Banka Qendrore e Kosovës së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës fillojnë aktivitet për Javën Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Kosovës së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë filluar aktivitetet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Aktiviteti i sotëm ka filluar me nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore “Don Bosko”. Nxënësit fillimisht i ka përshëndetur Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Lulzim Ismajli, i cili tha se një ndër qëllimet strategjike të BQK-së, është nxitja e zhvillimit të shëndoshë të sistemit financiar në Republikën e Kosovës dhe avancimi i funksionit të edukimit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit.


Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Lulzim Ismajli, gjithashtu theksoi se sektori i shërbimeve financiare ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se sistemi financiar është duke evoluar me zgjerimin e gamës së produkteve dhe shërbimeve financiare më komplekse, dhe çështja e edukimit financiar gjithnjë e më shumë ka rol të veçantë në agjendën e rregullatorëve dhe institucioneve financiare. Sektori i shërbimeve financiare ka një peshë të fuqishme në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës, ndërtimin e infrastrukturës vitale dhe zhvillimin e qëndrueshëm për Kosovën”.
Z. Ismajli shtoi se BQK-ja është e përkushtuar të avancojë programin afatgjatë për edukimin financiar, ku një ndër aktivitetet e saj në kuadër të edukimit financiar është edhe shënimi i Javës Ndërkombëtare të Parasë. Për më shumë fjalimi i Zëvendësguvernatorit z. Lulzim Ismajli.


Ndërkaq z. Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave të Kosovës, në fjalimin e tij theksoi se ne po i bashkohemi sot një iniciative ndërkombëtare e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit për përdorimin e parasë.
Z. Balija bëri të ditur se do të zhvillojnë aktivitete në komuna të ndryshme, të cilat, do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijesimit të gjeneratave të reja rreth menaxhimit të financave.
Më pas aktiviteti ka vazhduar me fëmijët të cilët kanë bërë punime në lidhje me paratë dhe kursimet, duke u udhëzuar nga zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës. Ata kanë punuar nga një libër të kursimeve, përmes së cilave kanë shprehur idetë e tyre rreth rëndësisë së menaxhimit të parave, planifikimet e tyre për kursimet dhe kanë shprehur idetë e tyre rreth mënyrës së si ata do t’i menaxhojnë paratë në të ardhmen.