Cmimi-per-ekonomist-2-1024x605
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombetare të Parasë, fton nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.
Motoja e Javës Ndërkombetare të Parasë për 2021 është: “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë”.
 Kriteret e konkursit
Eseja duhet të ketë 1000 deri 1500 fjalë;
Eseja duhet të shtjellojë pikëpamje personale për rëndësinë e menaxhimit të financave personale, rolin e kursimit në ekonomi, rëndësinë e kursimit për të ardhmen, rolin e kursimit në tejkalimin e sfidave të krizës, qëndrimi i të rinjve ndaj kursimit, zakone familjare të kursimit, format klasike përkundër formave moderne të kursimit, njohuritë e të rinjve për kursimin në institucionet financiare, qëndrimi i të rinjve lidhur me nevojat për edukim financiar dhe aspekte të tjera.
Eseja duhet të jetë origjinale, kreative dhe jo e kopjuar apo përkthyer;
Eseja duhet të jetë në gjuhën shqipe.
Punimet tuaja mund t’i dërgoni vetëm përmes postës elektronike në adresën: [email protected].
Në subjekt shënoni: “Për Konkursin me rastin e Javës Ndërkombëtare të Parasë”
Mos harroni të shënoni :
– Emrin dhe mbiemrin;      
– Emri i shkollës (klasa/ viti/ komuna/ fshati/ qyteti);
– Emri dhe mbiemri i prindit/kujdestarit si dhe adresa e banimit;
– Numri kontaktues i prindit/ kujdestarit/ mësuesit/ profesorit.
Afati i fundit për dorëzimin e punimeve nga 22 mars deri më 22 prill.
3 esetë më të mira do të shpërblehen si më poshtë:
Çmimi i I- 200 euro,
Çmimi i II -150 euro,
Çmimi i III-100 euro
Esetë fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.
Të interesuarit, për informata shtesë, mund t’i drejtohen faqes zyrtare të BQK-së  www.env2.bqk-kos.org , platformës së  BQK-së për Edukim Financiar http://edukimifinanciar.org ose mund të na kontaktojnë me email në [email protected] . Pas përfundimit të procedurave të përzgjedhjes së eseve më të mira, do të kontaktohen vetëm nxënësit fitues. Suksese!
jnp21-1024x683

Përkundër situatës së krijuar nga Pandemia, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nisur organizimet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Me gjithë sfidat e vazhdueshme që solli COVID-19, BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe duke pas parasysh se sektori financiar është një ndër kontribuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, Edukimit Financiar po vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë.

Përmes punës dhe angazhimit në avancimin e edukimit financiar, qytetarët kanë arritur të përmirësojnë njohuritë e tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve, sfidave e rreziqeve, përmes marrjes së informacioneve, zhvillimit të aftësive dhe shprehive të tyre për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.

Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale e ndërgjegjësimit për fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që në moshë të hershme të sigurohen, të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare. Kjo fushatë apo aktivitet shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, derisa motoja e kësaj Jave, këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë tua”, e cila përmban një mesazh që vjen si ndikim i pandemisë në të gjithat fushat e jetës.

22.03.2021-2-1024x672

“Ngritja e numrit të rasteve me Covid-19, posaçërisht javët e fundit, ka ndikuar që të ndryshojmë agjendën tonë të paraparë për këtë Javë dhe t’i përshtatemi respektimit të rregullave të përcaktuara për Pandeminë. Sot do të shënojmë hapjen e kësaj Jave me grupe të vogla nxënësish, të cilët do të vizitojnë BQK-në. Të njëjtit kanë marrë pjesë në garën e BQK-së për Ese, me temën e Edukimit Financiar dhe që janë përzgjedhur si Esetë më të mira, për të cilët do të ndajmë disa çmime simbolike. Pastaj do të vazhdohet gjatë javës me ligjërata e  aktivitete të tjera virtuale në pamundësi të realizimit të aktiviteteve të parapara. Një aktivitet tjetër për të cilin dëshiroj t’i ftoj nxënësit e shkollave të mesme që të marrin pjesë, është që sot ne kemi shpallur një konkurs për Ese me temën e motos së kësaj Jave ”Kujdesu për veten kujdesu për paratë”, i cili do të qëndrojë i hapur për një muaj, ku tri Esetë më të mira do t’i fitojnë 3 çmime. Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar e edukuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka thënë Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti në lansimin e kësaj jave.

