Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Guvernatori Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington të SHBA-ve nga data 14-20 tetor 2019.

Në takimet vjetore, delegacioni i BQK-së, ka takuar përfaqësues të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të institucioneve tjera.

Guvernatori Mehmeti, takoi William C. Thomas nga Thesarin Amerikan, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe me treguesit e shëndetit financiarë.

Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së dhe përkrahjen e vazhdueshme përmes asistencave teknike, si dhe përkrahjes në zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës.

Ndërkaq, z. Thomas përgëzoi Guvernatorin Mehmeti për të arriturat në sektorin financiar, si dhe konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në nga ana e Thesarit Amerikan.

Në kuadër të këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar edhe me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në veçanti, si dhe njëkohësisht ka falënderuar z. Zhang për gatishmërinë e FMN-së që të kontribuojë në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së që do mbahet në nëntor të këtij viti. 

Guvernatori Mehmeti gjithashtu është takuar me Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Poul Thomsen, me të cilin kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar, si dhe sfidat dhe objektivat strategjike dhe zhvillimore, përfshirë edhe bashkëpunimin e Kosovës me FMN-në. 

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me ekipin e Misionit të FMN-së për Kosovë, të udhëhequr nga shefi i ri i Misionit, Gabriel Di Bella, me ç’rast e informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, përfshirë treguesit e shëndetit financiar.

Guvernatori Mehmeti falënderoi përfaqësuesit e FMN-së lidhur me raportin e Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Revieë) duke shprehur përkushtimin e BQK-së për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga ky raport.

Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takime të ndara edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe Paul Methieu nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së ku temë diskutimi ka qenë vlerësimi i FMN-së në kuadër të programit: “Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar” dhe rrjedhimisht ofrimi i Asistencës Teknike për BQK-në, përderisa në takimin me përfaqësuesin e Bankës Botërore, Mario Guadamillas janë diskutuar asistencat teknike për Sistemin e Pagesave dhe Hendekut Financiar, si dhe projekte të tjera zhvillimore të BQK-së.

Në takimet e zhvilluara me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, politika zhvillimore e kredive (Development Policy Loan DPL), si dhe projektet në proces që kanë të bëjnë me vlerësimin e Sistemit të Pagesave dhe hendekut financiar.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi për sistemin financiar në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori Mehmeti informoi z. Muller lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, si dhe e falënderoi për gatishmërinë e Bankës Botërore që të jap kontributin e saj në Konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së, që do mbahet në nëntor të këtij viti.

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner, si dhe ka marrë pjesë në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjet plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në diskutimin e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me parashikimet ekonomike të FMN-së për rajonin.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, bashkojnë bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.

Guverner Mehmeti se sastao sa potpredsednikom Svetske banke, Cyril Muller Odluke Odbora CBK-a za 28. oktobar 2019. godine
Skip to content