Departamenti i Mbikëqyrjes së Bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve, IP dhe IPE

Bazuar në Ligjin 03/L-209, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil. Ky objektiv është i lidhur drejtpërdrejt me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare (DMB).

Përgjegjësi kryesore e këtij Departamenti është mbikëqyrja e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare.

  • Mbikëqyrja e institucioneve bankare, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve që merren me lizing, me shërbimet e pagesave, institucioneve kreditore, këmbimoreve, agjencive për transferimin e parave dhe të gjitha institucioneve financiare tjera përveç kompanive të sigurimit dhe fondeve pensionale;

    Përcaktimi i politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar;

    Mbledhja, analizimi dhe publikimi i informacioneve relevante financiare;

    Bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në emër të BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare;

    Zbatimi dhe zhvillimi i politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë financiare me qëllim të sigurimit të stabilitetit të sistemit bankare respektivisht reduktimin e rrezikut të humbjes për depozituesit.

Detyrat e Departamentit të Mbikëqyrjes së Bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve, IP dhe IPE janë:

    • Përpilon dhe organizon strategjinë mbikëqyrëse të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE);
    • Kryen aktivitete mbikëqyrëse në vend dhe nga jashtë të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE);
    • Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e qeverisjes përfshirë performancën e bordeve të drejtorëve, organeve të menaxhmentit ekzekutiv, si dhe niveleve tjera menaxhuese, konform legjislacionit në fuqi;
    • Monitoron dhe vlerëson nivelin e ekspozimit të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE) ndaj rreziqeve kreditore dhe rreziqeve të tjera relevante, sistemeve për administrimin e rreziqeve, kërkesave për kapital për mbulimin e rreziqeve, mënyrës së vlerësimit të rreziqeve, ecurisë dhe qëndrueshmërisë së rezultatit financiar;
    • Mbikëqyr pajtueshmërinë e veprimtarisë së bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE) me kuadrin ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre;
    • Vlerëson mjaftueshmërinë dhe përshtatshmërinë e politikave, procedurave, sistemeve dhe metodologjive për menaxhimin e rreziqeve;
    • Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të auditimit të brendshëm për evidentimin dhe ndjekjen në kohë të dobësive të evidentuara;
    • Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të teknologjisë informative;
    • Rekomandon shqiptimin e masave administrative që duhet të ndërmerren ndaj bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE) për vetëdijesimin dhe përmirësimin e qeverisjes konform legjislacionit në fuqi;

    • Propozon masat detyruese ndaj bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE) si dhe monitoron zbatimin e rekomandimeve, kërkesave dhe masave detyruese të shqiptuara ndaj tyre;
    • Verifikon saktësinë dhe plotësinë e raporteve të dorëzuara nga bankat, IMF-të dhe IFJB-të (IP dhe IPE);
    • Përgatit dhe publikon analiza dhe raporte mbi gjendjen financiare të bankave, IMF-ve dhe IFJB-ve (IP dhe IPE);
    • Merr pjesë në draftimin e politikave, dokumenteve rregullative dhe rregullave të brendshme relevante;
    • Merr pjesë dhe prezanton BQK-në në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare.

Aktiviteti i DMB-së është e ndarë në tri funksione (divizione) të veçanta dhe atë: Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend, Divizioni i Raportimit dhe Analizave dhe Divizioni i Mbikëqyrjes së Institucioneve Mikrofinanciare (IMF) dhe Institucioneve Financiare Jobankare (IFJB) përfshirë IP dhe IPE.

Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend për bankat komerciale

Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend për bankat komerciale - përfshin vlerësimin e rreziqeve bankare si: rrezikun  kreditor, rrezikun e likuiditetit, rrezikun operacional, rrezikun e tregut dhe rreziqe të tjera, nëpërmjet adoptimit dhe zhvillimit të qasjes së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, përmes analizave respektivisht vlerësimeve të bazuara në të dhënat financiare të raportuara nga bankat, si dhe gjatë ekzaminimeve në vend.

