218299293_241223347844151_152321814346972641_n-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, më datë 19 korrik 2021 priti në takim kryetarin e Rrjetit të Bizneseve për Austri, z. Yll Blakaj, dhe kryetarin e Rrjetit të Bizneseve për Finlandë, z. Omer Nura.

Guvernatori Mehmeti falënderoi kryetarët e Rrjetit të Bizneseve për Austri dhe Finlandë për interesimin e tyre rreth sistemit financiar të Kosovës dhe i informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Republikën e Kosovës, si dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti theksoi kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe akoma vazhdon ta japë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe për rritje të investimeve nga diaspora. 

Në takimin e zhvilluar u diskutua mundësia e investimit në sektorin bankar të Republikës së Kosovës, ku dy përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve shprehën interesimin për fillimin  e procedurave për hapjen e bankës së diasporës në Kosovë. Guvernatori Mehmeti mirëpriti dhe i inkurajoi për një iniciativë të tillë, si dhe i informoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.

skp2021-2026

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe në konsultim me institucionet tjera relevante të sektorit publik dhe privat, kanë zhvilluar Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë 2021-2026. Me anë të këtij dokumenti është përcaktuar orientimi strategjik për fushën e pagesave, për reformat dhe zhvillimin e mëtejmë të pagesave me vlerë të vogël, si një faktor me rëndësi të veçantë për lehtësimin dhe rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit.

Dokumenti ofron një nivel të lartë të udhëzuesit strategjik, me vizion krijimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël në Kosovë, të mbështetur me infrastrukturë të sigurt dhe efikase të pagesave, si dhe me një gamë të gjerë të instrumenteve dhe shërbimeve të pagesave, të cilat i plotësojnë nevojat e përdoruesve të shërbimeve të pagesave në të gjithë vendin. Ky dokument është përgatitur në linjë me praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare, duke u bazuar në gjashtë parimet udhëzuese:

  • Transparenca, drejtësia dhe mbrojtja e përdoruesve të shërbimeve të pagesave;
  • Infrastruktura e avancuar dhe ndërvepruese e pagesave dhe rrjetit të pikave të qasjes;
  • Avancimi i kornizës ekzistuese ligjore edhe rregullative;
  • Konkurrenca e fortë, e plotësuar me bashkëpunim;
  • Qeverisja dhe përgjegjësit për rrezikun; dhe
  • Mbikëqyrja efektive.
    Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë 2021-2026
21.07.2021-1024x704

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar në forumin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik.

Para të pranishmëve, Guvernatori Mehmeti theksoi se sektori bankar i Kosovës ka arritur të ruaj shkallën e lartë të qëndrueshmërisë përkundër sfidave me të cilat u ballafaqua ekonomia e vendit, si rrjedhojë e pandemisë dhe për më tepër, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë për të minimizuar pasojat ekonomike nga kriza e fundit.

Sipas Guvernatorit Mehmeti, rritja e kredive të sektorit bankar me një normë vjetore prej mbi 11 përqind gjatë këtij viti, po paraqitet si kontribuues i rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, e cila në vitin 2021 po i rikthehet normave pozitive të rritjes.

Guvernatori Mehmeti vlerësoi lartë rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet Bankës Qendrore dhe komunitetit afarist në mënyrë që të identifikohen në mënyrë sa më të drejtë nevojat e bizneseve dhe të krijohen kushte sa më të mira për zhvillimin e tyre.

24.08.2021-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağri Sakar.

Në këtë takim Guvernatori Mehmeti njoftoi Ambasadorin me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe angazhimin e mëtejmë të BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mbajtjes së sektorit financiar stabil dhe likuid, në kohën kur vendi po përballet me një valë të re të pandemisë dhe me masat për frenimin e shpërndarjes së virusit.

Guvernatori falënderoi Turqinë për ndihmën e vazhdueshme dhënë Kosovës, përfshirë edhe sektorit financiar, përmes bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë dhe Autoritetin Rregullativ dhe Mbikëqyrës Bankar.

