Mbikëqyrja bankare

Mbikëqyrja e bazuar në rrezik është një proces i strukturuar, fleksibil dhe i disenjuar që të identifikojë, vlerësojë, matë, monitorojë dhe kontrollojë/zvogëlojë (mitigojë) faktorët kryesorë të rrezikut të cilëve u janë ekspozuar bankat individuale dhe e gjithë industria financiare. Duke përdorur qasjen e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, vlerësohen politikat për vlerësimin e rrezikut dhe praktikat e përdorura nga bankat për të kontrolluar/zvogëluar rrezikun. Fokusi i vëmendjes mbikëqyrëse sipas mbikëqyrjes së bazuar në rrezik është në fushat e rrezikut të cilat paraqesin rrezik më të lartë për sigurinë dhe mirëqenien e bankave. Mbikëqyrja e bazuar në rrezik gjithashtu mbështet BQK-në në arritjen e objektivave të saj rregullatore, duke marrë parasysh nevojën për të angazhuar burimet e saj në mënyrën më efikase dhe efektive.

Qëllimi i këtij manuali është që të organizojë dhe formalizojë objektivat dhe procedurat mbikëqyrëse që ofrojnë udhëzime për ekzaminerët bankarë të BQK-së, si dhe për të rritur cilësinë dhe zbatimin e vazhdueshëm të procedurave mbikëqyrëse. Manuali ofron udhëzime specifike për: përcaktimin dhe vendosjen e strategjisë mbikëqyrëse për çdo bankë; përcaktimin e procedurave që do të përdoren në ekzaminimin e të gjitha fushave të një banke, duke përfshirë edhe ato procedura që do të mundësojnë zbulimin e hershëm të trendëve, që nëse vazhdojnë, mund të rezultojnë në përkeqësim të kushteve të bankës; vlerësimin e përshtatshmërisë së praktikave dhe procedurave të institucionit për menaxhim të rrezikut, si dhe nivelin e pajtueshmërisë me to; vlerësimin e performancës së përgjithshme dhe aktiviteteve të menaxhmentit dhe bordit të drejtorëve; përgatitjen e letrave të punës që mbështesin konkluzionet e arritura dhe ndihmojnë në vlerësimin e punës së kryer; si dhe përdorimin e kritereve objektive si bazë për konkluzionet e përgjithshme dhe për komentet dhe kritikat të cilat gjenden në raportin e ekzaminimit në lidhje me gjendjen dhe kualitetin e bankës dhe menaxhmentin e saj.

Skip to content