Departamenti i Burimeve Njerëzore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) i kushton rëndësi të madhe rekrutimit, mbajtjes dhe zhvillimit profesional të anëtarëve të personelit të saj. Qasja e BQK-së ndaj anëtarëve të personelit të saj është objektive dhe e drejtë në pajtim me dispozitat përkatëse dhe praktikat më të mira.

Departamenti i Burimeve Njerëzore (DBNj) është njësia organizative përgjegjëse për administrimin e marrëdhënieve të punës. Përveç funksionit administrativ, ky Departament është përgjegjës edhe për rritjen dhe zhvillimin e njohurive dhe aftësive të personelit, si dhe ofrimin e këshillave dhe rekomandimeve lidhur me çështjet të ndryshme të personelit.

Funksionet e Departamentit të Burimeve Njerëzore janë të përcaktuara me politika dhe rregulla përkatëse, të cilat janë të hollësishme dhe të qarta, të cilat janë të njohura mirë nga anëtarët e personelit.

Divizioni Administrativ i Personelit

Roli i Divizionit Administrativ të Personelit është për siguruar një administratë efikase dhe të rregullt të marrëdhënieve të punës në BQK. Ky divizion ndihmon në krijimin dhe mbajtjen e dosjeve të rregullta të personelit dhe siguron që të gjitha procedurat dhe dokumentacioni i lidhur me punën të jenë në përputhje me rregulloret dhe standardet e përcaktuara nga Departamenti i Burimeve Njerëzore.

Përgjegjësitë kryesore të Divizionit Administrativ të Personelit janë:

  • Përpilon dhe menaxhon dokumentacionin administrativ të personelit, përfshirë dosjet personale, kontratat e punës, dhe dokumentet e tjera të nevojshme.                            

    Kujdeset për procedurat e përzgjedhjes dhe punësimit të personelit të ri, duke përfshirë krijimin e profileve të punës, publikimin e shpalljeve të punës, dhe organizimin e proceset të rekrutimit.

    Përgatit dhe monitoron oraret e punës, duke përfshirë pushimet, oraret e fleksibilitetit, dhe çështjet e tjera të lidhura me kohën e punës.

    Administrimin dhe zhvillimin e proceseve të realizimit të pagave dhe beneficioneve të tjera të anëtarëve të personelit (sigurimin shëndetësor dhe jetësor, kontributet pensionale, obligimet tatimore, etj.)

    Zhvillon dhe monitoron zbatimin e politikave dhe rregullave të bankës në lidhje me marrëdhëniet e punës si dhe aktet tjera të brendshme të DBNJ. Kjo siguron një trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë punonjësit.

    Siguron që të jetë burim këshillues dhe informative për punonjësit në lidhje me çështje të marrëdhënieve të punës dhe çështjet tjera të lidhura me punën.

    DBNj ka një rol në sigurimin e një mjedisi të punës të shëndetshëm dhe mbështet iniciativat sociale dhe të përgjegjshme të bankës.

    Siguron mbajtjen e saktë të të dhënave dhe pajtueshmërinë me ligjet për mbrojtjen e të dhënave. Si dhe ruan informacionin personal, duke krijuar besim në bankë.

Divizioni i Trajnimit dhe Zhvillimit të Personelit

Divizioni i Trajnimit dhe Zhvillimit të Personelit ka një rol të rëndësishëm në BQK dhe ka për qëllim të sigurojë që punonjësit të kenë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të kryer detyrat e tyre me sukses.

Divizioni i Trajnimit dhe Zhvillimit të Personelit ka një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e aftësive dhe kompetencave të punonjësve, duke ndihmuar ata të jenë më efektivë në detyrat e tyre dhe të zhvillohen personalisht dhe profesionalisht brenda BQK-së.

Përgjegjësitë kryesore të Divizionit të Trajnimit dhe Zhvillimit të Personelit janë:

  • Identifikon nevojat e BQK-së dhe punonjësve për trajnime dhe zhvillim. Kjo përfshin identifikimin e kërkesave për zhvillim të aftësive të reja, njohurive të specializuara, dhe përmirësime të performancës.

    Zhvillon programe trajnuese dhe krijon materialet e nevojshme për të siguruar që trajnimet të jenë efektive dhe të përshtatshme për të punësuarit.

