26.04.21-1024x666

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse Sllovake në Prishtinë, Rastislav Kostilník.

Guvernatori Mehmeti informoi z. Kostilník me zhvillimet që kanë ndodhur në sektorin financiar dhe angazhimin e BQK-së për tejkalimin sa më të lehtë të situatës nga ndikimet e shkaktuara prej pandemisë.

Guvernatori gjithashtu, përmendi edhe masat që ka ndërmarrë BQK-ja për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset, në tejkalimin më të lehtë të gjendjes së krijuar, si dhe veprimet për të mbajtur sektorin financiar stabil dhe likuid.

Guvernatori Mehmeti shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me institucionet financiare në Sllovaki, me qëllim të nxitjes së sektorit financiar për të investuar në vendin tonë.

Nga ana tjetër, shefi i Zyrës Ndërlidhëse Sllovake në Prishtinë, Rastislav Kostilník, falënderoi Guvernatorin Mehmeti për pritjen dhe informacionet e ofruara, si dhe shprehu gatishmërinë e  bashkëpunimit për çështjet që kanë të bëjnë me sistemin financiar mes dy institucioneve edhe më tutje.

Mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe mbështetur në kriteret e përcaktuara në konkursin për plotësimin e (një) pozite për anëtar joekzekutiv në Bordin e BQK-së, Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën si më sipër ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve (renditja alfabetike) si në vijim:

  1. Bashkim Nurboja,
  2. Bedri Peci,
  3. But Dedaj,
  4. Kosovare Ukshini,
  5. Mimoza Mustafa.
30.04.2021-1024x464

Guvernatori Mehmeti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim virtual me menaxherin e Bankës Botërore për Kosovë Massimiliano Paolucci dhe përfaqësues të Korporatës Financiare Ndërkombëtare, të udhëhequr nga menaxheri regjional i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Ary Naim dhe udhëheqësi i zyrës për Kosovë, Visar Perani.

Në takim u diskutua lidhur me lancimin e projektit të ri nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, që ka të bëjë me vlerësimin e gjendjes në sektorin mikrofinanciar dhe atë financiar jobankar, si dhe ndryshimet e nevojshme për reformimin e këtij sektori.

Guvernatori Mehmeti i informoi përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në vend, po ashtu i falënderoi për lancimin e projektit dhe shprehu përkushtimin dhe përkrahjen e Bankës Qendrore për projektin.

Menaxheri i Bankës Botërore z. Paolucci dhe menaxheri regjional i Korporatës Financiare Ndërkombëtare z. Naim falënderuan Guvernatorin Mehmeti për takimin dhe përkrahjen, si dhe e informuan për projektin dhe aktivitetet që kanë për qëllim përfshirjen në diskutim të akterëve relevantë, kërkesat për reformim të sektorit, analizën dhe vlerësimin ligjor të sektorit dhe arritjen e rekomandimeve, që do të jenë udhërrëfyes dhe shtytje për vendimmarrësit në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për reformim të këtij sektori shumë të rëndësishëm.

IMG_8120-1024x684

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti u prit nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me ç’rast Guvernatori Mehmeti e uroi për përzgjedhjen në pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Guvernatori Mehmeti e njoftoi Kryetarin Konjufca lidhur me zhvillimet në sektorin financiar për progresin e arritur në këtë sektor, si dhe rëndësinë e tij në zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi.

Njëherësh, Guvernatori Mehmeti përmendi edhe sfidat e prioritetet e BQK-së, ku Kuvendi i Kosovës është mbështetësi më i rëndësishëm në realizimin e tyre.

Kryetari Konjufca falënderoi Guvernatorin për informacionin e dhënë dhe ofroi përkrahjen e Kuvendit për realizimin e objektivave me interes të përbashkët institucional.

29.06.2021-1024x790

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ia ka uruar Ditën e Evropës, shefit të Zyrës së BE-së/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Tomáš Szunyog.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihmën dhënë Kosovës dhe BQK-së në procesin e Integrimit Evropian, duke uruar ditën që simbolizon paqen dhe unitetin në Evropë.

24maj21-1024x581

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka pritur në takim ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në këtë takim Guvernatori Mehmeti njoftoi Ministrin Murati lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përkatësisht sektorin bankar, sigurimeve dhe sektorët tjerë financiarë në vend dhe angazhimin e mëtejmë të BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mbajtjes së sektorit financiar stabil dhe likuid.

