SQ
Mbyll

Edukimi ne shenja

Edukim Financiar në gjuhën e shenjave

Të gjithë përdorim para në jetën e përditshme prandaj është thelbësore të dimë si t’i menaxhojmë ato në mënyrë të drejtë dhe të përgjegjshme.

Kjo faqe e Edukimit Financiar është krijuar për të kontribuar që qytetarët të mësojnë mbi menaxhimin e financave personale dhe zhvillimin e aftësive financiare, përmes materialeve edukative të përshtatura në gjuhën e shenjave dhe audiomateriale.

Pse janë të rëndësishme sigurimet?

Çdo individ apo familje mund të përballet me ngjarje të paparashikuara – një aksident, sëmundje, dëmtime të pronës – të cilat mund të shkaktojnë shpenzime të mëdha.

Sigurimi ju ndihmon të përballoni shpenzimet financiare të këtyre ngjarjeve, duke ndarë rrezikun me një kompani sigurimesh kundrejt një primi (pagesë periodike).

Sigurimi i auto-përgjegjësisë ndaj palëve të treta (TPL) është i detyrueshëm me Ligj për çdo automjet që qarkullon në territorin e Kosovës. Ndërsa sigurimet tjera vullnetare mund të jenë obligative varësisht prej veprimtarive të caktuara dhe rreziqeve që i mbulojnë.

Në Kosovë operojnë 12 Kompani të Sigurimeve: 10 që ofrojnë produkte të sigurimit Jo-Jetë, dhe

2 Kompani të Sigurimit që ofrojnë produkte Jetë.

 

Sigurimi i auto përgjegjësisë - TPL

  • TPL - Sigurimi i autopërgjegjësisë ndaj palës së tretë mbulon dëmet që i shkaktohen palëve të treta në aksidente rrugore por nuk mbulon dëmet në automjetin e vetë të siguruarit.

TPL mbulon:

  • Dëme materiale ndaj automjeteve.
  • Dëme trupore ndaj personave të tjerë të përfshirë në aksident.
  • Shpenzime mjekësore për palët e treta të lënduara.
  • Kompensim për humbje jetësore në rast aksidenti fatal.

 

Sigurimet tjera më të përdorura në Kosovë janë:

  • Sigurimi kasko mbulon dëmet në veturën tuaj – përfshirë aksidente, thyerje, zjarr apo vjedhje. Për dallim nga sigurimi i detyrueshëm i auto-përgjegjësisë (TPL), i cili mbulon vetëm dëmet ndaj palëve të treta, KASKO mbulon dëmet në automjetin tuaj

Sigurimi i shëndetit

  • Polica e sigurimit të shëndetit është një kontratë me kompaninë e sigurimit, përmes së cilës mbulohen shpenzimet e nevojshme mjekësore të të siguruarit. Varësisht nga polica apo pako, ajo mund të përfshijë kontrolle mjekësore, trajtimet spitalore, trajtimet ambulantore, trajtime shtesë, terapi afatgjata, si dhe trajtime mjekësore brenda dhe jashtë vendit.

 

 

Sigurimi i pronës

  • Ky sigurim është i dobishëm për pronarët e shtëpive, banesave apo bizneset që duan ta mbrojnë pronën/pasurinë e tyre nga dëmtimet.
  • Mundëson mbrojtje financiare dhe rikuperim të pronës ndaj dëmeve të shkaktuara në pasuri të paluajtshme (si shtëpia, banesa apo zyra) dhe pasuri të luajtshme (mobilie, pajisje, inventar, etj.). Ky sigurim zakonisht mbulon rreziqe të tilla si : zjarri, tërmeti, vërshimet, fatkeqësitë natyrore, apo dhe rreziqe të tjera si thyerje apo vjedhje.

Shëndeti në udhëtim

  • Sigurimi i shëndetit në udhëtim ofron mbrojtje financiare për shpenzimet mjekësore të paparashikuara gjatë qëndrimit jashtë vendit, si trajtime urgjente, hospitalizime apo ndihmë emergjente.

Aksidentet Personale

  • Ofron mbrojtje financiare në rast të lëndimeve fizike, invaliditetit apo vdekjes si pasojë e një aksidenti, duke garantuar kompensim sipas kushteve të kontratës.

Sigurimi i Jetës - është një marrëveshje ndërmjet një individi dhe një kompanie sigurimesh, ku individi paguan një prim periodik (mujor, vjetor), dhe kompania detyrohet të paguajë një shumë të caktuar në rast vdekjeje, sëmundjeje të rëndë, varësisht nga marrëveshja.

 Ky sigurim mbulon:

  • Vdekje natyrale apo aksidentale - Pagesë e shumës së siguruar për përfituesit në rast vdekjeje të të siguruarit.
  • Sëmundje të rënda (në disa plane) - Kompensim në rast diagnoze me sëmundje kritike si kanceri, infarkti, goditja në tru etj.
  • Invaliditet i përhershëm - Pagesë për humbjen e aftësisë për punë si pasojë e aksidentit apo sëmundjes.
  • Kursim afatgjatë (në sigurimet me komponent kursimi)- Rritje e kapitalit për pension, edukim të fëmijëve apo investime personale.
  • Shpenzime funerale dhe borxhe të mbetura - Mbështetje për familjen për të përballuar kostot pas vdekjes.

Rekomandime

 

  • Krahasoni ofertat nga kompanitë të cilat operojnë në Kosovë - krahasoni jo vetëm primet e produktit, por edhe nivelin e mbulesës siguruese, përfitimet dhe përjashtimet në bqk-kos.org/services.

 

  • Lexoni me kujdes termat dhe kushtet e kontratës së sigurimit - Informohuni për përjashtimet nga mbulimi, kufijtë maksimalë të kompensimit dhe procedurat për paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim. Ruani një kopje të kontratës dhe në rast te ndonjë shkelje shfrytëzoni të drejtën tuaj për t’u ankuar, sipas procedurave zyrtare https://bqk-kos.org/edu/ankesat/.
  • Sigurohuni që polica e sigurimit e blerë nga ju, të përshtatet me nevojat tuaja reale. Zgjidhni mbulimin që reflekton rreziqet aktuale me të cilat përballeni, në mënyrë që të përfitoni mbrojtjen më të përshtatshme për situatën tuaj personale apo profesionale.

Mbrojtja nga rreziqet përmes sigurimeve

×