Avancimi i operacioneve me para të gatshme të BQK-së në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Italisë

Në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) më 7 dhe 8 nëntor 2023 u realizua misioni i parë i ekspertëve në lidhje me masën bilaterale të bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Italisë (Banca d’Italia).  Kjo masë bilaterale e bashkëpunimit është e përqendruar në vlerësimin dhe avancimin e praktikave të rregullimit dhe kryerjes së operacioneve me para të gatshme në BQK.  Misioni i parë i ekspertëve në lidhje me këtë masë bilaterale e pason një vizitë studimore të zyrtarëve të BQK-së të realizuar në bankën qendrore të Italisë, si dhe do të pasohet me një mision të dytë ekspertësh të Bankës Qendrore të Italisë në BQK në fillim të vitit të ardhshëm.  Gjatë qëndrimit të tyre në BQK, ekspertët nga Banka Qendrore e Italisë përveç me stafin profesional të BQK-së u takuan edhe me Guvernatorin e BQK-së, z. Ahmet Ismaili.

Kjo masë bilaterale është e përgatitur për ta mbështetur avancimin e operacioneve me para të gatshme në BQK dhe rrjedhimisht, zhvillimin e qarkullimit të parave të gatshme në Republikën e Kosovës. BQK-ja pret që përmes aktiviteteve përbërëse të kësaj mase bilaterale do të kontribuohet në ngritjen e kryerjes së detyrave parësore të saj dhe arritjen e caqeve afatgjata zhvillimore të saj, duke adoptuar dhe duke u përafruar me standardet dhe praktikat bashkëkohore të eurozonës. 

Faza II e Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me Synim të Integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore u lancua në shtator 2022 dhe është paraparë të zgjasë tri vjet.  Ky program financohet nga BE-ja dhe në të janë të përfshira Banka Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete të mbikëqyrjes financiare nga regjioni i Ballkanit Perëndimor.  Për administrimin dhe koordinimin e këtij programi kujdeset Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank).

Guvernatori Ismaili shpalos kërkesat dhe pritjet nga industria e sigurimeve si zhvillimet e nevojshme dhe avancimin e shërbimeve për mbrojtje financiare ndaj policëmbajtësve Guvernatori Ismaili takon dekanët e fakulteteve me drejtime të ekonomisë, flasin për bashkëpunimin e BQK-së dhe institucioneve akademike