Guvernatori Mehmeti njoftoi Ministrin edhe lidhur me zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Evropian, me theks të veçantë në veprimet e ndërmarra nga BQK-ja për harmonizimin e kornizës rregullative bankare me kornizën e Bazel III, liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me sistemin financiar në vend.

Nga ana tjetër, ministri Murati shprehu interesimin që të vazhdojë bashkëpunimi i deritashëm mes dy institucioneve me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar nga pandemia dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të politikave ekonomike që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund, Guvernatori Mehmeti dhe Ministri Murati u dakorduan, që bashkëpunimi mes dy institucioneve të vazhdojë edhe në të ardhmen.

26.05.2021-1024x651

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovë Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, pjesën e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2020 që ndërlidhet me BQK-në.

Para anëtarëve Guvernatori Mehmeti ka thënë se sistemi financiar në Kosovë është shumë i qëndrueshëm dhe stabil, i konfirmuar në raportet e institucioneve me renome ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin Evropian që ka vlerësuar pozitivisht kontributin e BQK-së në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik, ruajtjes së stabilitetit financiar, përmirësimit të praktikave mbikëqyrëse dhe përmirësimit të sistemit të pagesave në Republikën e Kosovës.

“Raporti thekson se lëvizja e kapitalit mbetet kryesisht e lirë në Kosovë dhe nuk ka kufizime në pronësinë e huaj ose në investimet në sektorin financiar, ndërsa nga fusha e pagesave raporti vlerëson miratimin e rregulloreve nga BQK-ja, si: Rregulloren e re për licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemit të pagesave, si dhe Rregulloren për instrumentet e pagesave elektronike duke eliminuar kështu tarifat shtesë për poseduesit e kartelave bankare. Gjithashtu, raporti njeh progresin shtesë që është bërë për ta zbatuar kornizën e Bazel III, në fushën e kërkesave të kapitalit, si dhe menaxhimin e rrezikut të bankave. Komisioni vlerëson po ashtu hyrjen në fuqi të Rregullores për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe rregullores për treguesin e laverazhit. Raporti vë në pah se të gjitha këto akte janë në përputhje me kornizën Bazel III. Në të njëjtën kohë theksohet se BQK ka adoptuar standardin SNRF 9 dhe nga janari 2020 bankat kanë filluar zbatimin e këtij standardi. Sipas Komisionit Evropian, niveli i kapitalizimit të bankave vazhdoj të mbetet i qëndrueshëm 15.9% dhe është konsiderueshëm mbi raportin e kërkuar mjaftueshmërisë së kapitalit e cila është 12%”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Një hapësirë të veçantë raporti i Komisionit Evropian i ka kushtuar zhvillimeve të lidhura me ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, me ç‘rast thekson masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për të ndihmuar kredimarrësit në tejkalimin e vështirësive financiare që kanë buruar si pasojë e krizës, si dhe publikimin e udhëzuesit për ristrukturimin e kredive.

KE-ja ka përshëndetur iniciativën e ndërmarrë nga Banka Qendrore për rritjen e transparencës së çmimeve të kredive konsumuese dhe zbatimit të aftësisë paguese – Solvency I.

Raporti vlerëson edhe miratimin e Rregullores për riblerjen e letrave me vlerë me Bankën Qendrore (miratuar në Prill 2019), e cila mundëson riblerjen e letrave me vlerë midis bankave tregtare në tregun sekondar.

Guvernatori Mehmeti shtoi se BQK-ja mbetet njeri ndër institucionet me shkallën më të lartë të realizueshmërisë së kërkesave të BE-së ndër vite, kjo bazuar në raportet statistikore të vetë Qeverisë, derisa ka thënë se po punohet në mënyrë intensive duke nisur nga liberalizimi i tregut në ofrimin e shërbimeve të pagesave elektronike nga institucione financiare jobankare, me mbështetje të ekspertëve të Bankës Botërore është zhvilluar korniza e Roadmap për implementimin e Solvencës II.

Sa i përket detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, BQK-ja ka punuar vazhdimisht në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Evropian.

