BQK

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve.
Vendimi si më lart është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë, aktivitet, i cili tashmë tradicionalisht shënohet në Kosovë.

Para nxënësve të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”, Guvernatori, Fehmi Mehmeti, ka folur rreth rolit të BQK-së në Edukimin Financiar, duke dhënë kontribut në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve, me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.

Sipas Guvernatorit Mehmeti, kjo ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të krizave financiare dhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

“BQK do të vazhdoj të jetë e fokusuar që në vazhdimësi me qëllim të avancojë fushën e edukimit financiar, me qëllim që të kontribuojmë në ngritjen e njohurive, transparencës dhe informimit të qytetarëve dhe në veçanti konsumatorëve të produkteve, dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucione vendore e ndërkombëtare financiare me qëllim që përmes këtij funksioni, të jemi sa më afër qytetarëve”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Në diskutimin e mbajtur në BQK, nxënësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme rreth sektorit financiar dhe rolit të BQK-së në ekonominë e Kosovës.

Në hapje të Javës Ndërkombëtare të Parasë, BQK ka shpallur konkurs për Ese me temën e motos së kësaj jave; “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”, i cili do të qëndroj i hapur deri me 30 prill 2023, ku shtatë Esetë më të mira do t’i fitojnë 7 çmime.

BQK, nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili udhëhiqet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e në te cilin marrin pjesë 176 vende të botës dhe planifikohet të marrin pjesë mbi 50 milionë nxënës e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë kësaj jave, BQK do të organizoj ligjërata të ndryshme me nxënës të disa komunave të vendit dhe të komuniteteve të ndryshme.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë
BQK

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 shkurt 2023, mori vendimet si në vijim:

  • Vendim për miratimin e Rregullores për Raportimin e Bankave;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut të Likuiditetit;
  • Vendim për miratimin e Rregullores për Raportimin e Statistikave të Instrumenteve të Pagesave.

Gjithashtu, Bordi u njoftua me:

  • Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv;
  • Raportin nga takimi i Komitetit të Auditimit;
  • Planin Strategjik të Auditimit të Brendshëm për periudhën 2023-2025.
BQK

Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filloi realizimi i një mase bilaterale me Bankën Qendrore të Luksemburgut. Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar në ngritjen e kornizës dhe praktikës së menaxhimit të mjeteve në BQK, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Bankës Qendrore të Luksemburgut në BQK dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në Bankën Qendrore të Luksemburgut. Të tre këta komponentë të masës bilaterale janë paraparë të realizohen brenda katër muajve. Sikurse edhe pjesët e tjera përbërëse të fazës së dytë të këtij programi të bashkëpunimit, edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).
Me anë të kësaj mase bilaterale do të synohet vlerësimi i gjendjes dhe përkufizimi i rekomandimeve në lidhje me forcimin e kornizës investive, forcimin e roleve të organeve vendimmarrëse, përmirësimin e teknikave operacionale, si dhe përmirësimin e raportimit dhe menaxhimit të rrezikut. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale do të kontribuohet në avancimin e funksionit të saj të menaxhimit të mjeteve, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat përkatëse të bankave qendrore të vendeve të BE-së.
Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 21 shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vite Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

jnp-2024_bqk-1-1024x603

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit në fushën e Edukimit Financiar me përfaqësuesit e sektorit financiar: Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Nënshkrimi i këtij Memorandumi është bërë në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë që po shënohet nga BQK-ja, e përcjellë me aktivitete të shumta në kuadër të Edukimit Financiar.

Qëllim i këtij Memorandumi është avancimi i gjithëpërfshirjes dhe vendosjes bashkëpunimit në fushën e Edukimit Financiar, në mënyrë që të ketë aktivitete të koordinuara dhe bashkërenduara të edukimit si një përgjegjësi e përbashkët midis shumë palëve të tjera të interesit.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili theksoi se institucioni që ai drejton do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të  promovimit të qasjes dhe gjithëpërfshirjes në financa të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

jnp-2024_bqk-2-1024x601

“BQK-ja do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, me qëllim të qasjes në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante”, theksoi Guvernatori Ismaili.

“Bota po ndryshon shpejt, e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, rreziqeve kibernetike, ndryshimet mjedisore e sociale, të cilat janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to”, shtoi i pari i BQK-së.

Marrëveshja do të nxitë dhe promovojë iniciativa, ngjarje, aktivitete dhe materiale nga fusha e Edukimit Financiar (jokomerciale), përmes institucioneve të përfshira. Do të kontribuojë në organizime që rritin njohuritë e qytetarëve mbi produktet dhe shërbimet bankare e të sigurimeve dhe produktet/shërbimet tjera financiare dhe informimin e qytetarëve.

Përmes Edukimit Financiar dhe Javës Ndërkombëtare të Parasë, synohet të avancohen njohuritë edukative financiare, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike e financiare për të gjitha grup-moshat e shoqërisë tonë, duke filluar nga fëmijët dhe të rinjtë, për konsumatorët individualë e deri te ndërmarrësit.

