SQ
Mbyll

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuara ( FKAK), si dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës, në Prizren, ka zhvilluar aktivitetin njëditor me moton “Ekonomia për të gjithë”, ngjarje kjo që po shënohet anekënd Kosovës në kuadër të Javës vetëdijësuese për kategoritë e personave me aftësi të veçanta.

Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie, e mbajtur në kuadër të fushatës sensibilizuese që synon rritjen e ndërgjegjësimit për njohuritë dhe të drejtat në fushën financiare, gjatë bashkëbisedimit të organizuar në formë ligjërate me pyetje e përgjigje, diskutuan për funksionin dhe mandatin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, përfshirë edhe konsumatorët e cenueshëm, si dhe për produktet bankare që kontribuojnë në rritjen e qasjes gjithëpërfshirëse financiare për qytetarët.

Vlerë të veçantë kësaj punëtorie i dha pjesa e bashkëbisedimit, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre personale, duke rrëfyer përditshmërinë dhe sfidat me të cilat përballen në marrëdhënie me institucionet financiare.

Në fund pjesëmarrësit së bashku me bashkëbiseduesit nga BQK-ja, Shoqata e Bankave u dakorduan ndër të tjera, se duhet në vazhdimësi të ketë adresim të çështjeve me një kujdes të shtuar nga institucionet ndaj kësaj kategorie,të personave me aftësi të kufizuara, duke gjetur rrugë për ofrime të sa më shumë mundësive nga institucionet financiare. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës së bashku me Shoqatën e Bankave dhe Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuara (FKAK), vazhdojnë ligjëratat sensibilizuese në qytetet tjera të Kosovës.

Fushata “Ekonomia për të gjithë” vazhdon në Gjakovë BQK përmbyll fushatën “Ekonomia për të gjithë – Java e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara”