiton nga ky projekt, që ka filluar në mars të vitit 2024. Qëllimi i projektit është të rrisë pjesën e transaksioneve pa para të gatshme (cashless) në raport me vlerën totale të transaksioneve dhe të lehtësojë financimin për të gjithë rajonin në vlerë prej 45 milionë dollarësh.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të avancoj infrastrukturën e tregut me qëllim të përmbushjes së standardeve evropiane, duke nxitur zhvillime të rëndësishme në financat digjitale për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duke hapur rrugën për integrimin e ardhshëm në tregun financiar evropian.

bqk-ask-mfpt_001-1024x686

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, nënshkroi Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), përfaqësuar nga Ushtruesi i Detyrës së i Kryeshefit Ekzekutiv z. Avni Kastrati dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), përfaqësuar nga Ministri z. Hekuran Murati.

Përmes kësaj Marrëveshjeje, që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e tri institucioneve nënshkruese, palët pajtohen të bashkëpunojnë në fushën e statistikave Makroekonomike dhe Financiare, duke shkëmbyer të dhënat që bien në përgjegjësinë e tyre me qëllim të zbatimit të standardeve ndërkombëtare më të larta për përpilimin dhe raportimin e statistikave. Rrjedhimisht, kjo Marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë dhe besueshmërisë së statistikave në nivel të vendit, duke qenë në harmoni me standardet ndërkombëtare, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar dhe për të mbështetur politikëbërjen ekonomike.

Njëkohësisht, nënshkrimi i këtij Memorandumit të Bashkëpunimit përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e zotimeve të vendit ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për avancimin e mëtejshëm të përpilimit dhe raportimit statistikor, të diskutuara dhe dakorduara në takimet pranverore të FMN-së në Washingron D.C., gjatë takimit me kryestatisticienin, njëherësh drejtorin e Departamentit të Statistikave.

bqk-ask-mfpt_002-1024x683

Guvernatori Ismaili, në vijim të dakordimit ndërinstitucional, do të parashtrojë në FMN “Letrën e Interesimit” në nivel të vendit për avancimin e sistemit statistikor të Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS), si një standard më i avancuar, i cili promovon përmirësimin e kualitetit, transparencës dhe disponueshmërisë së informatave statistikore.

“Kjo Marrëveshje konkretizon përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve për të avancuar në përpilimin, shpërndarjen, transmetimin dhe shkëmbimin e statistikave të vendit tonë sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Njëkohësisht, përmes këtij bashkëpunimi synojmë t’i përmbushim udhëzimet statistikore ndërkombëtare, në mënyrë që të përpilojmë të dhëna cilësore që i shërbejnë analizave të avancuara dhe hulumtimeve ekonomike, si dhe vendimmarrjes së bazuar në evidenca”, theksoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi tre-palësh.

BQK-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar në arritjen e standardeve më të larta të përpilimit dhe raportimit të të dhënave dhe transparencës, njëkohësisht duke përmbushur kështu zotimet e saj ndaj partnerëve ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të parapara në Planin Strategjik 2024-2028.

bqk_nbrm-001-1024x769

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka pritur një delegacion të nivelit të lartë nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV) për një vizitë zyrtare dyditore. Guvernatori i BQK-së z. Ahmet Ismaili me zëvendësguvernatorët dhe bashkëpunëtorë priti delegacionin e kryesuar nga Guvernatorja znj. Angelovska-Bezhoska e shoqëruar nga zëvendësguvernatori Bajrami dhe ekipi i tyre. Vizita kishte për qëllim zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore në disa fusha të rëndësishme, duke përfshirë mbikëqyrjen financiare, stabilitetin financiar dhe kornizën makroprudenciale, sistemet e pagesave duke përfshirë integrimin në SEPA, mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin financiar.

bqk_nbrm-002-2-1024x768
bqk_nbrm-005-1-1024x598
bqk_nbrm-006-1-1024x688
bqk_nbrm-007-1024x805

Vizita filloi me sesionin përshëndetës ku Guvernatori Ismaili dhe Guvernatorja Angelovska-Bezhoska së bashku me ekipet e tyre patën një diskutim gjithëpërfshirës për zhvillimet aktuale, me theks tek objektivat dhe planet strategjike si dhe perspektivën e ardhshme. Gjithashtu, takimi kishte qëllim bashkëpunimin në funksion të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, që kontribuojnë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare.

bqk_nbrm-008-1024x683
f
bqk_nbrm-010-1024x528


Pas takimit pritës, ekipet analizuan në mënyrë përmbajtësore sfidat e sektorëve financiare me të cilat përballen të dy vendet. Në diskutimet dhe prezantimet nga BQK-ja dhe BPRMV-ja trajtuan zhvillimet e fundit për sektorin financiar me theks të veçantë në institucionet bankare, institucionet e sigurimeve, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, duke u fokusuar në instrumentet rregullatore të nevojshme për forcimin e shëndetit financiar dhe qeverisjes sektoriale.

bqk_nbrm-011-1024x691
bqk_nbrm-012-1024x681
bqk_nbrm-013-1024x768

Gjatë diskutimeve të mëtejshme, gjithashtu u trajtuan edhe avancimet e bëra në kornizën dhe instrumentet makroprudenciale, duke përfshirë praktikat aktuale dhe ndikimin e instrumenteve të ndryshme makroprudenciale që përdoren nga të dyja bankat qendrore. Po ashtu, takimet trajtuan avancimet në fushën e sistemit të pagesave, me fokus integrimin në SEPA dhe zbatimin e pagesave të shpejta. Gjithashtu, u diskutua për përmirësimin e transaksioneve ndërkufitare dhe shfrytëzimin e inovacioneve në teknologji për efikasitet më të madh rajonal, duke përfshirë aktivitetet e përbashkëta hulumtuese.

bqk_nbrm-014-1024x768
df

Vizita përfundoi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit (MiM) të zgjeruar, e cila rikonfirmoi angazhimin për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe aktivitete të koordinuara ndërmjet dy bankave qendrore. Ky memorandum mbështet bashkëpunimin dhe integrimin më të zgjeruar, duke kontribuar në stabilitetin dhe rritjen ekonomike rajonale.

BQK_Moldavi_001-1024x683

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha dhe anëtari jo ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Nexhat Kryeziu, përfaqësuan BQK-në në Konferencën Rajonale të Organizuar nga Banka Kombëtare e Moldavisë (NBM), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Qendra për Ekselencë Financiare (CEF), me temën “Promovimi i Qeverisjes, Menaxhimit të Rrezikut dhe Komunikimit të Bankave Qendrore në një ambient në ndryshim”.

BQK_Moldavi_002-1024x683

Kjo konferencë që u mbajt në Kishinau të Moldavisë, solli së bashku anëtarë të bordeve ekzekutive dhe jo-ekzekutive, si dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Evropës Juglindore, për të diskutuar lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen bankat qendrore në një ambient në ndryshim, për qeverisjen, menaxhimin e rrezikut dhe komunikimin.

Zëvendësguvernatori Fusha dhe anëtari i Bordit z. Kryeziu prezantuan reformat që po ndërmerr BQK-ja për të avancuar qeverisjen, në kuadër të dy paneleve të zhvilluara lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Bordit të BQK-së, ku ndanë me pjesëmarrësit modelin e Kosovës të përbërë nga dy borde, zhvillimet në proces që ndërlidhen me fuqizimin e mbikëqyrjes së Bordit dhe përcaktimin e roleve, përgjegjësive dhe kontrolleve të balancuara ndërmjet dy bordeve, duke paraqitur përvojën dhe perspektivën e tyre për pjesëmarrësit. Reforma këto të realizuara me mbështetjen e FMN-së në kuadër të implementimit të rekomandimeve të vlerësimit të fundit të FMN dhe Bankës Botërore.

BQK_Moldavi_003-1024x683

Gjatë diskutimeve u nënvizuan rëndësia e pavarësisë, transparencës, profesionalizmit dhe integritetit të anëtarëve të Bordit, për një qeverisje efektive të bankave qendrore. Gjithashtu, ju dha vëmendje rëndësisë së qartësimit të roleve midis bordeve mbikëqyrëse dhe ekzekutive për të siguruar mbikëqyrje efektive në funksion të arritjes së objektivave të BQK-së. Pjesë e diskutimeve ishin edhe rëndësia e menaxhimit të rrezikut dhe adaptimit të një kulture organizative që promovon komunikimin e hapur dhe transparencën, si brenda institucionit ashtu edhe me të gjithë akterët relevant, përfshirë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

BQK_Moldavi_004-1024x683

Konferenca e cila u zhvillua gjatë dy ditëve (17-18 shtator 2024) ishte një mundësi e mirë për drejtuesit dhe zyrtarët lartë të bankave qendrore, për të shkëmbyer idetë dhe përvojat e tyre lidhur me qeverisjen, menaxhimin e rrezikut dhe komunikimin, si tri ndër shtyllat kryesore të bankingut qendror.

cbk-malta_balline-002-1024x462

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori, z. Ahmet Ismaili dhe i përbërë nga anëtarët joekzekutivë të Bordit, z. Nurboja, znj. Latifi dhe znj. Hoxha, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Maltës.

