Avancimi i operacioneve me para të gatshme të BQK-së në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Italisë

Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) më 7 dhe 8 nëntor 2023 u realizua misioni i parë i ekspertëve në lidhje me masën bilaterale të bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Italisë (Banca d’Italia).  Kjo masë bilaterale e bashkëpunimit është e përqendruar në vlerësimin dhe avancimin e praktikave të rregullimit dhe kryerjes së operacioneve me para të gatshme në BQK.  Misioni i parë i ekspertëve në lidhje me këtë masë bilaterale e pason një vizitë studimore të zyrtarëve të BQK-së të realizuar në bankën qendrore të Italisë, si dhe do të pasohet me një mision të dytë ekspertësh të Bankës Qendrore të Italisë në BQK në fillim të vitit të ardhshëm.  Gjatë qëndrimit të tyre në BQK, ekspertët nga Banka Qendrore e Italisë përveç me stafin profesional të BQK-së u takuan edhe me Guvernatorin e BQK-së, z. Ahmet Ismaili.

Kjo masë bilaterale është e përgatitur për ta mbështetur avancimin e operacioneve me para të gatshme në BQK dhe rrjedhimisht, zhvillimin e qarkullimit të parave të gatshme në Republikën e Kosovës. BQK-ja pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale do të kontribuohet në ngritjen e kryerjes së detyrave parësore të saj dhe arritjen e caqeve afatgjata zhvillimore të saj, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat bashkëkohore të eurozonës. 

Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lancua në shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet.  Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.  Për administrimin dhe koordinimin e këtij programi kujdeset Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).

Deklaratë e përbashkët nga takimi i mbajtur ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës lidhur me luftimin e falsifikimit të parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke njohur rëndësinë që ka furnizimi me para të gatshme për ekonominë e vendit, sigurinë dhe besueshmërinë e parave dhe sistemit të pagesave, u zotuan të intensifikojnë veprimet përkatëse institucionale në luftimin e falsifikimit të parasë.

Në takim palët diskutuan për situatën aktuale që lidhet me fenomenin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë në Republikën e Kosovës, si dhe shkëmbyen informacione mbi burimet dhe origjinën e monedhave të falsifikuara dhe valutave të hasura në treg.

Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare.

Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar.

Rekomandohet që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.

Po ashtu, me theks të veçantë udhëzohen qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.

Veprime konkrete kërkohen edhe nga bankat dhe institucionet tjera financiare, që të ngritin kapacitetet e brendshme të adresimit të kësaj dukurie dhe komunikimit sa më efikas me autoritetet përkatëse.

Palët u pajtuan të intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Në fund të takimit, palët u dakorduan që përmes grupit punues ndërinstitucional, të koordinohen aktivitetet sipas fushëveprimit përkatës të institucioneve, të rekomandojnë ndryshimet legjislative dhe monitorojnë në vazhdimësi zbatimin e këtij plani.  

bqk-bqe_1-1024x768

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili po merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore, përkatësisht në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.

Punimet i hapi anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, z. Piero Cipollone i cili ka zëvendësuar z. Fabio Panetta që rishtas është emëruar Guvernator i Bankës së Italisë. Nga z. Cipollone u dhanë mesazhet kryesore mbështetëse për këtë nismë.

Në kuadër të katër sesioneve, ku prezantojnë bankat qendrore nga shtetet e rajonit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes Guvernatorit Ismaili, prezantoi punën aktuale dhe planet e BQK-së për zhvillim dhe modernizim të sistemit të pagesave, me qëllim të ndërlidhjes me sistemet rajonale dhe me Bashkimin Evropian.

Në margjina të këtyre takimeve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës së Italisë, Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Gjermanisë u trajtuan tema mbi infrastrukturën e tregut financiar, zhvillimet dhe risitë për instrumentet e pagesave, teknologjitë e reja, valutat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale.

BQE-ja në kuadër të mbështetjes së projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe objektivave të G20-së, po mbështet me nisma konkrete siç është ajo e ndërlidhjes së sistemeve të pagesave dhe përfshirjes së rajonit tonë në sistemet e Bashkimit Evropian.

bqk-bqe_2-1024x768

Në këtë kuptim, Republika e Kosovës është pjesë e kësaj agjende, ku BQK-ja ka përfshirë në kuadër të Planit të Strategjik si një objektivë mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, me qëllimin përfundimtar pjesëmarrjen në sistemin e pagesave TIPS.