“Tashmë kemi aprovuar 3 rregulla; Rregulla mbi benefitet e pensionit, Rregulla mbi mbajtjen e shënimeve në fondet pensionale dhe siguruesit e pensioneve dhe Rregulla mbi transferet dhe pagesat e transferit të mjeteve të pensionit, të cilat janë në pajtueshmëri me Direktivën Evropiane 2003/41. Përderisa, tashmë kemi finalizuar dy rregullore që kanë të bëjnë më kërkesat për likuiditet, si Treguesi i Mbulimit me Likuiditet, si dhe Treguesi i Financimit të Qëndrueshëm Neto të cilat duhet të aprovohen nga Bordi i BQK-së. Këto kërkesa janë në pajtueshmëri të plotë me kornizën e Bazel III. Gjithashtu, jemi në proces të finalizimit të dy rregullave në fushën e pensioneve, ku Rregulla 24 parashkruan kërkesat në letrën e angazhimit të revizorit të jashtëm të fondit të pensionit dhe siguruesve të pensionit dhe Rregulla 25 mbi ndryshimin e Rregullës mbi përcaktimin e përfituesve të pensioneve) të cilat së shpejti pritet edhe të aprovohen”, ka deklaruar ai.

Anëtarët e Komisioni janë njoftuar edhe për punën që po bëhet rreth avancimit të mëtejshëm në zbatimin e kornizës Bazel III, ku tashmë është finalizuar Rregullorja mbi treguesin e mbulimit me likuiditet dhe treguesin e financimit të qëndrueshëm Neto.

Guvernatori ka thënë se me mbështetje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) është duke u zhvilluar një platformë për krahasimin e normave të interesit dhe shërbimeve financiare të ofruara nga institucionet financiare në Kosovë. Kjo platformë do të jetë e shpalosur në faqen zyrtare të BQK-së dhe ka për qëllim të sigurimit të një hapësire, e cila do të ndihmonte konsumatorët në përdorimin më të lehtë të informatave rreth normave të interesit dhe çmimeve të produkteve dhe shërbimeve financiare në sektorin financiar në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi punën edhe angazhimin e BQK-së në liberalizimin e tregut të sigurimeve, i cili do të bëhet brenda këtij viti, derisa përmendi nevojën e adresimit të çështjes së automjeteve të pasiguruara, si  dhe një varg rregulloresh dhe ligjesh që janë në pritje për t’u aprovuar, sapo Kuvendi të zgjedhë anëtarët e Bordit të BQK-së dhe të miratojë ligjet që janë në pritje.

31maj21-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi.

Në këtë takim Guvernatori Mehmeti njoftoi Sekretarin Bardiqi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe angazhimin e mëtejmë të BQK-së për të ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mbajtjes së sektorit financiar stabil dhe likuid.

Sekretari i Përgjithshëm z. Bardiqi falënderoi Guvernatorin Mehmeti për informatat që kanë të bëjnë me sistemin financiar dhe e njoftoi atë për marrëveshjen e arritur për blerjen e vaksinave Covid-19.

Guvernatori Mehmeti përgëzoi Sekretarin Bardiqi dhe Ministrinë e Shëndetësisë për marrëveshjen e arritur me kompaninë Pfizer për blerjen e vaksinave Covid-19, si një hap shumë të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve në njërën anë dhe rikthimit normal të aktivitetit ekonomik, në anën tjetër. Vaksinimi i qytetarëve dhe zhvillimi normal i aktivitetit ekonomik në vend do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit, duke rikthyer rritjen pozitive ekonomike që do të ndikojë edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), me rastin e Javës Ndërkombëtare të Parasë 2019, shpall konkurs për nxënësit e klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të realizojnë punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë: si fitohen paratë, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, si të kursejmë, sfidat, etj.

DSC_3727-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti u prit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me zhvillimet në sistemin financiar dhe progresin e arritur në këtë fushë. Vëmendje e veçantë iu kushtua masave të ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë, masa këto të cilat u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik.  

Njëherësh, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me zbatimin e kërkesave dhe rekomandimeve që dalin nga raportet e institucioneve ndërkombëtare me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar të vendit.

DSC_3742-1024x683

Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit financiar për zhvillimin dhe stabilitetin e ekonomisë së  vendit, duke vlerësuar lart masat mbështetëse gjatë periudhës së krizës pandemike. Gjithashtu u potencua rëndësia e ofrimit të shërbimeve cilësore me kushte të favorshme për qytetarët nga ana e sistemit financiar dhe njëherit u ofrua përkrahje për institucionet e pavarura, që të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Skip to content