JNP-1-003-1-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, uron të gjithë fëmijët për festën e tyre më të rëndësishme, 1 Qershorin.

Kosova ka fatin e madh që ka fëmijë shumë të talentuar dhe të interesuar që të fitojnë sa më shumë dije, sikurse të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shumë vjet që i kushton rëndësi të madhe, edukimit të fëmijëve në edukimin financiar.

IMG_8314-003-2-1024x683

“Situata e krijuar pas paraqitjes së virusit COVID-19, ka kufizuar angazhimin tonë në realizimin e të gjitha aktiviteteve që i kemi paraparë. Nën masa të mbrojtjes nga virusi, arritëm të organizojmë Javën Ndërkombëtare të Parasë, ku kemi ndarë çmimet për esenë më të mirë, me temën e edukimit financiar. Ndërkaq, ligjëratat janë mbajtur në formë virtuale. Mbesim me shpresën që viti i ardhshëm të na mundësojë që të organizojmë aktivitetet tona, të cilat kanë për qëllim të rritin nivelin e njohurive të fëmijëve rreth parasë dhe financave”, thuhet në urimin e Guvernatorit.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shpall për herë të parë në Gjenevë para 96 vjetësh, në Konferencën Botërore të Mirëqenies së Fëmijëve në vitin 1925.

29.06.2021-1024x790

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka uruar popullin italian për Ditën e Republikës.

Në mesazhin e urimit dërguar Ambasadorit të Italisë në Kosovë Nicola Orlando, Guvernatori Mehmeti u ka uruar të gjithë qytetarëve të Italisë një vit me shëndet dhe mirëqenie.

Nëpërmjet këtij urimi, Guvernatori Mehmeti ka shprehur falënderimin e tij dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës në shumë fusha.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  është bërë anëtare e Grupit Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional (International Operational Risk Working Goup-IORWG).

Me anëtarësimin në këtë grup punues, BQK-ja do të përfitojë nga pjesëmarrja aktive në ngjarje të ndryshme, nga udhëzimet dhe praktikat më të mira të administrimit të rrezikut operacional që Grupi i zhvillon.

International Operational Risk Working Group është trup ndërkombëtar i dedikuar për avancimin e menaxhimit të rrezikut operacional në industrinë bankare qendrore. 

Ky Gurp është bërë një forum i rëndësishëm në industrinë globale të bankave qendrore për inovacionin, hulumtimin, të mësuarit kolektiv dhe shkëmbimin e praktikave të shëndosha dhe të mira.  

Grupi Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional u krijua në tetor të vitit 2005 me propozim të Bankës së Spanjës, me të cilin u pajtuan edhe shtatëmbëdhjetë bankat qendrore, ndërsa sot Grupi përbëhet nga 95 banka qendrore anëtare.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 24 qershor 2021 ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.

Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 përqind.

Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021.

29.06.2021-1024x790

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur lajmin për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi.

Me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, i cili është mbështetur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bëhet njohja reciproke e sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta në territorin e Republikës së Kosovës dhe atë të Malit të Zi.

Përmes këtij Memorandumi, përpos lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mundësohet edhe rritja e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, duke rritur potencialin për zhvillim ekonomik të të dyja vendeve.

04.07.2021-1024x686

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka uruar Ambasadorin Philip S. Kosnett për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në mesazhin e urimit Guvernatori Mehmeti u shpreh se populli i Kosovës është krenar me bashkëpunimin që ka me popullin mik amerikan, që është aleati jonë më i rëndësishëm në të gjitha përpjekjet tona për arritjen e lirisë dhe barazisë.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka falënderuar SHBA-të për ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen e pakursyer e shumëdimensionale dhënë për Republikën e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, është kënaqësi për mua t’ju uroj 4 korrikun, datë që simbolizon paqen dhe unitetin në të gjithë botën. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, thuhet në mesazhin e urimit të Guvernatorit Mehmeti.

Raporti-Vjetor-1-1024x737

Në këtë raport janë të përfshira të gjitha zhvillimet e vitit 2020, të cilat u shoqëruan me rrethanat e reja shkaku i pandemisë Covid-19.

Përkundër sfidave të krijuara nga pandemia BQK-ja ka arritur të përmbushë me sukses agjendën e saj kushtetuese dhe ligjore. Falë veprimeve të ndërmarra, kemi arritur që sektorin financiar ta mbajmë stabil, të qëndrueshëm dhe konkurrues, si dhe me trend rritës. Këto zhvillime kanë mundësuar mbështetjen efikase të ekonomisë së vendit nga sektori financiar, ulje të vazhdueshme të kostos së ndërmjetësimit financiar, rritje të besimit të qytetarëve në sektorin financiar, si dhe rritje të interesimit të investitorëve të huaj në këtë sektor.