Divizioni i Raportimit dhe Analizave

Divizioni i Raportimit dhe Analizave - përfshin analizën, vlerësimin dhe interpretimin e të dhënave financiare të raportuara nga bankat dhe institucionet tjera financiare, si dhe vlerësimin e trendeve financiare. Monitorimi i shëndetit financiar të bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare duke identifikuar institucionet të cilat tregojnë përkeqësim financiar janë detyrë parësore të këtij funksioni të Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare.

Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare

Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo-ankare - përfshinë konform qasjes që aplikohet për bankat komerciale, vlerësimin e rrezikut të institucioneve në fjalë duke përfshirë rrezikun kreditor, rrezikun e likuiditetit dhe rreziqe të tjera, nëpërmjet adaptimit dhe zhvillimit të qasjes së mbikëqyrjes së bazuar në rrezik. Kjo, duke u bazuar në analizat/vlerësimet e të dhënave financiare të raportuara nga institucionet financiare si dhe gjatë ekzaminimeve në vend.

Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve

Përgjegjësi kryesore e Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve është mbikëqyrja e institucioneve financiare të sigurimit.

Për më tepër, detyra tjera të cilat janë përgjegjësi e DMS-së janë: mbikëqyrja e kompanive të sigurimit; mbledhja dhe publikimi i informacioneve relevante financiare; bashkëpunimi dhe pjesëmarrja, në emër të BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së sigurimeve, me qëllim të sigurimit të stabilitetit të sistemit të sigurimeve. 

Aktiviteti i DMS-së është i ndarë në dy divizione të veçanta: Divizioni i Raportimit dhe Analizave dhe Divizioni i Mbikëqyrjes në Vend.

Përveç tjerave, Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve kryen edhe këto funksione kryesore:

    • Përpilon dhe organizon strategjinë mbikëqyrëse të kompanive të sigurimeve;
    • Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e qeverisjes, përfshirë performancën e bordeve të drejtorëve, menaxhmentit dhe niveleve tjera, konform legjislacionit në fuqi;
    • Mbikëqyr pajtueshmërinë e veprimtarisë së kompanive të sigurimeve me kornizën ligjore në fuqi dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre;
    • Vlerëson përshtatshmërinë dhe efektshmërinë e sistemeve të teknologjisë informative;
    • Përgatit planin e ekzaminimit dhe bën realizimin e planeve të aprovuara të ekzaminimit në bazë të manualeve përkatëse;
    • Kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara të kompanive të sigurimeve;
    • Përcjell zbatimin e masave të kërkuara në bazë të gjetjeve të konstatuara;
    • Merr pjesë në draftimin e politikave, instrumenteve rregullatore dhe rregullave të brendshme relevante.

    • Pranon dhe shqyrton raportet mujore të primeve dhe dëmeve si dhe raportimin përkatës;
    • Pranon dhe shqyrton planet vjetore të biznesit të kompanive të sigurimit;
    • Pranon dhe shqyrton pasqyrat financiare tremujore të kompanive të sigurimeve, si dhe përgatit analizat përkatëse në lidhje me likuiditetin dhe riskun sigurues, fuqinë financiare të kompanisë, kapitalin minimal të kërkuar, provizionet teknike dhe detyrimet e tjera, margjinën minimale të solvencës, përformancën financiare të kompanisë, programin dhe kontratat e risigurimit dhe tregues të tjerë relevantë;
    • Shqyrton raportet e auditorit të jashtëm të kompanive të sigurimeve dhe ndërmjetësuesve të sigurimeve, si dhe përgatit raportet vjetore përkatëse, përcjelljen dhe adresimin e nevojshëm.

      Aktuari i cili i përgjigjet Drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve do t’i përgjigjet edhe Zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare si dhe Guvernatorit sipas kërkesës.

Departamenti i Licencimit dhe Standardizimit

Përgjegjësi kryesore e Departamentit të Licencimit dhe Standardizimit është licencimi i të gjitha institucioneve financiare, aspektet e rregullimit dhe standardizimit të tyre, si dhe të mbrojtjes së klientëve të tyre.

