BQK

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se si efekt i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, numri i kartëmonedhave prej 500 euro të deponuara nga qytetarët në bankat komerciale dhe me pas në BQK, si para të tërhequra nga qarkullimi, ka kaluar mbi 180,500 njësi, duke tejkaluar vlerën e 90 milionë e 250 mijë eurove.

Ky është ndër efektet e drejtpërdrejta të Rregullores që nga miratimi i saj, duke kontribuar në arritjen e qëllimit për një sistem financiar me integritet dhe që ndihmon në strategjinë kombëtare kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura.

Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme përveç tjerash përcaktoi që të gjitha institucionet financiare bankare dhe jobankare janë të obliguara që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj, me transparencë dhe përkushtim ndaj publikut.

BQK angazhohet në zgjidhjen e problemeve të gazetarëve nga Afganistani

Ushtruesi i detyrës së Zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, Nexhat Kryeziu ka takuar përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar rreth refuzimit të disa bankave komerciale për të hapur llogari për gazetarët e Afganistanit, të cilët janë strehuar në vendin tonë bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e tyre, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet nga Iniciativa Hannah Arendt.

BQK angazhohet në zgjidhjen e problemeve të gazetarëve nga Afganistani

Zëvendësguvernatori Kryeziu ka thënë se kjo praktikë është e padrejtë sidomos në këtë rast kur ka të bëjë me çështje humanitare, derisa ka thënë se BQK-ja do t’i ndërmarrë menjëherë veprimet për të zgjidhur këtë problematikë të krijuar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AGK-së kanë falënderuar Zëvendësguvernatorin Kryeziu për reagimin e shpejtë të BQK-së në zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa dyja palët, shprehën gatishmërinë që dy institucionet të rrisin edhe më tutje bashkëpunimin.

Ndërkaq Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, falënderoi BQK-në për angazhimin e menjëhershëm në zgjidhjen e kësaj çështje, derisa tha se kjo problematikë do të zgjidhet gjatë javës së ardhshme.

BQK-ja dhe AKK-ja takohen për çështje të konkurrencës në sektorin financiar

Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja dhe U.D, Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Nexhat Kryeziu, kanë pritur në takim Kryetaren e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi dhe U.D, Drejtorin e Përgjithshëm, Selajdin Beqa.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes dy institucioneve me qëllim të koordinimit të politikave, bazuar në implementimin e legjislacionit.

U.D, Guvernatori Bashkim Nurboja me këtë rast ka potencuar se BQK-ja, ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës, gjithnjë në frymën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shprehu interesimin që bashkëpunimi mes BQK-së dhe AKK-së të avancojë edhe më tutje. 

Në këtë takim U.D, Guvernatori Nurboja ka kërkuar që Autoriteti i Konkurrencës të shikojë rastet, ku kemi ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka. Mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.

bqk_fiks_01-1024x768

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është në proces të avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse dhe infrastrukturës në fushën e shërbimeve të pagesave digjitale dhe sektorit të FinTech-ut, ka deklaruar zëvendësguvernatori për operacione bankare, z. Dardan Fusha në ceremoninë e themelimit të FinTech Kosova (FIKS).

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën përshëndetëse theksoi se digjitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve financiare krijon mundësi për shërbime financiare më efikase, më të qasshme dhe më gjithëpërfshirëse duke promovuar kështu edhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Aplikimi i teknologjisë digjitale në fushën e shërbimeve financiare, apo siç njihen edhe FinTech-ët, janë duke bërë ndryshime të mëdha në formën dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve financiare, procese këto që u përshpejtuan gjatë situatës së pandemisë COVID-19”, theksoi Zëvendësguvernatori Fusha.

“Sektori i FinTech-ve ka kaluar nëpër një rritje të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, duke ndryshuar sistemet e pagesave dhe bankingun tradicional në shumë vende. Në Kosovë, deri tani, janë licencuar katër institucione financiare jobanka në fushën e pagesave digjitale dhe tri institucione ekzistuese kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, si rezultat i ndryshimeve rregullative bazuar në standardet e BE-së, për të mundësuar operimin e FinTech-ve dhe shërbimet inovative në tregun vendor”, shtoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Sipas Zëvendësguvernatorit Fusha, në vitet e fundit, ekosistemi i FinTech-ve ka pasur një zgjerim të hovshëm në Republikën e Kosovës.