Që në ditët e para të masave kufizuese, BQK-ja aktivizoi Ekipin e Vazhdimësisë së Punës, i cili kishte për detyrë të monitorojë dhe të japë udhëzime që sigurojnë mbarëvajtjen e funksioneve të BQK-së dhe të sistemit financiar në përgjithësi.

Me qëllim të ballafaqimit në mënyrë sa më efektive me kushtet e krijuara, BQK-ja në vazhdimësi është koordinuar me të gjitha institucionet e Kosovës, institucionet financiare në Kosovë, odat ekonomike, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke mbajtur takime shumë të shpeshta për të siguruar ndërmarrjen e masave adekuate dhe në kohën e duhur kundrejt nevojave të ekonomisë.

Si rezultat i komunikimeve tona të vazhdueshme është aprovuar RFI (Rapid Financing Instrument) nga FMN-ja, në shumë prej 52 milionë eurosh për të mbuluar nevojat urgjente dhe të përkohshme të bilancit të pagesave si rezultat i pandemisë COVID -19. Po ashtu, pas koordinimit me bankat qendrore të regjionit, Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e BQK-së për të vendosur një linjë financimi repo në shumë prej 100 milionë eurosh. Kjo linjë e financimit i mundëson BQK-së të huazojë likuiditet në valutën euro nga Eurosistemi, për t’i adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit për institucionet financiare në Kosovë në rast të mosfunksionimit të tregjeve për shkak të pandemisë COVID-19.

Duke parë se ekonomia e vendit po hynte në një krizë të theksuar, ku bizneset dhe qytetarët po ballafaqoheshin me vështirësi të mëdha financiare, BQK-ja duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në bashkëveprim me institucionet kredidhënëse në Kosovë, ndërmori një varg masash për të ndihmuar ekonominë, që të përballojë në mënyrë sa më të lehtë sfidat e kësaj krize. Këto masa fillimisht konsistuan në aplikimin e moratoriumit për pagesat e kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë huamarrësit, që janë ndikuar negativisht nga pandemia.

Masat e ndërmarra nga BQK-ja u vlerësuan si shumë adekuate, si nga publiku vendor, ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e Artikullit IV për Kosovën, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat dhe në të njëjtën kohë, të mbajë nivele të larta të likuiditetit dhe mjaftueshmërisë së kapitalit.

Sektori bankar vazhdon të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor me nivel të kredive joperformuese prej 2.7 përqind. Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla.

Sektori pensional në vitin 2020 u karakterizua me ngadalësim të theksuar të rritjes krahasuar me vitin paraprak, derisa në ngadalësimin e rritjes së aktivitetit të sektorit pensional ndikoi tërheqja e 10 përqind të mjeteve të Trustit nga kontributdhënësit, në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Për më tepër edhe kthimi negativ në investime gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 (si rezultat i efekteve të Covid-19 në ekonomi dhe tregjet financiare), ndikoi në ngadalësimin e aktivitetit të sektorit pensional. Por, humbjet e shkaktuara gjatë tremujorit të parë u kompensuan gjatë tremujorëve vijues, me kthim bruto në investime prej 160 milionë euro. Rrjedhimisht, sektori mbylli vitin me kthim pozitiv bruto nga investimet prej 72.3 milionë eurosh, pavarësisht përballjes me sfidën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Sektori i sigurimeve vazhdoi të ketë përmirësim që evidentohet me rritjen e shfrytëzimit të produkteve të sigurimeve në ekonominë tonë, ku asetet e sektorit të sigurimeve, në vitin 2020 përfaqësuan 2.8 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar me një rritje vjetore prej 11.6 përqind, duke ruajtur nivelin e rritjes së vitit të kaluar që ishte në nivelin prej 11.8 përqind.

Ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë shënuar rënie prej 3.9 përqind në vitin 2020. Gjatë vitit 2020, ekonomia e Kosovës vazhdoi të ketë stabilitet fiskal dhe të çmimeve. Borxhi publik në vitin 2020 ka arritur në 1.5 miliardë euro apo në 21.8 përqind të BPV-së. Niveli i përgjithshëm i çmimeve në Kosovë, shprehur nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit ka shënuar normën prej 0.2 përqind në vitin 2020. Lëvizja e çmimeve në Kosovë vazhdon të përcaktohet kryesisht nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e varësisë së lart të ekonomisë së Kosovës nga importet. Sistemi financiar, përkundër vështirësive të shkaktuara nga situata pandemike, vazhdon të jetë stabil dhe të ketë rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët i kanë ndarë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve” për vitin 2020.