Në takimin hyrës, delegacioni i BQK-së u prit nga u.d. Guvernatori i Bankës Qendrore të Maltës, z. Alexander Demarco, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Bonello, Kryeekonomisti Grech, Shefi i Operacioneve Romano dhe anëtari jo-ekzekutiv i Bordit, profesor Bezzina.

Gjatë takimit, guvernatorët e të dy bankave qendrore shkëmbyen informacione rreth zhvillimeve kryesore në sektorin financiar dhe në ekonomi. Guvernatori Ismaili e informoi Guvernatorin Demarco për zhvillimet në kornizën ligjore dhe atë rregullative, projektet strategjike të BQK-së, si dhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës.

cbk-malta_brenda-1024x683

Të dy delegacionet diskutuan kryesisht mbi qeverisjen dhe auditimin, menaxhimin e rrezikut, sistemin e pagesave dhe përgatitjet e duhura për anëtarësim në SEPA, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kërkimet shkencore, ndër të tjera.

Në përfundim të vizitës, palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, ku BQK-ja ka për synim zgjerimin e rrjetit të bankave qendrore partnere si pjesëmarrëse në Eurosistem, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen e thellë për Bankën Qendrore të Maltës për mikpritjen edhe organizimin.

Consumer-protection-metting_Hungarian-Central-Bank

Gjatë vizitës së tyre në Hungari për të marrë pjesë në ditën e 11-të të përbashkët të ESA-ve për mbrojtjen e konsumatorëve, zëvendësguvernatorja Shileku-Shala dhe drejtoresha e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve Suzan Dervari, takuan drejtues të lartë të Bankës Qendrore të Hungarisë, përgjegjës për mbikëqyrjen e përgjithshme të bankave si dhe shoqërive të sigurimit dhe ndërmjetësimit (brokerimit) duke përfshirë mbikëqyrjen e mbrojtjes së konsumatorëve të këtyre subjekteve.

Ky takim paraqiti rast të mirë për të diskutuar për çështjet e mbrojtjes së konsumatorëve, strukturën organizative dhe qasjen e Bankës Qendrore të Hungarisë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve. Në këtë kuptim, zëvendësguvernatorja Shileku-Shala theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Hungarisë, duke theksuar se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) aktualisht është duke i dhënë prioritet ngritjes së aftësive të veta për mbrojtjen e konsumatorëve. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e fushave të mundshme për përpjekje bashkëpunuese.

Kjo vizitë nënvizon përkushtimin e fortë të BQK-së për ta kultivuar një mjedis të fuqishëm rregullator që mbështet rritjen ekonomike, duke vënë gjithashtu theks të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

bqk-fkgk-kfw-1024x768

Marrëveshja mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), e cila synon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një konfirmim shtesë se sektori financiar vazhdon të jetë një shembull i suksesshëm, ku përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar janë hapur mundësi të reja për investime dhe qasje në financa, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kështu ka theksuar Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj, duke shtuar se BQK-ja përmes instrumenteve të saj prudente, vazhdimisht siguron që institucionet financiare të zbatojnë praktika të drejta financimi, me qëllim që të rritet qasja në financa përfshirë sektorët me sfidues dhe më në nevojë.

Ai në fjalën përshëndetëse ka potencuar se sektori financiar i Republikës së Kosovës është ndër më të qëndrueshmit në rajon.

“Sektori financiar i vendit tonë është ndër më të qëndrueshmit në rajon, me nivelin më të ulët të kredive jo-përformuese dhe një nivel që është afër mesatares evropiane”, ka potencuar Zëvendësguvernatori Cakaj.

“Ky indikator, së bashku me indikatorë të tjerë që pasqyrojnë stabilitetin tonë financiar, tregon se kemi një treg të qëndrueshëm, i cili vazhdimisht merr mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë”, ka përfunduar ai.

Kjo Marrëveshje ka për synim forcimin e ndërmarrësisë, ku Republika e Kosovës do të përfitojë 22.1 milionë euro nga 50 milionë euro gjithsej fondet e ri-garancisë të ndara për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Skip to content