    Përgatit dhe organizon sesione trajnuese, duke përfshirë trajnime në klasë, trajnime online, seminare, dhe aktivitete të tjera zhvillimore.

    Krijon dhe menaxhon programe të zhvillimit për punonjësit, duke përfshirë trajnimet e vazhdueshme, mentorimin, dhe programe specifike të rritjes së karrierës.

    Përmes vlerësimeve dhe analizave, monitoron efektivitetin e trajnimeve dhe programet e zhvillimit për të siguruar se ato ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të BQK-së dhe nevojave të punonjësve.

    Përkujdeset për vlerësimin e performancës së punonjësve dhe ofron mbështetje për përmirësimin e tyre. Përmes këtij procesi, ata mund të ndihmojnë në zhvillimin e planeve të karrierës dhe identifikimin e mundësive për avancim brenda BQK-së.

    Ofron mbështetje për punonjësit në zhvillimin e planeve të tyre të karrierës dhe identifikon mundësitë për avancim brenda organizatës.

    Përmes bisedave individuale dhe planeve të zhvillimit, ndihmon punonjësit në identifikimin e rrugëve të tyre për rritje dhe avancim në karrierë.

    Identifikon dhe implementon iniciativa për të rritur kapacitetet e punonjësve, duke përfshirë zhvillimin e aftësive të reja dhe adaptimin ndaj ndryshimeve në mjedisin e punës.

    Bashkëvepron me departamentet e tjera për të identifikuar nevojat e trajnimit dhe zhvillimit, duke siguruar një qasje të përgjegjshme dhe efektive.

    Përdor teknologjinë e informacionit për të ofruar trajnime online, platforma të ndryshme e-learning, dhe mjete të tjera moderne të trajnimit.

    Mblidh dhe analizon feedback nga pjesëmarrësit në trajnime për të identifikuar fusha për përmirësime dhe për të siguruar një proces të përmirësuar trajnimi në të ardhmen.

    Hartimi i një programi të strukturuar për të njohur të punësuarit e rinj me kulturën, vlerat dhe rregullat dhe procedurat e punës.

    Krijimi i politikave për inkurajimin e të punësuarve për ndarjen e njohurive, si dhe krijimin e një baze të të dhënave.

Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) zhvillon politikën e saj për mbrojtjen e konsumatorëve duke kontribuar në zhvillimin e kornizës ligjore, duke ushtruar mbikëqyrje të institucioneve financiare brenda kompetencave të saj në lidhje me zbatimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e konsumatorit dhe duke shqyrtuar ankesat e adresuara nga shfrytëzuesit e shërbimeve financiare të mbikëqyrura nga BQK-ja. Mbikëqyrja e sjelljes së tregut luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit dhe besueshmërisë së tregjeve financiare, nxitjen e besimit midis pjesëmarrësve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Është një proces i vazhdueshëm që kërkon vigjilencë, përshtatshmëri dhe bashkëpunim ndërmjet autoriteteve rregullatore dhe pjesëmarrësve të tregut

Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit i themeluar me strukturën e re organizative si departament i veçantë, ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare nga praktikat e padrejta, çorientuese, mashtruese apo abuzive, si dhe ndërmarrjen e masave ndaj institucioneve financiare të cilat shkelin dispozitat ligjore dhe rregullative të mbrojtjes së konsumatorëve. Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit është përgjegjës për mbikëqyrjen e praktikave të tregut përmes ekzaminimeve në vend dhe atyre nga distanca për sa i përket transparencës dhe shpalosjes së shërbimeve dhe produkteve financiare nga ana e institucioneve financiare, adresimin e ankesave dhe zgjidhjeve të mundshme të tyre, si dhe përgatitjen e kornizës rregullative të nevojshme për mënyrën e drejtë të ofrimit të shërbimeve financiare. Ky Departament mbikëqyr të gjitha institucionet financiare të licencuara dhe mbikëqyrura nga BQK.    

Divizioni i Ankesave të Konsumatorëve të Shërbimeve Financiare

Divizioni i Ankesave të Konsumatorëve të Shërbimeve Financiare (Divizioni i Ankesave) është përgjegjës për pranimin, sistemimin dhe shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve të shërbimeve financiare. Detyrat dhe objektivat e tij janë të orientuara drejt ofrimit të një mekanizmi efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe garantimit që konsumatorët të trajtohen në mënyrë të drejtë.