  • Zbatimi i kornizës ligjore për licencimin, regjistrimin dhe rregullimin e të gjitha institucioneve financiare;

  • Ndërtimi dhe zhvillimi i një kuadri të përshtatshëm ligjor dhe rregullativ për mbikëqyrjen financiare, zbatimi dhe pajtueshmëria adekuate me ligjet, rregulloret dhe standardet e mbikëqyrjes financiare me qëllim të nxitjes dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar, si dhe përcjellja dhe monitorimi i sjelljes në treg te institucioneve financiare të orientuar veçanërisht kah shpalosja adekuate dhe mbrojtja e konsumatorëve;

  • Zbatimi dhe zhvillimi i politikave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për licencimin, regjistrimin dhe rregullimin e veprimtarisë financiare.

Divizioni i Licencimit

Detyrat e Divizionit të Licencimit janë:

    • Shqyrton kërkesat për licencimin e institucioneve financiare duke siguruar hyrjen në tregun financiar vetëm të atyre institucioneve, që kanë kapital të mjaftueshëm për matjen dhe monitorimin e rrezikut, politika dhe procedura për kontrollin e tij dhe që propozojnë të kenë administratorë me nivel të lartë kualifikimi, profesionalizmi dhe etike;
    • Shqyrton kërkesat për miratimet paraprake të nevojshme gjatë kohës që institucioni zhvillon veprimtarinë e tij;
    • Siguron dhe verifikon saktësinë dhe plotësinë e dokumentacionit të kërkesave për licencim/regjistrim/autorizim si institucion i veçantë financiar;
    • Shqyrton dokumentacionet e kërkesave të institucioneve financiare për miratim lidhur me aspekte pronësore, qeverisëse, administrative ose operacionale;
    • Konsultohet vazhdueshëm me divizionin e rregullimit dhe standardizimit, si dhe Departamentin Ligjor dhe bashkëpunon me njësitë e tjera organizative të mbikëqyrjes financiare lidhur me trajtimin e kërkesave për licencim/regjistrim/autorizim ose miratim;
    • Përgatit rekomandimet për vendime lidhur me kërkesat për licencim/ regjistrim/autorizim ose miratim, si dhe lidhur me revokimet e licencave/regjistrimeve/autorizimeve të dhëna ose shfuqizimet e miratimeve paraprake;
    • Mban regjistrat qendrorë të institucioneve financiare të licencuara/regjistruara/autorizuara, si dhe të atyre që iu është revokuar licenca/regjistrimi/autorizimi.
    •  

Divizioni i Metodologjisë dhe Standardizimit

Detyrat e Divizionit të Metodologjisë dhe Standardizimit janë:

    • Ndërtimi e një kuadri rregullativ, të përbërë nga një tërësi kriteresh minimale dhe rregullash për t’u zbatuar nga industria financiare;
    • Përmirësimi dhe rishikimi i vazhdueshëm të tij për të qenë në harmoni të plotë me standardet ndërkombëtare,
    • Përcjellja e zbatueshmërisë së kornizës ligjore, adaptimin e parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare;
    • Procesi i përmirësimit të vazhdueshëm metodologjik dhe praktik të modelit të mbikëqyrjes së institucioneve financiare në funksion të standartizimit të tij;
    • Rritja së mëtejshme të efektivitetit;
    • Zgjerimi i kapaciteteve vlerësuese të rreziqeve;
    • Bashkëpunimi me njësitë relevante të mbikëqyrjes financiare për të siguruar koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta; pjesëmarrjen në rishikimin dhe ngritjen e praktikës dhe metodologjisë mbikëqyrëse;
    • Draftimi i politikave, akteve rregullative dhe akteve të brendshme relevante të mbikëqyrjes financiare;
    • Përcjellja dhe analiza me zhvillimet relevante, sidomos të rregulloreve dhe direktivave të BE-së dhe Standardet e Bazelit dhe Praktikave më të mira ndërkombëtare;
    • Interpretimi i kërkesave të ndryshme që vijnë nga institucionet financiare lidhur me zbatimin e kuadrit rregullativ brenda kompetencave dhe funksionit të Departamentit;
    • Hartimi i akteve nënligjore, udhëzuesit dhe metodologjinë në funksion të përmbushjes së objektivave për rimëkëmbjen dhe përmbylljen e institucioneve financiare;
    • Përpilimi i metodologjisë së raportimit të institucioneve financiare;
    • Bashkëpunimi me Divizionin e Planifikimit, Strategjisë dhe Koordinimit në kuadër të Departamentit për Rimëkëmbje dhe Përmbyllje.
    • Bashkëpunon ngushtë me Departamentin Ligjor dhe Pajtueshmërisë në lidhje me hartimin dhe harmonizimin e kornizës ligjore dhe rregullative
    •  

Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Parandalimit të pastrimit të Parave dhe të financimit të terrorizmit.  Ky Divizion është përgjegjës për mbikëqyrjen e institucioneve financiar me fokus në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

 

Detyrat në të cilat kontribuon Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe të financimit të terrorizmit përfshijnë mbikëqyrjen e institucioneve financiare, në aspekt të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Detyra e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk është cekur në mënyrë të veçantë në Ligjin për BQK.  Është Ligji mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që e adreson këtë detyrë dhe që specifikon edhe rolin përkatës të BQK-së.  BQK-ja e ka të zhvilluar edhe rregullativën e saj për fushën në fjalë.

 

Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe të Financimit të Terrorizmit ka për qëllim sigurimin e përputhshmërisë së institucioneve financiare me legjislacionin dhe rregullativën në fuqi, që e rregullon parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit terrorizmit.  Në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë e Inteligjencës Financiare, si autoritet primar në këtë fushë dhe me entitetet e tjera relevante, ky Divizion kontribuon në zhvillimin dhe sendërtimin e strategjive adekuate kombëtare për menaxhimin rreziqeve përkatëse.

Aktivitetet kryesore të Divizionit të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit janë:

    • Avancimi dhe sigurimi i implementimit të kornizës ligjore në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
    • Mbikëqyrja e institucioneve financiare në kuadër të funksionit të parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit;
    • Fuqizimi i bashkëpunimit dhe rritja e kujdesit për sektorin financiar sa i përket parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit;
    • Vlerësimi sistematik i rreziqeve dhe përcjellja e trendeve sa i përket aspektit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
    • Monitorimi dhe përcjellja aktive e transaksioneve në mënyrë teknike me sistemet e pagesave që menaxhohen nga BQK.
    •  

Specifikisht, Divizioni i Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit kryen këto detyra:

    • Realizimi i ekzaminimeve në vend dhe nga distanca tek institucionet financiare në kuadër të funksionit të parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit;
    • Analiza e rrezikut të bankës dhe institucionit financiar, në aspekt të rrezikut të përdorimit për qëllime të pastrimit të parave, duke përfshirë kontrollin e pronësisë dhe llojet e produkteve bankare që banka i përdor;
    • Vlerësimin e politikave dhe procedurave në aspekt të PPP/LFT dhe niveli i zbatimit të tyre;
    • Vlerësimi i rolit dhe funksionit të pajtueshmërisë për PPP/LFT;
    • Vlerësimi sipas parimit të Kujdesit të duhur dhe të shtuar ndaj klientit;
    • Vlerësimi i procedurave të hapjes së llogarive;
    • Vlerësimi i procedurave për kategori të veçanta të klientëve;
    • Vlerësim i ruajtjes së të dhënave, dokumenteve dhe transaksioneve, sipas parimit të kujdesit të shtuar ndaj klientit;
    • Vlerësimi i transfereve të fondeve, bankave korrespondente dhe marrëdhënieve të ngjashme;
    • Vlerësimi i rolit të funksionit të pajtueshmërisë së PPP/LFT dhe auditimit të brendshëm;
    • Vlerësimi i nivelit dhe kualitetit të raportimeve të transaksioneve në të gatshme, baras ose më tepër se 10,000 euro te NJIF-K;
    • Rekomandon tek Bordi Ekzekutiv shqiptimin e masave administrative që duhet të ndërmerren ndaj bankave dhe institucioneve financiare për vetëdijesimin dhe përmirësimin e menaxhimit të bankës ose institucionit financiar sa i përket PPP/LFT;
    • Përgatitja e raporteve të ekzaminimit të institucioneve financiare, përfshirë rekomandimet e nevojshme për institucionin financiar të ekzaminuar;
    •  