BQK_FE_komunikata-001-1024x682

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të avancuar bashkëpunimin dhe mbështetur aspektin akademik, avancimin e njohurive ekonomike dhe financiare, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin për projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë, financave dhe edukimit financiar.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se ky Memorandum pritet të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë e financave në përgjithësi dhe edukimit financiar në veçanti. Nisma të tilla do të konkretizohen edhe me bartësit tjerë të arsimit të lartë në Kosovë, meqë BQK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në këtë fushë të ndikimit, në pajtim me Planin Strategjik të saj.

BQK_FE_komunikata-002-1024x768

Përmes ligjëratave të dakorduara në fushën e ekonomisë, banka dhe financa, si dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta, kjo nismë ka për qëllim kontributin në reduktimin e hendekut midis kërkesave të tregut të punës dhe edukimit. Veprimet e përbashkëta do të kontribuojnë në avancimin e dijes dhe zhvillimin e sektorit ekonomik në përputhje me objektivat e të  dyja institucioneve.

“Aktivitetet e përcaktuara në këtë Memorandum do të ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit midis BQK-së dhe Fakultetit Ekonomik, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e njohurive në fushën e ekonomisë dhe financave. Zhvillimet në sektorin financiar janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të një vendi. Sektori financiar është pjesë integrale e strukturës ekonomike dhe ka një ndikim të madh në shumë aspekte të ekonomisë së një vendi”, potencoi Guvernatori Ismaili me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes.

Përmes këtij Memorandumi, BQK-ja synon të ndërtojë një platformë të përbashkët me Fakultetin Ekonomik, ku do të mund të zhvillohen projekte dhe iniciativa të përbashkëta për të ngritur dhe avancuar njohuritë edukative ekonomike dhe financiare në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të njohurive për çështjet ekonomike dhe financiare për të rinjtë.

Shkëmbimi i publikimeve dhe të dhënave, ligjëratat për studentët, angazhimi i ekspertëve, bashkëpunimi hulumtues, mundësia e praktikës për studentët, shqyrtimi i kurrikulës dhe organizimi i ligjëratave me ekspertët e BQK-së, janë disa nga aktivitetet e zotuara nga BQK në këtë Memorandum.

Marrëveshja shpreh vullnetin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të kontribuar në rritjen e stabilitetit ekonomik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

Pas nënshkrimi të këtij Memorandumi, Guvernatori Ismaili para studentëve të Fakultetit Ekonomik mbajti ligjëratën me titull “Banka Qendrore dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës” dhe në fund hapi zyrtarisht edhe thirrjen për çmimin vjetor “Ekonomist i ri”.

bqk-amik_01-1024x768

Angazhimi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në përfshirjen financiare të grave ndërmarrëse nuk është vetëm një objektiv, por është një investim në të ardhmen, ka deklaruar Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme, znj. Nesrin Shileku-Shala në konferencën “Qasja në financa për gratë ndërmarrëse”, e cila po bashkëorganizohet nga BQK-ja dhe Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.

Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala në fjalën përshëndetëse theksoi se, me një qasje të shumanshme ndaj përfshirjes financiare, BQK-ja po kontribuon një të ardhme më të ndritshme ekonomike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

bqk-amik_02-1024x768

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të mandatit të saj kushtetues e ligjor dhe përmes strategjisë së saj është e përkushtuar, që të avancojë kornizën rregullative dhe infrastrukturën  mbikëqyrëse me qëllim të harmonizimit me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes së nismave që rritin qasjen në financa dhe qëndrueshmërinë”, theksoi Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala në këtë konferencë.  

Sipas Zëvendësguvernatores Shileku-Shala, arritja e përfshirjes financiare dhe qasjes në financa për gratë kërkon një përpjekje kolektive.

“Sektori financiar, sidomos bankat, institucionet mikrofinancaire por edhe institucionet financiare jobankare ofrojnë mundësi, si dhe produkte e shërbime të cilat ju dedikohen grave ndërmarrëse”, ka potencuar Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala.

bqk-amik_03-1024x768

“Gratë ndërmarrëse kanë nevojë për më shumë trajnime dhe aktivitete në këtë drejtim nga akterët e sektorit financiar dhe përtej. Kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave sa i përket edukimit dhe trajnimit për shërbimet dhe mundësitë financiare që do të rriste edhe portfoliot respektive të institucioneve financiare, si dhe do të kontribuonte pozitivisht edhe në shëndetin e përgjithshëm financiar të sektorit”, ka shtuar ajo.

Në këtë drejtim, njohuria financiare si gurthemeli i fuqizimit financiar, grave ndërmarrëse do t’ua mundësonte:

  • T’i kuptojnë më mirë produktet dhe shërbimet e ndryshme financiare që tashmë janë në dispozicion;
  • Të zhvillojnë plane të shëndosha biznesi dhe të menaxhojnë financat e tyre në mënyrë strategjike;
  • Të negociojnë në mënyrë efektive me institucionet kredituese; dhe
  • Të marrin vendime të informuara financiare për të siguruar suksesin afatgjatë të bizneseve të tyre.