Me këtë rast Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka falënderuar dy institucionet për këtë vlerësim që reflekton angazhimin e BQK-së për informimin e publikut në të gjitha gjuhët zyrtare për ekonominë në përgjithësi.

Zëvendësguvernatori Havolli ka thënë se BQK-ja që nga fillimi të gjitha publikimet i përgatit në gjuhën shqipe, serbe dhe gjuhën angleze për palët e jashtme dhe se ky çmim është njohje e angazhimit të gjithë stafit të BQK-së në respektimin e ligjit për gjuhët.

06.07.2021

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe bankat komerciale partnere për lancimin e bonove të thesarit për diasporën, përmes së cilave synohet krijimi i mundësive shtesë për mobilizimin e kursimeve drejt ekonomisë së Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që procesi i shitblerjes së letrave me vlerë të realizohet në mënyrë sa më efektive, duke ofruar siguri dhe efikasitet gjatë kryerjes së transaksioneve.

Zhvillimi i mëtejmë i tregut të letrave me vlerë në Kosovë ka një rëndësi të madhe për krijimin e kushteve për zhvillim më të shpejtë ekonomik përmes rritjes së alternativave investuese dhe burimeve të financimit.

euro-1024x683

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur përfundimet e nxjerra nga dialogu ekonomik dhe financiar në mes të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, i mbajtur me 12 korrik 2021.

Përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësues të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë u takuan për dialogun e tyre vjetor të politikave ekonomike. Dialogu synon përgatitjen e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë për pjesëmarrjen e tyre të ardhshme në Semestrin Evropian.

Në konkluzionet e përbashkëta të këtij takimi, për çështjet që kanë të bëjnë me sektorin financiar në Kosovë, theksohet se: “Sektori bankar duket se e ka përballuar mirë krizën, falë faktit se sektori bankar ka hyrë në vitin 2020 me kapital të mjaftueshëm, likuiditet të lartë dhe nivel të ulët të kredive jo-performuese, gjë që do të ndihmojë në zbutjen e humbjeve kreditore, të cilat mund të materializohen pas përfundimit të masave të lehtësimit. Aktiviteti kreditor u ngadalësua në vitin 2020, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit, i nxitur nga faktorët e ofertës dhe kërkesës. Pavarësisht krizës, baza e depozitave vazhdoi të rritet, gjë që mbështeti pozicionin e likuiditetit të bankave. Kreditë jo-performuese mbetën të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, por përderisa masat mbështetëse mund të parandalojnë vetëm falimentimet e klientëve të qëndrueshëm, kualiteti i mjeteve dhe kështu edhe profitabiliteti i sektorit bankar dhe nivelet e kapitalizimit ka të ngjarë të përkeqësohen në të ardhmen. Banka Qendrore monitoroj nga afër sfidat e stabilitetit financiar që vijnë nga kriza dhe ndërmori masat e duhura prudente. Akoma, numri i ulët i punëtorëve të Bankës Qendrore në fushat kryesore të politikave të saj vazhdon të pengojë një përmirësim të mëtejmë të pakos analitike dhe të monitorimit, dhe qeverisja e saj duket se ka hapësirë për përmirësim (që nënkupton plotësimin e pozitave të lira në Bordin e Bankës Qendrore)”.

Më tutje në raport, inkurajohet Kosova që sa i përket sistemit financiar, të “Mirëmbaj një kornizë të fortë rregullative të sektorit financiar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, të sigurojë menaxhim të shëndoshë të rrezikut kreditor, shpalosje të drejtë të kualitetit të mjeteve, provizione adekuate dhe zhvillimin e një kornize më të integruar për matjen e borxhit të ekonomive familjare. Zvogëlimi i mëtejmë i pengesave të mbetura institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të kredive jo-performuese. Të sigurohet funksionimi efektiv i bankës qendrore duke ndërmarrë një analizë të thellë të kërkesave të stafit në fushat kryesore të saj, e veçanërisht tek stabiliteti financiar dhe mbikëqyrja e sektorit financiar, si dhe plotësimin e vendeve të lira në Bord, të nevojshme për të rivendosur kuorumin e Bordit.”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e reformave në sistemin financiar me qëllim të forcimit dhe zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori, si dhe plotësimit të kritereve të nevojshme për avancim në fushën e integrimit evropian. Për më tepër gjeni raportin e plotë: https://data.consilium.europa.eu/doc/document/ST-10622-2021-INIT/en/pdf

Skip to content