“Ekosistemi i FinTech-ve në 2-3 vitet e fundit në Republikën e Kosovës ka pasur zgjerim, gjë që ka bërë të mundshme tërheqjen e investimeve për kompanitë vendore dhe të huaja, kryesisht në shërbimet e pagesave dhe transfereve ndërkombëtare me vlerë të vogël, përfshirë edhe remitencat. BQK ka shfaqur gatishmëri për të avancuar në ndërtimin e një ambienti miqësor për zhvillimet dhe inovacionin, ku shumë prej FinTech-ve e shohin edhe si mundësi për t’u zgjeruar në tregun e Ballkanit Perëndimor”, ka potencuar Zëvendësguvernatorit Fusha.

bqk_fiks_04-1024x768

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare ka shtuar se sistemi financiar i Republikës së Kosovës është duke pasur një ndryshim të shpejtë në fushën e inovacionit dhe migrimit drejt pagesave dhe shërbimeve digjitale. 

“BQK si rregullator por edhe katalizator është e përcaktuar, që të zgjerojë mundësitë dhe të adaptojë rregullat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që mundësojnë ofrimin e shërbimeve të reja digjitale për bizneset dhe konsumatorët. Shërbimet financiare të mundësuara nga këto zhvillime teknologjike janë duke u rritur vazhdimisht nga bankat, por edhe nga FinTech-ët dhe institucionet e reja financiare jobanka”, tregoi Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare në BQK.

Mirëpo, Zëvendësguvernatori Fusha solli në vëmendje se këto përfitime duhet të peshohen me kujdes edhe ndaj rreziqeve të reja që vijnë nga ofrues të shërbimeve tërësisht digjitale, sidomos rrezikut nga sulmet kibernetike dhe keqpërdorimi i të dhënave.

Në këtë drejtim, institucionet financiare të licencuara nga BQK, në funksion të avancimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të pagesave për klientët e tyre, inkurajohen që:

  • Të investojnë në infrastrukturë dhe ngritin kapacitet njerëzore;
  • Të avancojnë politikat, procedurat dhe proceset e menaxhimit të rreziqeve që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, si dhe konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme;
  • Të adresojnë rreziqet kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me BQK-në dhe autoritetet shtetërore përgjegjëse për sigurinë kibernetike në nivel shtetëror; dhe
  • Të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të klientëve dhe investitorëve të mundshëm, përmes mekanizmave të vëzhgimit (Investor’s Screening Mechanism), duke pasur parasysh edhe rreziqet aktuale gjeostrategjike. 

Lidhur me projektet në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, Zëvendësguvernatori Fusha potencoi se BQK-ja është në proces të investimit në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore. Gjithashtu BQK-ja është e angazhuar:

  • Të zhvillojë dhe krijojë mundësitë për qasjen në sistemin e pagesave të ofruesve të shërbimeve jobankare, për rritjen e konkurrueshmërisë pas mundësimin e posedimit të IBAN-it, për të rritur qasjen në financa, në kuadër të konceptit të ri të “llogarisë për pagesa”;
  • Të zhvillojë infrastrukturën teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimin e QR Kodit kombëtar dhe standardizimin e API për ndërlidhjen e sistemeve;
  • Të avancojë kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse për fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, lidhur me shërbimet e pagesave dhe transfereve; dhe
  • Të fuqizojë Këshillin Kombëtar të Pagesave në nivel të vendit, ku së fundi është mbajtur takimi me anëtarësinë e zgjeruar të këshillit duke përfshirë edhe përfaqësuesit e IFJB-ve. 

“Këto zhvillime do të ndikojnë në fuqizimin e mbikëqyrjes së FinTech-ve, për çfarë BQK ka themeluar funksionin e veçantë për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit dhe rrezikut kibernetik për institucionet financiare, funksionin për mbikëqyrjen e praktikave të ofrimit të shërbimeve nga institucionet financiare, si dhe fuqizimin e edukimit financiar, si mjet për trajtimin korrekt dhe të drejtë të kërkesave që rrjedhin nga shërbimet e tilla”, potencoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Në fund, Zëvendësguvernatori Fusha inkurajoi që institucionet financiare të licencuara nga BQK-ja, në funksion të avancimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të pagesave për klientët e tyre, të rritin bashkëpunimin me fokus krijimin e interoperabilitetit ndërmjet sistemeve dhe shërbimeve të tyre, si dhe harmonizimin dhe standardizimin e mënyrës së komunikimit dhe shkëmbimit të dhënave dhe mesazheve financiare.

media

Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja, ka uruar të gjithë gazetarët në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Në urimin e tij, Nurboja ka theksuar se liria e medias dhe ajo e fjalës së lirë, janë thelbësore për një shoqëri të lirë dhe demokratike.