BQK-ja nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili tashmë drejtohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). BQK organizon ngjarje e aktivitete të ndryshme me qëllim që të ndikojë në nxitjen e fëmijëve dhe të rinjve që të fitojnë njohuri ekonomike e financiare të cilat do t’ju nevojiten gjatë tërë jetës.

Qëllimi i Programit të Edukimit Financiar të BQK-së është që në aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grup-moshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.  

Vlen të përmendet një nga projektet konkrete që ka nisur BQK-ja dhe që lidhet me institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar që vjen pas nënshkrimit të memorandumit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në tetorin e vitit të kaluar. “Po ashtu jemi dakorduar për mundësinë e përfshirjes së edukimit financiar në kurrikulën shkollore dhe konkretisht kemi përgatitur koleksionin prej 5 librash për klasat e I deri V, i cili planifikohet të shpërndahet posa të na lejojnë kushtet e pandemisë dhe  do të mësohen në kuadër të lëndës “Shkathtësi për jetë”. Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulën zyrtare shkollore njihet si një nga mënyrat më efikase, të qëndrueshme, afatgjate dhe të duhura për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare, të mësohen nga një gjeneratë e tërë dhe në nivel vendi. Po ashtu kemi një numër projektesh në proces, për të cilat do të informoheni me kohë, të cilat konsideroj  që do të kontribuojnë në të mirën e qytetarëve dhe në marrjen e vendimeve të duhura financiare kundrejt produkteve dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, dua t’ju informoj që të gjitha aktivitetet materialet dhe konkurset në vazhdimësi i promovojmë edhe në faqen zyrtare apo në rrjetet sociale të BQK-së, andaj i ftoj fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë që të na përcjellin qoftë përmes tyre”, ka thënë tutje Guvernatori Mehmeti.

BQK organizoi një ngjarje me rastin e hapjes së Javës së parasë për vitin 2021, ku ndau çmimet për nxënësit fitues të garës për Esenë më të mirë për Edukim Financiar. Konkursi ka qenë i dedikuar për nxënësit e shkollave fillore, konkretisht klasa VI deri IX dhe janë ndarë gjithsej 10 çmime. Nxënësit fitues të këtyre çmimeve janë si ne vijim: Çmimi i parë: Qëndresa Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin ,Zveçan; Çmimi i dytë: Erona Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin, Zveçan; Çmimi i tretë: Erina Musliu,  klasa IX/4, SHFMU  “Mihal Grameno”, Fushë Kosovë; Çmimi i katërt: Enda Imeri, klasa VIII/1, SHFMU “Ibrahim Rugova”, Podujevë, Çmimi i pestë: Erdonit Jusufi, klasa VII, SHFMU “Dëshmorët e Kombit”, Lagjja Malësia, Kamenicë; Çmimi gjashtë: Adora Alidemaj, Klasa VIII B, Shkolla ISP (International School of Prishtina), Prishtinë, Çmimi i shtatë: Era Xërxa, klasa VII/2, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë,  Çmimi i tetë: Ema Boqolli, klasa VII/3, SHFMU “Asdreni”, Pejë, Çmimi i nëntë: Hena Perjuci, klasa VIII/1, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë,  Çmimi i dhjetë: Etrid Thaçi, klasa IX, SHFMU “Metush Krasniqi”, fshati Rogoçicë, Kamenicë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, fton nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për esenë më të mirë në fushën e financave dhe ekonomisë.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.

IMG_3074-1024x683

Në kuadër të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka mbajtur një ligjëratë me studentët e drejtimit ekonomik në Kolegjin AAB.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se përkundër situatës së vështirë të krijuar nga pandemia, sektori bankar ka arritur të performoj mirë dhe t’i gjendet në ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë.

Në bashkëbisedimin e mbajtur me studentët, Guvernatori Mehmeti ka përmendur masat e ndërmarra nga BQK-ja që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, masa të cilat janë njohur edhe nga institucionet më kredibile ndërkombëtare.