Përgjegjësitë kryesore të Divizionit të Ankesave janë:

  • - Trajtimi i Ankesave:
      -    pranimi dhe sistemimi i ankesave të konsumatorëve të shërbimeve financiare;
      -    shqyrtimi i dokumentacionit përkatës lidhur me ankesën;
      -    zgjidhje e ankesave të konsumatorëve në mënyrë të drejtë, efikase dhe në kohë.

    - Dokumentimi dhe raportimi:
      -    mirëmbajtja e sistemit të ankesave, duke përfshirë detajet e çështjeve të ngritura, veprimet e ndërmarra dhe zgjidhjet e arritura;
      -    përgatitja e raporteve të ankesave, duke përfshirë identifikimin e çështjeve sistematike që kontribuojnë në ankesat e konsumatorëve;
      -    bashkëpunimi me njësitë relevante lidhur me trajtimin e çështjeve të rëndësishme në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit.

    - Komunikimi:
      -    komunikimi me konsumatorët dhe institucionet financiare në lidhje me statusin e ankesave, veprimet e kërkuara dhe zgjidhjet;
      -    Menaxhimi i kanaleve të komunikimit për të siguruar transparencë dhe qasje për të gjitha palët e interesuara.

Divizioni i Mbikëqyrjes së Praktikave të Tregut

Objektivat strategjike të Divizionit të Mbikëqyrjes së Praktikave të Tregut janë:

  • - Mbrojtja e Konsumatorit:
      -    siguron që produktet dhe shërbimet financiare janë transparente, të drejta dhe të plotësojnë nevojat e konsumatorëve;
      -    parandalon praktikat mashtruese të reklamimit dhe shpalosjes së produkteve dhe shërbimeve financiare

    - Integriteti i tregut:

      -    monitoron dhe rregullon tregun financiar nga aspekti i mbrojtjes së konsumatorit;
      -    siguron integritetin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve financiare.

    - Konkurrenca e ndershme:
      -    promovon konkurrencë të drejtë dhe të shëndetshme ndërmjet institucioneve financiare;
      -    parandalon praktikat antikonkurruese që mund të dëmtojnë pjesëmarrësit e tregut ose konsumatorët.

    - Monitorimi i pajtueshmërisë:
      -    vlerëson rregullisht pajtueshmërinë e institucioneve financiare me kornizën rregullative në fuqi;
      -    heton dhe merr masa masave korrigjuese dhe administrative konform legjislacionit në fuqi.

    - Menaxhimi i rrezikut:
      -    identifikon dhe vlerëson rreziqet që lidhen me çështjet e sjelljes së tregut.

    - Edukimi dhe ndërgjegjësimi:
      -    Në bashkëpunim me njësitë relevante edukon konsumatorët për produktet dhe shërbimet financiare për t'i fuqizuar ata të marrin vendime të informuara;

    - Mbledhja dhe analiza e të dhënave:
      -    mbledh dhe analizon të dhëna në lidhje me çështjet e sjelljes së tregut për të identifikuar tendencat dhe rreziqet në zhvillim;
      -    përdor informacion nga të dhënat për të përmirësuar kornizën rregullatore.

    - Përmirësim të vazhdueshëm:
      -    rishikon dhe përditëson rregullisht rregullat e sjelljes së tregut dhe praktikat mbikëqyrëse për t'iu përshtatur kushteve në zhvillim të tregut;
      -    kryen vlerësime periodike të efektivitetit të kornizës rregullatore të mbikëqyrjes së sjelljes së tregut.

Duke zbatuar politikën e saj për mbrojtjen e konsumatorëve, Divizioni i Mbikëqyrjes së Praktikave të Tregut, ushtron mbikëqyrje dhe përcakton nëse institucionet financiare janë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe dispozitat e tjera për mbrojtjen e konsumatorëve dhe zbatojnë praktikat e mira të biznesit.