Nga ana tjetër Ambasadori Sakar u shpreh i lumtur për bashkëpunimin mes të dyja vendeve, derisa ofroi mbështetje të mëtutjeshme për avancimin edhe më të madh të marrëdhënieve.

14.09.2021-1024x394

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka mbajtur një takim virtual me përfaqësues të Qeverisë Gjermane, me të cilët ka diskutuar për situatën aktuale ekonomike dhe financiare në vend, si dhe rreth programit të këshillimit përmes të cilit Qeveria Gjermane synon të mbështesë zhvillimin e mëtejmë institucional në Kosovë.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti falënderoi Qeverinë Gjermane për ndihmën e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën dhe Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe mirëpriti gatishmërinë e Qeverisë Gjermane për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të BQK-së.

16.09.2021-1-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Qemal Minxhozin.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale me pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonomi.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti njoftoi Ambasadorin për masat e ndërmarra nga BQK, që sektori financiar të vazhdojë të mbetet stabil dhe likuid, si dhe të jetë i gatshëm për të ndihmuar në çdo kohë qytetarët dhe ekonominë.

Në takim është folur edhe për bashkëpunimin e BQK-së me institucionet e Shqipërisë, për çka Guvernatori Mehmeti falënderoi gjithë drejtuesit e tyre për ndihmën dhe gatishmërinë për të punuar së bashku në të mirë të të dyja vendeve.

Nga ana tjetër, Ambasadori Minxhozi falënderoi Guvernatorin për informatat e ndara dhe shprehu gatishmërinë e tij, që bashkëpunimi mes dy vendeve të avancohet edhe më shumë.

23.09.2021-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar anëtarin e Bordit të Bankës Qendrore të Maltës dhe Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Maltës, Frank Bezzina.

Në këtë takim Guvernatori Mehmeti ka njoftuar të pranishmit me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe veprimet e ndërmarra nga BQK, që nga fillimi i pandemisë çka ka ndikuar që ky sektor  të mbetet stabil dhe likuid, si dhe të jetë i gatshëm për të ndihmuar në çdo kohë qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Në takim është folur edhe për bashkëpunimin e BQK-së me Bankën Qendrore të Maltës dhe me Universitetin e Maltës.

Nga ana tjetër, të pranishmit falënderuan Guvernatorin Mehmeti për pritjen dhe informacionet e ofruara, si dhe shfaqën gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin mes dy institucioneve bankare.

IMG_4206-1024x683

Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur më datë 24 shtator  2021, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet Licenca nr. 007 e datës 25 prill 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore

Siguruesi  “Kosova e Re”, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguese – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.

Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për sanimin e gjendjes financiare të Siguruesit “Kosova e Re”.

 Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë. 

Në të njëjtën kohë, Aksionari i Siguruesit “Kosova e Re” nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi. 

Mungesa e gatishmërisë së Aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë.

Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë.

BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet duke emëruar Likuidatorin, i cili do të drejtojë Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Kosova e Re” dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, ndaj të gjithë kreditorëve. Me emërimin e Likuidatorit, pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit të Siguruesit në raport me menaxhimin e saj. 

Likuidatori do të jetë në dispozicion të shqyrtimit të të gjitha kërkesave,  në radhë të parë të policëmbajtësve, si dhe kreditorëve të tjerë. Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë likuidatori do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të sigurojë kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë, që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Siguruesin në Likuidim “Kosova e Re”. 

Me këtë rast, BQK-ja shpreh vlerësim të lartë për Siguruesit që operojnë në tregun tonë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër të gjitha policat aktive të sigurimit të detyrueshëm të Siguruesit “Kosova e Re” në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të riblejnë policat e sigurimit.

