Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve dhe Rezervave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)  ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil.  Ky objektiv është i lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e Departamentit të Menaxhimit të Mjeteve.  Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve është përgjegjës për plasmanin e të gjitha mjeteve financiare nën menaxhim të BQK-së, si dhe për operimin e sistemit qendror depozitar dhe platformës për tregtim të letrave me vlerë të Qeverisë.  Objektivi parësor i BQK-së është i përcaktuar në nenin 7 të Ligjit për BQK-në, ndërsa detyrat përkatëse janë të përmbledhura në nenin 8.  Detyrat e tilla në të cilat kontribuon Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve përfshijnë mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave ndërkombëtare; veprimin si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë; promovimin e sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave, të kliringut dhe të shlyerjes së letrave me vlerë; mbledhjen dhe publikimin e informacioneve relevante financiare; informimin e Kuvendit, Qeverisë dhe publikut të gjerë rreth veprimtarisë së BQK-së; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; dhe përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.  Në veçanti, detyra e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare është e detajuar në nenin 15, ndërsa detyra e veprimit si bankier, këshilltar financiar dhe agjent fiskal i Qeverisë është e detajuar në nenin 30.

Puna e Departamentit të Menaxhimit të Mjeteve është e ndarë në dy divizione të veçanta:

    • Divizioni i Investimeve 
    • Divizioni i Letrave me Vlerë të Qeverisë 

Departamenti i Menaxhimit të Mjeteve i ka këto funksione kryesore:

    • Menaxhimin e investimeve, duke i dhënë përparësi sigurisë dhe likuiditetit në raport me kthimin;
    • Krijimin e planeve afatmesme dhe afatshkurtra për investimin e mjeteve, parashikimin e të hyrave në baza vjetore duke rekomanduar krijimin e një strukture adekuate të politikave, sistemeve, procedurave, udhëzimeve dhe direktivave për identifikimin, matjen, monitorimin, zhvillimin dhe kontrollin e aktiviteteve të investimit;
    • Planifikimin e investimit të mjeteve duke u bazuar në likuiditetin e kërkuar; planifikimin e tregtimit të letrave me vlerë; kontrollimin e likuiditetit të këtyre letrave në treg para blerjes;
    • Zbatimin e respektimit të diversifikimit gjeografik gjatë investimeve;
    • Dhënien e rekomandimeve mbi qasjet që kontribuojnë në funksionimin stabil dhe efikas të investimeve financiare;
    • Bashkëpunimin me njësitë e tjera me qëllim të realizimit të operacioneve investive;
    • Kryerjen e analizave të rregullta kuantitative mbi investimet dhe parashikimin e lëvizjeve të normave të interesit dhe çmimeve të instrumenteve financiare në treg.
    • Kryerjen e aktiviteteve të tregtimit dhe raportimit të letrave me vlerë të emetuara nga Thesari;
    • Menaxhimin e operacioneve për tregun primar dhe tregun sekondar të letrave me vlerë;
    • Koordinimin e punëve me përfaqësuesit e Thesarit dhe bankat komerciale lidhur me tregtimin e letrave me vlerë; bashkëpunimi me njësitë e tjera organizative në BQK;
    • Organizimin e ankandeve të letrave me vlerë të Qeverisë;
    • Regjistrimin, transferimin dhe menaxhimin e transaksioneve të letrave me vlerë;
    • Zbatimin e kontrollit përmes procedurave dhe politikave për operacionet e tregut;
    • Përgatitjen e raporteve dhe analizave afatshkurtra dhe afatmesme të borxhit dhe rrezikut;
    • Analizimin e tregut të parasë si dhe të rrezikut dhe performancës së institucioneve relevante;
    • Raportimin e procesimit dhe pagesave mbi interesin dhe maturimin e letrave me vlerë;
    •