Përgjegjësitë kryesore të Divizionit të Mbikëqyrjes së Praktikave të Tregut janë:

    • Ekzaminimi në vend dhe monitorimi nga distanca i çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit dhe praktikat e ofrimit të shërbimeve financiare;
    • Mbrojtja e Konsumatorit duke siguruar që produktet dhe shërbimet financiare të jenë transparente, të drejta dhe të plotësojnë nevojat e konsumatorëve;
    • Parandalimi i praktikave mashtruese të reklamimit dhe shpalosjes së produkteve dhe shërbimeve financiare;
    • Promovimi i konkurrencës së drejtë dhe të shëndetshme ndërmjet institucioneve financiare;
    • Vlerësimi i vazhdueshëm mbi pajtueshmërisë së institucioneve financiare me kornizën ligjore në fuqi;
    • Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve që lidhen me çështjet e sjelljes së tregut.
    • Pjesëmarrja dhe kontributi në iniciativat e BQK-së dhe të tregut për rritjen e përfshirjes financiare; dhe
    • Pjesëmarrja dhe kontributi në iniciativat e BQK-së dhe të tregut për avancimin e edukimit financiar të konsumatorëve.

Departamenti i Statistikave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka për objektiv parësor (i) të nxisë dhe të mbajë një sistem financiar stabil dhe një sistem të pagesave të shëndoshë, solvent e efektiv, (ii) të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, (iii) të mbështesë politikat e përgjithshme ekonomike në Kosovë dhe (iv) të veprojë në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të hapur e konkurrencës së lirë, me qëllim të alokimit efektiv të resurseve të Kosovës. Përmbushja e të gjitha këtyre objektivave të BQK-së është e ndërlidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Statistikës (DS). DS-ja është njësia kryesore organizative përgjegjëse për mbledhjen, përpilimin dhe publikimin e statistikave nga BQK. Për të kryer këtë detyrë, BQK-ja ka edhe autoritetin për të siguruar të dhënat statistikore të nevojshme. Ky aspekt juridik është i rregulluar me Ligjin për BQK-në, i plotësuar me rregulloret mbi informacionin statistikor të nxjerrë dhe të bazuara në këtë Ligj. Përpilimi dhe publikimi i statistikave nga DS-ja bëhet konform standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të vendeve tjera. DS-ja bashkëpunon ngushtë me njësitë relevante të BQK-së dhe me palët e tjera të jashtme me qëllim të përgatitjes së statistikave monetare financiare, statistikave të llogarive financiare dhe të sektorit të jashtëm të sakta e të besueshme, si dhe të avancimit të mëtutjeshëm të sistemit të statistikave në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Objektivat e BQK-së janë të përcaktuara në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8 dhe janë të detajuara në nenet pasuese. Prej të gjitha detyrave të përcaktuara në nenin 8 të ligjit për BQK-në, Departamenti i Statistikës është i përfshirë më shumë në (1) mbledhjen dhe publikimin e statistikave; (2) informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; (3) bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; (4) veprimin si këshilltar financiar për qeverinë dhe subjektet e tjera publike; (5) përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; dhe (6) përcaktimin e politikave për kontribuim në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve. Përgjegjësia lidhur me mbledhjen dhe publikimit të statistikave është e detajuar në nenet 25-28 të Ligjit për BQK-në.

Detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse të BQK-së specifikohen më në detaje në rregulloret përkatëse të BQK-së. Po ashtu edhe në Ligjin mbi statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës është e specifikuar që BQK-ja është prodhuese e statistikave zyrtare. Në bazë të karakterit, vëllimit dhe ndërlikueshmërisë së veprimtarisë së Departamentit të Statistikave, në kuadër të tij ekziston Divizioni i Statistikave të bilancit të pagesave, që është përgjegjës për fushën e statistikave të sektorit të jashtëm, duke përfshirë bilancin e pagesave, pozicionin e investimeve ndërkombëtare, borxhin e jashtëm dhe statistika të tjera të sektorit të jashtëm. Anëtarët e tjerë të personelit në këtë departament përkujdesen për fushat e tjera të statistikave. BQK-ja është koordinatore e vendit për Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (angl. General Data Dissemination System – GDDS ) të FMN-së dhe udhëheq Këshillin Statistikor të Kosovës, i cili është organ kolegjial për të dhënë këshilla për përgatitjen dhe zbatimin e programit të statistikave zyrtare të Kosovës dhe për zhvillimin e përgjithshëm të sistemit statistikor të Kosovës.