Gjithashtu, ka përmendur edhe bashkëpunimin që kanë pasur me të gjitha institucionet me qëllim që kjo situatë të tejkalohet më lehtë edhe pse sipas tij, ekonomia ka pësuar nga efektet e pandemisë.

IMG_3064-1-1024x683

Ai ka ritheksuar nevojën për rritjen e mbështetjes së sektorëve të prekur shkaku i masave të ndërmarra me qëllim të frenimit të virusit, derisa ka thënë se BQK-ja mbetet e përkushtuar që të ndihmojë ringritjen ekonomike.

Guvernatori ka përmendur edhe mundësinë që u është krijuar bizneseve përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Gjithashtu, ka përmendur aktivitetet e shumta që BQK ndërmerr në fushën e edukimit financiar duke i njoftuar edhe për mundësitë, që u ofrohen si me informacione ashtu edhe me praktikën në BQK.

Nga ana tjetër, studentët parashtruan pyetje të ndryshme rreth funksionimit të sistemit financiar dhe zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, kurse drejtuesit e Fakultetit Ekonomik falënderuan Guvernatorin Mehmeti për ndarjen e informatave, duke shprehur interesimin që edhe në të ardhmen të mbahen ligjërata të kësaj natyre.

Në kuadër të programit aktual të forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Portugalisë (Banco de Portugal) sot filluan aktivitetet e fokusuara në avancimin e proceseve në BQK për rishikimin dhe shqyrtimin e ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.  Ky komponent i programit do të realizohet deri në fund të këtij viti, si dhe do të përfshijë vlerësimin e gjendjes aktuale, nxjerrjen e rekomandimeve për konvergjencë dhe harmonizim me praktikat e zbatueshme nga bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe parashtrimin e mënyrës së zbatimit të këtyre rekomandimeve.  Në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, ky komponent i programit do të zhvillohet kryesisht përmes sesioneve me video-konferencë dhe shkëmbimeve të dokumentacionit me postë elektronike.

BQK-ja pret që përmes aktiviteteve përbërëse të këtij komponenti të programit do të kontribuohet në zhvillimin e mëtejmë të funksionit të saj të mbrojtjes së shfrytëzuesve të shërbimeve financiare.  Me këtë funksion, BQK-ja synon ta avancojë trajtimin e drejtë dhe efikas të klientëve të institucioneve financiare që operojnë në Republikën e Kosovës.

Programi i forcimit të kapaciteteve të bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lansua më 26 mars 2019.  Ai po financohet nga Bashkimi Evropian dhe në të janë të përfshira 20 banka qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor. Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) administron dhe bashkërendon të gjithë komponentët e programit. 

GERMAN-UNITY-DAY-1024x768

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, u ka uruar Pashkët, të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë.

Në urimin dërguar ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji thuhet se kjo festë simbolizon mishërimin e besimit në rilindjen e vlerave që çuan njerëzimin përpara.

Guvernatori Mehmeti ka uruar që këto Pashkë të shërbejnë për ringjalljen e zemërgjerësisë, tolerancës, respektit dhe dashurisë në mes njëri-tjetrit, virtyte të cilat shqiptarët i kultivuan ndër shekuj.

SM21_tile

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) po marrin pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat për shkak të pandemisë, po mbahen në mënyrë virtuale.

Këto takime do të mbahen nga data 7 deri më 19 prill.

Në takimet virtuale do të diskutohet lidhur me zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe pritjet për vitin 2021.

FMN-2-1024x462

Në takimet që do të zhvillohen ditëve në vijim do të diskutohet edhe për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.

Temë të këtyre takimeve virtuale pritet të jetë edhe mbështetja e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar për lehtësimin e borxheve për qasje të drejtë dhe të përballueshme ndaj vaksinave nga vendet në zhvillim, si dhe rikuperimi nga kriza e COVID-19, duke kursyer jetët e njerëzve dhe mbështetjen për zhvillimin e gjelbër, elastik dhe gjithëpërfshirës, si dhe perspektiva dhe sfidat e politikave për Evropë dhe FMN.