Divizioni i Mbikëqyrjes Pensionale dhe Tregjeve

Bazuar në Ligjin nr. 03/L – 209, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) e ka për objektiv parësor nxitjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur drejtpërdrejt me detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Mbikëqyrjes Pensionale dhe të Tregut të Letrave me Vlerë.  Përgjegjësi kryesore e DMP-së dhe TLV-së është mbikëqyrja e fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë. 

 

Për më shumë, detyrat të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e DMP dhe TLV-së janë: mbikëqyrja e fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë; mbledhjen, analizimin  e  informacioneve relevante financiare; bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në emër te BQK-së në këshillat dhe organizatat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare  .  Fusha e mbikëqyrjes së fondeve pensionale është e specifikuar me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, si dhe legjislacioni sekondar.

 

Divizioni i Mbikëqyrjes Pensionale dhe të Tregut ka për qëllim zbatimin dhe zhvillimin e politikave, praktikave më të mira për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së fondeve pensionale dhe të tregut të letrave me vlerë. 

Divizioni i Mbikëqyrjes Pensionale kryen këto funksione kryesore:

    • Përpilon dhe realizon strategjinë mbikëqyrëse të fondeve pensionale;
    • Përgatit e planin vjetor të ekzaminimeve dhe bën realizimin e planeve të aprovuara të ekzaminimeve në bazë të legjislacionit dhe manualeve përkatëse.
    • Analizon dhe kryen ekzaminime në vend të fondeve pensionale
    • Rekomandon shqiptimin e masave që duhet të ndërmerren dhe përcjell përmbushjen e rekomandimeve nga ana e fondeve pensionale;
    • Merr pjesë në draftimin e politikave dhe  dokumenteve rregullative dhe rregulloreve të brendshme relevante për mbikëqyrje të fondeve pensionale
    • Mbikëqyrë pajtueshmërinë e veprimtarisë së fondeve pensionale me kuadrin ligjor dhe rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira që lidhen me veprimtarinë e tyre.
    •  

Mbikëqyrja e Tregjeve

Mbikëqyrja e tregjeve normalisht rregullohet me ligjin për Tregun e Kapitalit dhe me rregullativë sekondare. Ky ligj duhet të përcaktojë:

    • Kushtet e themelimit, licencimit, mbikëqyrjes dhe shpërbërjes/mbylljes së kompanive/korporatave
    • Kushtet për tregtimin te instrumenteve financiare në një treg të rregulluar ose tregtim jashtë një tregu të rregulluar;
    • Kushtet për ofrimin e aktiviteteve te rregulluara dhe shërbimeve te rregulluara[1];
    • kushtet për ofrimin e letrave me vlerë në publik dhe tregtimin e letrave me vlerë në një treg të rregulluar;
    • Kërkesat për informacion nga shoqëritë që kryejnë veprimtari të rregulluara me ligj për tregun e kapitalit;
    • Masat parandaluese të abuzimit në treg dhe tregtimit të brendshëm (insider trading);
    • Kompetencat dhe veprimtaritë e autoritetit rregullues (p.sh BQK ne këtë rast ose ndonjë autoritet tjetër rregullues nëse vendoset) sipas këtij ligji.