Avancimi i sistemit kombëtar përmes mundësimit të pagesave “instant” (24/7), si dhe ndërlidhja me sistemin TIPS është objektiv i BQK-së, i cili kur të arrihet do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit tonë, rajonit, diasporës, si dhe qarkullimin e pagesave për shkëmbimet tregtare me BE-në, si partneri më i madh tregtar i Republikës së Kosovës.

Paraprakisht takim mikpritës për Guvernatorin e BQK-së ishte rezervuar nga Zëvendëspresidenti i BQE-së, z. Luis de Guindos, i cili e falënderoi atë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e plotë të BQE-së në këtë projekt shumë të rëndësishëm si në aspektin vendor ashtu edhe në procesin integrues si aspiratë e jona.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili ka pritur në takim Komisionerën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku.
Gjatë këtij takimi është diskutuar që BQK-ja dhe AIP-ja të bashkërendojnë veprimet për sigurinë dhe ruajtjen e të dhënave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, u tha se bashkërendimi do të bëhet përmes aktiviteteve të përbashkëta me institucionet financiare, me qëllim të sigurimit se të dhënat janë të sigurta dhe po ruhen në mënyrë të duhur.
Guvernatori Ismaili dhe Komisionerja Sogojeva-Dërmaku u pajtuan që këto dy institucione do të përshtatin kornizën ligjore me qëllim që të jetë udhëzues për institucionet financiare, sipas praktikave më të mira.
Në fund të takimit, u potencua se do të bëhen marrëveshje bashkëpunimi për bashkërendimin e proceseve ndërmjet BQK-së dhe AIP-së.

fmn-bqk-ballina-1024x585

Një Mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i udhëhequr nga Z. Gabriel Di Bella ka vizituar Republikën e Kosovës gjatë periudhës 25 shtator – 6 tetor 2023, për diskutime mbi rishikimet e para të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF), që Kosova ka me FMN-në.
 
Ky ekip i FMN-së pas përfundimit të Misionit konstatoi se zgjedhja e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i ka dhënë shtysë zbatimit të reformave fiskale dhe financiare në vend.
 
“Emërimi i Guvernatorit të ri të BQK-së dhe normalizimi i strukturave qeverisëse të BQK-së i ka dhënë shtysë të re zbatimit të reformave. Stafi i FMN-së pret që së shpejti do të miratohet Rregullorja e re e Punës, e cila do t’i qartësojë përgjegjësitë e Bordit Mbikëqyrës të BQK-së në raport me bordin ekzekutiv dhe që Ligji i ri për Bankat të dorëzohet në Kuvend në fillim të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

Po ashtu, aty pohohet se cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit të FMN-së.

“Bilanci fiskal dhe depozitat e qeverisë në BQK kanë mbetur mjaftueshëm mbi nivelin e tyre sipas programit gjatë 2023 dhe absorbimi i investimeve publike është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2022. Stafi i FMN-së pret që dy objektivat për fundin e vitit 2023 do të përmbushen. Gjithashtu, cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit”, përfundon FMN-ja.

BQK-ja është në proces të zbatimit të masave të parapara në program, ndërsa është e fokusuar në finalizimin e tyre brenda afateve.

Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës filloi realizimi i një mase bilaterale me Bankën Qendrore të Lituanisë (Lietuvos bankas). Kjo masë bilaterale do të jetë e përqendruar në rishikimin e funksionit të sigurisë së teknologjisë së informacionit në BQK, si dhe do të përfshijë dy misione ekspertësh të Bankës Qendrore të Lituanisë (Lietuvos bankas) në BQK, si dhe një vizitë studimore të stafit profesional të BQK-së në këtë Bankë Qendrore. Kjo masë bilaterale do të zgjasë deri në muajin janar të vitit të ardhshëm. Ajo është e dizajnuar për ta ndihmuar BQK-në në vlerësimin dhe forcimin e aspekteve të përgjithshme dhe teknike të sigurisë së teknologjisë së informacionit. Sikurse edhe komponentët e tjerë të kësaj faze të programit edhe kjo masë bilaterale administrohet dhe bashkërendohet nga Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), ku me rastin e nisjes së kësaj mase bilaterale të pranishëm në BQK ishin edhe kryesuesi dhe sekretari i Komitetit Drejtues të Programit, përkatësisht z. Martin Dinkleborg dhe z. Peter Spicka.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale do të kontribuohet në zhvillimin e sferës së sigurisë së teknologjisë së informacionit në BQK, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat bashkëkohore evropiane. Zhvillimi i kësaj sfere është me rëndësi kritike për mbarëvajtjen e kryerjes së detyrave të BQK-së.
Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lancua në shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet. Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.