Pjesë diskutimi të këtyre takimeve do të jenë edhe reformat, projektet e ardhshme dhe diskutimi i mundësive për financim në të ardhmen.

8.prill_-1024x683

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në mesazhin e urimit, Guvernatori Mehmeti ka thënë se akti më i lartë juridik i vendit, i miratuar para 13 vitesh, ka vulosur pavarësinë e Kosovës dhe ka mundësuar konsolidimin e shtetit dhe krijimin e vlerave për një shoqëri të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.

Guvernatori Mehmeti ka thënë tutje se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, i përcaktuar si institucion i pavarur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë të angazhohet për t’i siguruar vendit një sistem financiar të qëndrueshëm i cili i shërben stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit.

SM21_tile

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që edhe këtë vit, për shkak të pandemisë Covid-19 u organizuan nga distanca.
Në takimet pranverore, të cilat u zhvilluan nga data 5 deri më 12 prill 2021, Guvernatori Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë në takim me Drejtorin e Departamentit për Evropë të FMN-së, Alfred Kammer, me të cilin u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe lidhur me planet dhe pritjet për vitin 2021.

Për këto zhvillime, u diskutua edhe në takimin me ekipin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën. Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti informoi përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me gjendjen në sistemin financiar të vendit.

Përfaqësuesit e BQK-së zhvilluan takim edhe përfaqësues të FMN-së, përkatësisht me Departamentin e Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit, ku u diskutua lidhur me procesin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga asistencat e mëhershme teknike të FMN-së. Në këtë takim u shpreh edhe interesi për përkrahje në të ardhmen, për fushat me rendësi për BQK-në.

FMN-2-1024x355

Guvernatori Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë edhe në takimin plenar të Komitetit Monetar Financiar Ndërkombëtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me adresimin e pandemisë, promovimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe ringjalljen e bashkëpunimit global.

FMN-3-1-1024x439

Guvernatori Mehmeti mori pjesë në takimet e ndara të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Konstituencës së Bankës Botërore, pjesë e të cilave është edhe Republika e Kosovës, si dhe në takimin e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me temën perspektiva dhe sfidat e politikave për Evropën.

Gjithashtu, të hënën Guvernatori Mehmeti do të mbajë takim virtual me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, me të cilën do të diskutohet për zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe për reformat dhe projektet e ardhshme.

Takimet pranverore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, bashkojnë bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

20.04.2021-1024x652

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Odës së hotelerisë dhe turizmit, dhe ata të gastronomisë të kryesuar nga drejtori i OHT-së, Hysen Sogojeva.

Në këtë takim Guvernatori informoi të pranishmit me veprimet e deritashme dhe planet e BQK-së me qëllim të përkrahjes së mëtejme për të lehtësuar qasjen në financa për bizneset dhe lehtësimeve të tjera që planifikohen të ndërmerren, në rast të nevojës, në mënyrë që bizneset e prekura më së shumti nga masat e ndërmarra kundër pandemisë, të përballojnë më lehtë barrën financiare gjatë procesit të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë dhe të gastronomisë, falënderuan Guvernatorin Mehmeti për takimin, si dhe kërkuan që sektori bankar të vazhdojë të lehtësojë dhe të përkrahë këtë kategori, me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të gjendjes së vështirë, të krijuar nga pandemia.

22.04.2021-1024x501

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka takuar drejtorin ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropianë Emrush Ujkani.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale në sektorin financiar dhe masat e ndërmarra nga BQK-ja për të ndihmuar, me qëllim të tejkalimit me sa më pak probleme nga situata e pandemisë.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se BQK-ja që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë ka qenë e angazhuar për të ndihmuar institucionet, ekonominë dhe qytetarët.

Ai ka bërë të ditur se pavarësisht masave të ndërmarra me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga COVID-19, sektori financiar ka mbetur stabil dhe likuid, si dhe ka ndihmuar gjatë tërë kohës ekonominë dhe qytetarët.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve Evropianë përgëzuan Guvernatorin për mbajtjen e sistemit financiar stabil dhe shprehën gatishmërinë që të rritin bashkëpunimin, me qëllim të ndihmës së ekonomisë.

Skip to content