     

     

Funksionet e divizionit në kuadër të mbikëqyrjes së tregjeve janë:

    • Të formulojë dhe aprovojë rregullativ sekondare plotësuese të Ligjit të Tregut që do të ndihmojë në mbikëqyrjen e tregut
    • Të formulojë kodet e sjelljes së subjekteve të licencuara (ang. market conduct)
    • Të mbikëqyrë institucionet e licencuara dhe aktivitetin ne tregun e rregulluar
    • Të licencojë dhe mbikëqyrë shtëpitë e kliringut apo autoritetin përkatës që bën vendosjen dhe shlyerjen (ang. settlement and clearing)
    • Vendosë rregullat dhe praktikat për qeverisjen korporative të korporatave që emetojnë letra me vlere
    • Vendosë rregullat dhe praktikat për menaxhimin e rrezikut
    • Vendosë rregullat dhe praktikat e mënyrës së investimit
    • Vendosë rregullat dhe procedurat për sigurimin e transparencës për kompanitë e listuara
    • Vendosë rregullat dhe procedurat për short-selling, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, për sanksionimet dhe dënimet.
    • Vendosë rregullat dhe procedurat për listim dhe tregtim te instrumenteve financiare ne bursa apo tregjeve jashtë bursave (ang. Over the counter).
    • Vendosë rregullat për emetimin e letrave me vlerë
    • Vendosë rregullat e de-listimit të instrumenteve financiare (heqjen e instrumenteve nga bursa)
    •  

Divizioni për Mbikëqyrjen e Sistemeve të TI-së të institucioneve financiare

Me rritjen e varësisë së institucioneve financiare dhe shërbimeve financiare në sisteme të IT-së dhe shërbime të procesimit të IT-së apo që ndërlidhen me teknologjinë dhe komunikimin të kontraktuara nga palët e treta është e nevojshme që edhe nga aspekti i mbikëqyrjes të rritet kujdesi dhe mbikëqyrja e institucioneve financiare sa i përket dobësive dhe rreziqeve të mundshme operacionale të shoqëruara nga përdorimi i këtyre sistemeve.

Rreziqet e ndërlidhura me këto shërbime mund të ndikojnë në profitabilitetin, likuiditetin dhe vet kapitalin e institucioneve financiare, si dhe sistemit financiar në tërësi në rastet e afektimit të institucioneve sistemike. Një materalizim i këtyre rreziqeve mund të ndikojë negativisht edhe në reputacionin e institucioneve financiare dhe të shërbimeve financiare në përgjithësi, me mundësi ndikimi edhe në reputacionin dhe rrjedhimisht stabilitetin e sektorit financiar. Këto rreziqe mund të shkaktojnë edhe ndërprerjen e ofrimit të shërbimeve financiare, rrjedhimisht dobësimin dhe zbehjen e besimit të konsumatorëve, në veçanti ndaj produkteve dhe shërbimeve të caktuara financiare, me rrezik edhe për humbjen e besimit në sistemin financiar.

Trendi i shpejtë i zhvillimeve dhe ndryshimeve teknologjike paraqet sfida të reja dhe kërkon një monitorim të vazhdueshëm të këtyre zhvillimeve, si dhe vlerësim të impaktit të tyre në operacionet e institucioneve financiare. Duke njohur këto rreziqe si aspekte të pandashme të mbikëqyrjes, ekzaminimi i adekuatshmërisë së sistemeve informative dhe menaxhimit të tyre nga institucionet financiare është i domosdoshëm. Fokusi i Divizionit për Mbikëqyrjen e Sistemeve të Teknologjisë Informative të Institucioneve Financiare do të jetë në rreziqet ndaj të cilave ato ekspozojnë institucionin, të cilat përfshihen në kuadër të rrezikut operacional sipas përkufizimeve të BQK-së. Këto rreziqe mund të kenë ndikim negativ në rezultatin financiar të një institucioni financiar dhe nivelin e kapitalit të tij.

BQK do të intensifikojë aktivitetet e saj drejt themelimit të këtij funksioni të rëndësishëm për mbikëqyrjen e sistemeve të teknologjisë informative të institucioneve financiare, në mënyrë që të sigurojë adaptimin e sistemeve adekuate të menaxhimit të rrezikut që rezulton nga kjo fushë, si dhe të ndërtoj një sistem të veprimit të hershëm dhe parandalues të dëmeve që mund të rrjedhin nga këto rreziqe për sektorin financiar, përmes adaptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare. 

 

Skip to content