Duke folur mbi adresimin e sfidave dhe pengesave që gratë ndërmarrëse përballen me bizneset e tyre, Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme vuri në pah se BQK-ja përmes programeve të Edukimit Financiar do të kontribuojë në informimin dhe edukimin e tyre.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të inkurajojë projekte inovative, kampanja dhe programe të dedikuara në kuadër të fushës së Edukimit Financiar, me qëllim që të kontribuohet në eliminimin e pengesave me të cilat përballen gratë ndërmarrëse çdo ditë në qasjen dhe përdorimin e shumëllojshmërisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të cilat ofrohen në tregun vendor. Kjo është në linjë me objektivin e 5-të të Planit Strategjik të BQK-së”, vuri në pah Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme e BQK-së.

bqk-amik_04-1024x768

Në fund, Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala tha se BQK-ja do të përkushtohet në mbledhjen dhe publikimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për qasjen në financa, të dhëna këto që do të ofrojnë njohuri të vlefshme për sfidat specifike me të cilat përballen gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës.

Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore botërore ndërgjegjësuese, e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila ka për qëllim që përmes aktiviteteve të informojë qytetarët që në moshë të hershme dhe gradualisht të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare dhe për të arritur mirëqenien dhe qëndrueshmërinë financiare.

Sivjet është edicioni i 12-të i Javës Ndërkombëtare të Parasë që organizohet nga BQK-ja dhe motoja për këtë vit është “Kujdesu për paratë tua, siguro të ardhmen tënde”, krahas bankave qendrore në mbarë botën.

BQK zhvillon bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të BE-së në fushën e vlerësimeve aktuare në mbikëqyrje të sigurimeve

Në kuadër të Fazës së II-të të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filloi realizimi i një mase bilaterale me Agjencinë Kroate të Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare. 

Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar në vlerësimin e mbikëqyrjes aktuare në kuadër të funksionit të mbikëqyrjes së sigurimeve në BQK, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Agjencisë Kroate të Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare në BQK, si dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në këtë agjenci. 

Kjo masë bilaterale do të zgjasë deri në muajin shtator të këtij viti, si dhe do të përfshijë ndarjen e informacionit mbi gjendjen dhe zhvillimet bashkëkohore në tregun kroat të sigurimeve dhe bartjen e përvojave të autoritetit kroat të sigurimeve. 

Sikurse komponentët e tjerë të kësaj faze të programit edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).

BQK pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale, do të kontribuohet në masë të konsiderueshme në zhvillimin e veprimtarisë së saj të mbikëqyrjes aktuare të siguruesve, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve të BE-së. 

Zhvillimi i funksionit të mbikëqyrjes së sigurimeve mbetet orientim strategjik i BQK-së për nxitjen dhe mbajtjen e stabilitetit të sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Faza e II-të e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 21 shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet.

Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

telegrami_BQK-Ponari-1

E nderuara Familja Ponari,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit Tuaj, z. Altin Ponari, andaj më lejoni që në emrin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.

Largimi i parakohshëm i Altinit është një humbje e madhe për të gjithë ata që e njohën, si dhe për të gjithë industrinë financiare, ku ai dha një kontribut të çmuar.
Do ta kujtojmë përherë. Shpirti i Tij u prehtë në paqe!
Me respekt,
Ahmet Ismaili
Guvernator i BQK-së

imf-wb-2024_spring-1024x576

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili, po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Delegacioni i BQK-së do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare dhe pritjet e mëtejshme.

Në takimet që do të zhvillohen nga 15 deri më 21 prill, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet për sektorin financiar në pajtim me objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përditësimin lidhur me zbatimin e programeve dhe asistencave teknike profesionale, përfshirë nevojat e reja për mbështetje profesionale.

Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, përfaqësuesit e BQK-së do kenë takime bilaterale me drejtuesit e Departamentit Thesarit të SHBA-së, Bankës Federale të New York – FED (Banka Qendrore Amerikane), si dhe me homologët nga bankat qendrore partnere.

Në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Ismaili do të takohet me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li, Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, z. Kammer, Zëvendëspresidenten e BB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Bassani, Zëvendëspresidentin e BB-së njëherësh Drejtor i Thesarit, z. Familiar, drejtorët ekzekutiv të Konstituencave të FMN-së dhe BB-së, z. Palotai dhe Z. Demircan.

Gjithashtu, delegacioni i BQK-së do të ketë takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare për bashkëpunim në fusha të interesit.

Paraprakisht në Boston të SHBA-ve, Guvernatori i BQK-së takoi drejtues të Universitetit të Harvardit, duke përfshirë Dekanin e Harvard Kennedy School, Dr. Elmendorft dhe profesorë eminentë që kanë shërbyer në pozita të rëndësishme shtetërore, si krye-ekonomistë, drejtues të Departamentit të Thesarit, anëtarë të Bordit të Rezervës Federale (FED Board), këshilltarë të ekonomisë në Shtëpinë e Bardhë.

Guvernatori Ismaili vizitën me ftesë të Universitetit e përmbylli me një ligjëratë para studentëve dhe publikut në kampusin e Harvardit, me temën “Tejkalimi i sfidave të sistemit financiar: Rasti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Skip to content