“BQK vazhdon të ruajë traditën e bashkëpunimit të ngushtë dhe korrekt me të gjitha mediat në Kosovë dhe jashtë saj. Bashkëpunimi me mediat, do të vazhdojë të jetë një nga pikat kryesore të punës së institucionit tonë edhe në të ardhmen, me qëllimin e vetëm të informimit të drejtë dhe korrekt të publikut”, thuhet në urim.

U.d Guvernatori Nurboja ka theksuar se me misionin e tyre fisnik për të përçuar vetëm të vërtetën, mediat luajnë një rol jetik në avancimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.

takimi_bqk-bruksel-1024x768

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) i përbërë nga Guvernatori, z. Ahmet Ismaili dhe Zëvendësguvernatori, z. Dardan Fusha është pritur në takim nga Shefi i Misionit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe Bashkim Evropian, z. Agron Bajrami dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, z. Astrit Zemaj, ku është biseduar për aktualitetet në sistemin financiar të vendit.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe lidhur me aktivitetet e BQK-së në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së, çështjen e përpjekjeve për Kartonin e Gjelbër, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me plafromat globale të pagesave.

Gjithashtu, u njoftua lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative sipas direktivave të BE-së dhe standardeve më të larta ndërkombëtare.

Ambasadori Bajrami shprehu mbështetjen e tij për të kontribuuar në proceset e rëndësishme integruese dhe përafrim të legjislacionit me Bashkimin Evropian.

Delegacioni i lartë i BQK-së përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga U.D Guvernatori, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi Jashari, U.D Zëvendësguvernatore për Operacione Bankare kanë përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që u mbajtën në Uashington të SHBA-ve.

Gjatë kësaj vizite zyrtare Delegacioni i BQK-së përveç pjesëmarrjes në tryeza  të parapara sipas Agjendës së vizitës  ka zhvilluar shumë takime me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombetar, të Bankës  Botërore, si dhe me homolog të bankave qendrore të vendeve të ndryshme. Delegacioni është  takuar me drejtorin për Evropë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm mes BQK-së dhe FMN-së, si dhe projektet që janë në zhvillim e sipër.

U.D Guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja, ka falënderuar FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndër vite që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në avancimin e saj në të gjitha fushat që i mbulon.

Gjatë pjesëmarrjes në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së, delegacioni i lartë i BQK-së ka marrë pjesë në grupin e punës për marrëveshjen e re të konstituencës.

Gjithnjë sipas Agjendës së pjesëmarrjes në kuadër të takimeve pranverore, delegacioni i BQK-së së ka takuar edhe zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Bo Li.

Në kuadër të këtyre takimeve, është diskutuar për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.

Takimet vjetore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.

Spring Meetings 2023 - Washington DC

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga U.d Guvernatori, Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi Jashari UD Zëvendësguvernatore për Operacione Bankare po marrin pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po mbahen në Uashington të SHBA-ve.

Delegacioni i BQK-së do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet rreth zhvillimeve të fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe pritjet për vitin 2023.

Në takimet që do të zhvillohen deri më 15 prill, gjithashtu, do të diskutohet edhe për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.

Takimet vjetore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.

Bashkëpunimi me Bankën Kombëtare të Austrisë në fushën e menaxhimit të rrezikut

Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) ka filluar realizimi i një mase bilaterale me Bankën Kombëtare të Austrisë (Oesterreichische Nationalbank). Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar rreth vlerësimit dhe zhvillimit të funksionit të brendshëm të BQK-së për menaxhimin e rrezikut, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Bankës Kombëtare të Austrisë në BQK dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në Bankën Kombëtare të Austrisë. Të tre këta komponentë të masës bilaterale janë paraparë të realizohen brenda gjashtë muajve. Sikurse edhe pjesët e tjera përbërëse të fazës së dytë të këtij programi të bashkëpunimit, edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).
Përmes masës bilaterale në fushën e menaxhimit të rrezikut do të përfshihet vlerësimi i aspekteve të përgjithshme dhe të veçanta të kulturës së rrezikut dhe raportimit të rrezikut, si dhe përkufizimi i sugjerimeve relevante për zhvillim të këtyre aspekteve brenda BQK-së. Po ashtu, BQK-ja do të përfitojë edhe nga qasja e drejtpërdrejtë në praktikën e zbatimit të instrumenteve dhe teknikave të menaxhimit të rrezikut brenda Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Rrjedhimisht, me këtë bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Austrisë do të kontribuohet në forcimin e funksionit të menaxhimit të rrezikut në BQK, si dhe në përafrimin me standardet dhe praktikat e fushës në BE.
Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 21 shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vite Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

BQK

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve.
Vendimi si më lart është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Skip to content