Departamenti i Statistikës i ka këto funksione kryesore:

    • Drafton bazën ligjore për të siguruar të dhënat statistikore të nevojshme;
    • Identifikon raportuesit dhe obligimet e tyre statistikore, format e raportimit, periudhën e raportimit dhe mënyrën e dërgimit të informatave statistikore nga institucionet relevante;
    • Bën prodhimin (mbledhjen, përpilimin, validimin dhe shpërndarjen) e statistikave monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm (statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe statistikat e borxhit të jashtëm) në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare;
    • Bën publikimin e rezultateve të statistikave monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm në botimet periodike dhe joperiodike të BQK-së në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare;
    • Shpërndan statistikat monetare financiare dhe të sektorit të jashtëm në institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Eurostat, etj;
    • Përfaqësimin e BQK-së brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, si dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e bashkëpunimit të nevojshëm sa i përket çështjeve statistikore;
    • Zhvillimin e projekteve të reja statistikore dhe përditësimit të atyre ekzistuese në përputhje me zhvillimet në treg dhe me ndryshimet në standardet statistikore ndërkombëtare;
    • Përpilimin dhe përditësimin e metodikës statistikore, politikës së publikimeve, procedurave të punës dhe dokumenteve të tjera administrative;
    • Kontributin në zhvillimin e proceseve të përgjithshme statistikore në Kosovë, siç specifikohet në Ligjin për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës.
    •  

Divizioni i Statistikave të Jashtme

Divizioni i Statistikave të Jashtme kryen këto aktivitete:

    • Përpilimi i Bilancit të pagesave (BP) në baza mujore. Në kuadër të bilancit të pagesave ndër të tjera  përpilohen tregtia ndërkombëtare e mallrave dhe shërbimeve, remitancat dhe investimet direkte.
    • Përpilimi Pozicionit Investimeve Ndërkombëtare (PIN) në baza tremujore;
    • Përpilimi i borxhit të jashtëm (BJ) në baza tremujore,
    • Përpilimi i Rezervave ndërkombëtare në baza mujore
    • Shpërndan statistikat e sektorit të jashtëm në institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Eurostat, etj
    • Zhvillimi dhe përgatitja e metodikave statistikore duke u bazuar në standardet ndërkombëtare për përpilimin e BP, PIN dhe BJ dhe llogari financiare duke bashkëpunuar ngushtë FMN dhe institucionet tjera ndërkombëtare relevante  për të siguruar që këto statistika përpilohen dhe shpërndahen në një mënyrë të qëndrueshme dhe të krahasueshme me vendet tjera.
    •  

Divizioni i Statistikave Financiare

Divizioni i statistikave financiare kryen këto aktivitete:

    • Përpilimi dhe shpërndarja e statistikave monetare dhe financiare (MFS). Kjo përfshin të dhëna për bazën monetare, paranë e gjerë dhe të ngushtë, kredinë, normat e interesit si dhe aktivet dhe detyrimet e sektorit financiar. Ku ndër të tjera:
    • Përpilimi i statistikave të sektorit bankar, ku përfshihen BQK dhe bankat komerciale.
    • Përpilimi i statistikave të sektorit tjetër financiarë, kompanitë e sigurimeve, fondet pensionale dhe institucione të tjera financiare.
    • Përpilimi i treguesve të shëndetit financiar (FSI), të cilët përdoren për të vlerësuar shëndetin dhe stabilitetin e sistemit financiar në Kosovë.
    • Përpilimi i statistikat e llogarisë financiare (SLLF) të cilat janë një pjesë integrale e llogarive kombëtare që regjistrojnë ndërlidhjen e brendshme dhe të jashtme të llogarive financiare në një ekonomi të klasifikuara sipas sektorëve ekonomikë dhe instrumenteve financiarë.
    • Shpërndan statistikat monetare financiare në institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Eurostat, etj
    • Zhvillimi dhe promovimi i standardeve ndërkombëtare për MFS, FSI dhe llogari financiare duke bashkëpunuar ngushtë FMN dhe institucionet tjera ndërkombëtare relevante për të siguruar që këto statistika përpilohen dhe shpërndahen në një mënyrë të qëndrueshme dhe të krahasueshme me vendet tjera.
    •  