BQK-ja, në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara nga Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve financiare, do të vazhdojë aktivitetet e saj për të siguruar përputhje të plotë të veprimtarisë së institucioneve financiare me kërkesat e përcaktuara nga ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ruajtja e aftësisë së institucioneve financiare për t’i përmbushur detyrimet financiare ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, që paraqet edhe objektivin primar të BQK-së. 

Prandaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, BQK-ja mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit të sistemit financiar në vend, duke i siguruar ekonomisë së vendit një sistem financiar në funksion të zhvillimit dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe një sistem që ofron siguri për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve financiare.

Revokimi i licencës së Siguruesit “Kosova e Re” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. Kjo është dëshmuar edhe gjatë periudhës së fundit të pandemisë, ku sistemi financiar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përkrahjen e ekonomisë së vendit.

Në vitet e fundit, kemi një përshpejtim të rritjes së aktivitetit pothuajse në të gjithë komponentët e sistemit financiar, përderisa edhe treguesit e performancës dhe qëndrueshmërisë kanë shënuar përmirësim të mëtejmë. Për sa i përket sektorit të sigurimeve në veçanti, aktiviteti i këtij sektori po vazhdon të rritet, përderisa masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së kohët e fundit, kanë rezultuar në një performancë financiare pozitive të këtij sektori, pas një periudhe mjaft të gjatë me humbje. 

Prandaj, ne zotohemi që do të vazhdojmë me ndërmarrjen e të gjitha masave që i parasheh legjislacioni në fuqi, në mënyrë që në tregun tonë të lejojmë operimin vetëm të atyre institucioneve financiare, që janë të afta t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, si dhe t’i kontribuojnë fuqizimit të mëtejmë të stabilitetit financiar.

06.10.2021-1024x776

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret raportin e fundit të Bankës Botërore “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas COVID-19”.
Raporti në fjalë ka njohur zhvillimet pozitive në sektorin financiar, rritjen e kredive dhe të depozitave, si dhe kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit, të cilat mbesin mbi limitet e rregullores.
Kreditë joperformuese po vazhdojnë të jenë në nivel të ulët, të cilat u luhatën mes 2.5 dhe 2.7 përqind gjatë periudhës janar-korrik 2021.

Raporti thekson se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, megjithëse në të ardhmen rreziqet mbeten të larta, ndërsa vendi vazhdon të përballet me pandeminë.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, gjatë këtij viti Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 7.1%, falë ardhjes së madhe të diasporës, rritjes së eksporteve dhe konsumit, derisa eksportet e shërbimeve deri në fund të këtij viti do të jenë më të larta për 9.5%.

Në periudhën afatmesme, rritja ekonomike e vendit tonë do të jetë mbi 4% dhe që do të jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë.

Për më tepër detaje, në vijim mund të gjeni vegëzën për t’u qasur në raportin e Bankës Botërore: https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/europe-and-central-asia-economic-update?fbclid=IwAR0ZmO5gwQhBrPz8xEa59xd_GMgesOjFfhC4TXfZ8vSn4bneeqszd9JT674

06.05.2022.jpg

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret inicimin e ndryshimit nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, të projekt-rregullores mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë.

Përmes këtij ndryshimi qytetarët nuk do të jenë të obliguar që të paraqesin vërtetimin e tatimit në pronë për të regjistruar automjetet e tyre.

BQK konsideron se një masë e tillë do të kontribuojë në zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara.

Sipas të dhënave të ndryshme, numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë është në rreth 25-30%, ndër më të lartit të Evropë.

BQK inkurajon të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të reduktimit të automjeteve të pasiguruara.

BQK po ashtu, si palë nënshkruese e marrëveshjes së mirëkuptimit për policat kufitare ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve, kërkon nga palët nënshkruese që të zbatojnë zotimet në kuadër të kësaj marrëveshjeje, përfshirë edhe hapat që kanë për synim reduktimin e automjeteve të pasiguruara, e qëllim përfundimtar i të cilës është zgjidhja permanente e problemit të policave kufitare dhe kartonit të gjelbër.

Skip to content