Delegacioni i udhëhequr nga Guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje.

Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare.

Gjatë qëndrimit të tij në Marakesh, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësim të BQK në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur “Reserve Advisory & Management Partnership” (RAMP).

RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t’i adresuar ato.

Në takimet që do të zhvillohen deri më 14 tetor, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të ekonomisë, deputetë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi botërore, si perspektiva ekonomike, zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

BQK

Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 27 dhjetor 2023, miratoi Rregulloren për Operacionet me Para të Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Qëllimi i kësaj Rregullore është të avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme, duke përfshirë kontrollin e sasisë se parasë në qarkullim, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar, luftën ndaj parasë së falsifikuar, mbrojtjen e konsumatorit, luftën ndaj aktiviteteve të shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit, si dhe adresimin e çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e BQK-së.

Subjekte të fushëveprimit të kësaj Rregullore janë Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bankat, degët e bankave të huaja dhe institucionet e tjera financiare, të licencuara për të ushtruar veprimtari bankare dhe/ose financiare në Republikën e Kosovës.

Rregullorja më specifikisht, përveç tjerash, adreson çështjet në vijim:  

  • Procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara;
  • Kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara;
  • Standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe riqarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro;
  • Standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës;
  • Kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme;
  • Rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës; dhe
  • Procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

Kjo rregullore përcakton përveç tjerash obligon që:

  • Institucionet financiare bankare dhe jobankare obligohen që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 eurosh. Kjo nuk ndalon qarkullimin ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës, mirëpo e njëjta nuk rikthehet në qarkullim nga institucionet financiare kur pranohet nga klientët;
  • Importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jobankare të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare; dhe
  • Me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga vlera monetare.

Gjithashtu, kjo Rregullore precizon se asnjë person fizik apo juridik nuk mund të:

  • Ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Institucionet financiare jobankare duhet të aplikojnë për pajisjen me licencë dhe autorizim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për ofrimin e këtij shërbimi, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kësaj Rregulloreje; dhe
  • Importojë dhe pajisen me makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave nëse nuk është i licencuar si institucion financiar për ofrim të aktiviteteve bankare apo institucion financiar jobankar me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj.

Rregullorja e plotë:

https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2024/10/Rregullore-per-operacionet-me-para-2023.pdf

IMG_2801-1024x683 (2)

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës si institucion i pavarur kushtetues, me qëllim të informimit sa më të sakte të opinionit publik dhe pyetjet që ka pranuar lidhur me çështjen e përdorimit të valutës Euro si mjet i vetëm pagese, te ngritura pas aprovimit te Rregullores për Operacionet me Paratë e Gatshme ka përgatitur dhe publikuar dokumentin “Pyetjet dhe Përgjigjet më të Shpeshta mbi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme”

Rregullorja më konkretisht dhe përveç tjerash, adreson çështjet në vijim:

✅ Procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara;

✅ Kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara;

✅ Standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro;

✅ Standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës;

✅ Kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme;

✅ Rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës; dhe

✅ Procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

Kjo Rregullore është miratuar nga Bordi i BQK-së me 27 dhjetor 2023 dhe hynë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj.

Përditësimin e Pyetjeve dhe Përgjigjeve më të Shpeshta mbi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme mund ta lexoni këtu:

https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2024/10/FAQ-Rregullorja-per-Operacione-me-Parate-e-Gatshme_UPDATE-27_30.pdf

BQK

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 24 janar 2024 ka emëruar dy zëvendësguvernatorë, duke kompletuar kështu Bordin Ekzekutiv, sipas Strukturës së re Organizative të miratuar në muajin nëntor 2023, bazuar në rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit.

Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme.

Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale.

Me përfundimin e këtij procesi plotësohen të gjitha strukturat vendimmarrëse të BQK-së të përcaktuara në Ligjin e BQK-së dhe Strukturën Organizative. Këto ndër të tjera ishin edhe kërkesat nga Programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandime nga misionet e tij.

Skip to content