Departamenti i Administratës dhe Mbështetjes

Departamenti i Administratës dhe Mbështetjes është njësia kryesore organizative përgjegjëse për punët administrative të BQK-së. Departamenti i Administratës ka për qëllim krijimin e kushteve të duhura për ushtrimin normal të operacioneve të BQK-së, duke siguruar dhe përmirësuar kushtet e punës nëpërmjet administrimit të mirë, mirëmbajtjes dhe aktiviteteve të tjera mbështetëse. Departamenti i Administratës bashkëpunon dhe inicion (të gjitha pagesat, kërkesat – projektet e të gjitha njësive organizative të BQK-së për përmbushjen e funksioneve të tyre dhe ka përgjegjësi reputacionale.

Departamenti i Administratës dhe Mbështetjes përbëhet nga:

  • Divizioni i Prokurimit dhe Kontraktimit

    Divizioni i Shërbimeve Administrative dhe Mbështetjes

    Divizioni i Prokurimit dhe Kontraktimit

Divizioni i Prokurimit dhe Kontraktimit zbaton dhe realizon procedurat e prokurimit në përdorimin e fondeve të BQK-së dhe fondeve të tjera të akorduara në mënyrë të veçantë përmes zbatimit të rregullave të prokurimit në BQK. Divizioni i Prokurimeve harton planin vjetor të prokurimeve në bazë të Buxhetit të BQK-së me qëllim të realizimit me kohë të projekteve dhe furnizimeve të planifikuara. Organizon dhe ndjek procedurat administrative për lidhjen e kontratave dhe përcjell realizimin e tyre, si dhe kryen edhe studimin e tregut me qëllim të vlerësimit sa më të saktë të lartësisë së fondeve të nevojshme dhe përcaktimit të procedurave përkatëse.

Divizioni i Shërbimeve Administrative dhe Mbështetjes

Divizioni i Shërbimeve Administrative dhe Mbështetjes realizon me anëtarët e personelit të tij dhe kontraktuesit e jashtëm mirëmbajtjen teknike të ndërtesës dhe pajisjeve të ndryshme dhe transportimin e personelit dhe mjeteve të BQK-së. Në kuadër të Divizionit bëhen vlerësime dhe analiza në bazë të cilave përpilohen dhe propozohen projekte për riparime, rimodelime dhe shfrytëzimin hapësinor të ndërtesës. Në bashkëpunim me njësitë organizative relevante në BQK harton planin vjetor të punëve dhe shërbimeve, si dhe planin për realizimin e tyre. Në kuadër të këtij Divizioni përfshihen njësia e mirëmbajtjes, njësia e transportit, arkivi dhe bufeja si dhe punonjësit e Sigurisë dhe Shëndetit në punë. Siguria dhe Shëndeti në punë realizohet nga punonjës që i raportojnë Drejtorit të Departamentit që janë angazhuar si rezultat i aprovimit të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në punë. Ligji nr. 04/L-161 “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” ka si objekt përcaktimin e masave, që synojnë garantimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë të punëmarrësve. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve profesionale, eliminimit të faktorëve që përbëjnë rrezik dhe aksident, informimit, këshillimit, pjesëmarrjes së balancuar, në përputhje me ligjin, formimit të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre, si dhe të përcaktojë udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e këtij qëllimi.

Menaxhimi i Informacionit (SMI)

Menaxhimi i Informacionit është njësia që menaxhon krijimin, ruajtjen dhe kontrollin e informacioneve në mënyrë elektronike dhe fizike. Funksionon përmes Sistemit (SMI) dhe qëllimi kryesor i këtij sistemi është për të menaxhuar të gjithë informacionin brenda BQK-së dhe qëndron në kuadër të strukturës organizative të Departamentit të Administratës. Ky sistem përfshinë menaxhimin e dokumenteve, teksteve, imazheve, dhe incizimeve si dhe ofron siguri të lartë dhe efikasitet për ruajtjen dhe ekzekutimin e udhëzimeve për të gjitha të dhënat.

Në Menaxhimin e Informacionit, përmes sistemit(SMI) bëhet pranimi, protokollimi, arkivimi dhe qasja e dokumenteve në mënyre efikase. Duke ju ofruar ndihmë teknike të gjithë stafit të BQK-së për SMI-në.

Divizioni i Sigurimit Fizik

Divizioni i Sigurimit Fizik ka për detyrë të sigurojë dhe mbrojë personelin, objektin dhe pasurinë e BQK-së, duke marrë masa dhe aktivitete me qëllim të mundësimit të punës së pandërprerë në ambientet punuese të BQK-së. Funksionet e tij mbështeten në rregullat e sigurimit fizik në BQK dhe vepron në bazë të planit operativ të sigurimit fizik. Në kuadër të Divizionit të Sigurimit përfshihen rojat e sigurimit fizik, monitoruesit e QMTV-së dhe recepsionisti. Në kuadër të Divizionit të Sigurimit hynë organizimi i eskortës së Policisë së Kosovës me rastin e transportit te Parave te Gatshme, e cila kryhet përkushtim maksimal prej fillimit te procesit deri në përfundimin e plotë te tij.

Për kryerjen e detyrave me sukses maksimal divizioni i sigurimit ndërmerr një varg masash të ndërlidhura me njëra tjetrën apo të pavarura, si:

    • Mbrojtje maksimale të jetës së personelit, pronës dhe pasurisë së BQK-së nga krimet, sulmet, vjedhjet, kidnapimet dhe faktorët e tjerë destruktiv;
    • Parandalimin dhe dekurajimin e kryerjes së krimeve kundër pronës dhe pasurisë së BQK-së;
    • Promovimin e mbrojtjes së personelit, pronës, dhe pasurisë së BQK-së nga sulmet e jashtme;
    • Identifikimin, vlerësimin, regjistrimin dhe menaxhimin e rreziqeve në aspektin e sigurisë fizike;
    • Implementimin e masave mbrojtëse për eliminimin e rrezikut të sigurimit fizik;
    • Ofrimin e ndihmës për organet e zbatimit të ligjit në identifikimin, kapjen dhe ndjekjen penale të tentim kryerësve dhe kryerësve të krimeve kundër pronës dhe pasurisë së BQK-së;
    • Zbatimin dhe implementimin e të gjitha kërkesave ligjore, nënligjore dhe rregullative; dhe
    • Plotësimin e standardeve me të larta të sigurisë.

Mënyrat e sigurimit fizik të BQK-së përmes të cilave arrin që t’i ndërmarrë masat e mësipërme janë:

    • Sigurimi me personel të sigurimit fizik;
    • Sigurimi me pjesëtarë të Policisë së Kosovës; dhe
    • Sigurimi me pajisjet e sigurisë.
    •  

Divizioni i Rishqyrtimit

Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit të Rishqyrtimit janë listuar në vijim:

    • Shqyrtimi i kërkesave për rishqyrtim të institucioneve financiare lidhur me njoftimin paraprak për marrjen e masave ndëshkimore administrative nga departamentet/divizionet e BQK-së;
    • Zbatimi i procedurës së rishqyrtimit të kërkesave të institucioneve financiare lidhur me Njoftimin paraprak për marrjen e masave ndëshkimore administrative nga departamentet/divizionet e BQK-së, të parapara me legjislacionin në fuqi, specifikisht kërkesave të Rregullores për procedurat e shqiptimit të ndëshkimeve administrative;
    • Përmbushja e detyrave të përcaktuara në mënyrë që shqyrtimi i kërkesave të bëhet brenda afatit ligjor të përcaktuar me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi;
    • Shqyrtimi dhe analizimi i kundërshtimeve të paraqitura nga Institucionet Financiare kundër Njoftimit paraprak për marrjen e masave ndëshkimore administrative të departamenteve/divizioneve të BQK-së, si dhe dhënia e rekomandimeve për Bordin Ekzekutiv të BQK-së;
    • Bashkëpunimi me departamentet/divizionet e BQK-së lidhur me zbatimin e akteve juridike të legjislacionit në fuqi që ndërlidhen me çështjet e rishqyrtimit të kërkesave përkatëse të palëve;
    • Përcjellja e ndryshimeve legjislative në mënyrë që ato të aplikohen me kohë;
    • Komunikimi dhe bashkëpunimi me departamentet/divizionet brenda dhe jashtë BQK-së me qëllim që të ndihmohet në efikasitetin e punës për arritjen e objektivave dhe synimeve të BQK-së.
    •  
Skip to content